



Riviera shqiptare – Parajsa e kaltër e plazheve mbi detin Jon
Riviera shqiptare është zona bregdetare e Shqipërisë, e cila fillon në dalje të qytetit të Vlorës dhe vijon përgjatë bregdetit të thyer të detit Jon, nga Parku Kombëtar i Llogarisë nëpër panoramën frymëmbajtëse të rrugëve gjarpëruese të fshtarave turistike nën shpatet e maleve dhe kodrinave të jugut të Shqipërisë.
Kur nisesh përdrejt Jonit nga Qafa e Llogarasë, 1057 metra mbi nivelin e detit, të shfaqet para syve bukuria befasuese e Rivierës shqiptare, me fshatrat bregdetarë me bukuri ikonike mesdhetare si Palasa, Ilias, Vunoi, Jala, Dhërmi, Himara, Qeparoi, Borshi, Piqerasi, Buneci, Shën Vasili, Lukova dhe më pas Saranda, Ishulli i Tongos dhe ishujt e Ksamilit, për të mos lënë pas Gadishullin e Karaburunit dhe Sazanin. Fshatrat e bukur dhe mikpritës të rivierës u ndërtuan gjatë shekujve midis maleve dhe detit, aty ku vizitorët mund të gjejnë një shtëpi të përkohshme për të shijuar ujërat e mrekullueshme dhe pamjet madhështore të detit Jon.
Nëpër peizazhet e bukura të rivierës krijohen gjire magjepsës, plazhe shkëmbore, intime, me bukuri të spikatur mesdhetare, ujëra të kaltra e të kristalta, të cilat zbukurohen nga kodrinat e mbuluara me bimësi të larmishme.
Vija bregdetare e Jonit është e njohur për ujërat e thella dhe brigjet e saj janë prej shumë vitesh destinacioni kryesor veror i të rinjve dhe adhuruesve të notit e sporteve detare.
Riviera është një destinacion i rëndësishëm i ekoturizmit dhe turizmit elitar në Shqipëri.
Disa nga plazhet dhe gjiret më ikonike të Shqipërisë janë plazhi i Gjipesë, Gramës, Gjiri i Shën Andreut, Gjiri i Inglizit, plazhi i Akuariumit, plazhi i Bunecit, Krorëzës, Kakomesë, e mjaft të tjerë.
Brigjeve të rivierës shqiptare gjen bashkë me plazhet përrallore edhe kala të lashta e objekte kulti tejet të spikatura, të ngritura nëpër qafa malesh e kodrinash. Gjithashtu edhe biodiversiteti dhe fauna nënujore e shpellat unike zbukurojnë brigjet joniane, ku nuk mungojnë pemët e ullirit dhe brezat me portokaj e limonë, tipike brigjeve të Detit Mesdhe.
Riviera shqiptare është ndër destinacionet më të çmuara turistike të Shqipërisë, vendi i plot 300 ditëve me diell, ku parajsa e natyrës të rrëmben për ta dashuruar përgjithnjë.