Dita e Verës, 24 orë festë në kryeqytet

Dita e Verës, festa tradicionale, e cila i kushtohet ripërtëritjes së natyrës dhe lulëzimit pranveror pas dimrit të ftohtë do të kremtohet në Tiranë në 24 orë festë me plot 34 aktivitete të shpërndara anekënd kryeqytetit.

Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, zona e ish-Bllokut, Parku i madh i Liqenit Artificial, sheshi “Skënderbej”, trotuaret kryesore pranë ansamblit të ndërtesave qeveritare, Parku Rinia do të jenë zonat ku Bashkia e kryeqytetit do të organizojë një program të gjerë aktivitetesh festive për të argëtuar të gjithë të pranishmit, të rritur e fëmijë.

Koncerte, vallëzime, panaire lulesh e produktesh vendase, ballokumet tradicionale dhe veroret e larmishme nuk do të mungojnë në këtë ditë feste.

Dita e Verës, një ndër eventet e publikuara në Kalendarin Kombëtar të Turizmit TEA, është një festë pagane, e cila tradicionalisht kremtohej në qytetin e Elbasanit, po edhe në krahina të tjera të vendit. Ëmbëlsira simbol e 14 Marsit është ballokumja, ndërsa verorja, lidhësja e thurur me fije të bardha e të kuqe simbolizon ardhjen e pranverës. Prej disa vitesh 14 Marsi është kthyer në një Festë Kombëtare.

Shpërndaje në: