Voskopoja mistike – thesari kulturor e natyror i Korçës
Voskopoja është një nga fshatrat më të bukur turistikë të Shqipërisë, i cili ndodhet në juglindje të vendit, rreth 24 km larg qytetit të Korçës. E rrethuar nga mali dhe fushat e Moravës, Voskopoja ngrihet mbi një pllajë 1160 metra mbi nivelin e detit. Peizazhi mahnitës dhe kishat e bukura shekullore e bëjnë të paharrueshëm udhëtimin tuaj përdrejt Voskopojës, e vizituar gjatë gjithë vitit nga miliona turistë.
Fshati i Voskopojës është një vendbanim mesjetar i hershëm, që daton prej vitit 1330, që ofron për vizitorët kisha shumë të bukura, si kisha e Shën Nikollës, e Shën Mërisë, e Shën Athanasit, Shën Mikelit dhe Shën Ilias, afresket e të cilave janë pikturuar nga piktorët shqiptarë postbizantinë David Selenicasi, vëllezërit Zografi.
Trashëgimia Kulturore, Intelektuale dhe natyrore nuk janë të vetmet atraksione turistike të Voskopojës, nga e cila nuk duhet kurrë të largohesh pa marrë me vete shijen e mirë të gatimeve tradicionale si lakrorin në saç, qengjin në hell, rakinë e kumbullës, apo dhe mollët starkinke të qytetit, etj.
Fshati Dardhë – magjia frymëmbajtëse e peizazhit dimëror
Fshati Dardhë është një nga fshatrat më interesantë për tu zbuluar gjatë stinës së dimrit, teksa mbulohet me dëborë dhe ofron një bukuri drithëruese. Dardha ndodhet në 1344 metra lartësi, 20 km në juglindje të Korçës e rrethuar nga panorama mbresëlënëse me bukuri të spikatur natyrore dhe shtëpi karakteristike me pllaka guri të hirta e rrugë me kalldrëm.
I shndërruar në një destinacion turistik gjithëvjetor në Dardhë gjen edhe ndërtesa të reja dhe hotele bashkëkohore, të cilët mikpresin mijëra turistë e vizitorë ndër festat tradicionale të fshatit dhe vitit.
“Uji i qelbur”, burimi me vlera kuruese i fshatit Dardhë, me përmbajtje të lartë të squfurit si edhe gatimet e veçanta tradicionale lakrori me dy petë të pjekura në saç, rakia e kumbullës së egër, turshitë e pastermatë janë disa nga vlerat e spikatura që gjeni në fshatin Dardhë.
Gjithashtu mos lini pa vizituar kishat e fshatit dhe pistat natyrore për ski ku gjatë stinës së dimrit mund të përjetoni momente të paharrueshme për gjithë jetën.
Boboshtica
Pesë km në juglindje të Korçës gjendet një tjetër destinacion turistik i Korçës, fshati Boboshticë, i cili spikat me bukurinë e natyrës dhe peizazhin kodrinor e malor.
Ajri i pastër, burimet me ujëra të kulluara, biodiversiteti i pasur, pemët frutore shumëvjeçare si mana, dushku, halorët dhe shumëllojshmëria e bimëve mjekësore janë disa nga pasuritë e këtij fshati të qarkut Korçë.
Boboshtica veçohet edhe për kishat e vjetra të Shën Mërisë, Shën Kollit, Shën Jovanit, Shën Dhimitrit, të cilat mbrohen si Monumente të Kulturës në Shqipëri.
Boboshtica ka një terren të përshtatshëm për ecje sportive, alpinizëm, vrapim, hedhje me parashutë, çiklizëm, etj. Boboshtica është e njohur për prodhimin e rakisë së manit, një traditë që trashëgohet prej shekujsh.
Rehovë, Ersekë
Rehova piktoreske, shtrihet në rrëzë të malit të Gramozit dy kilometra larg Ersekës. Ajo njihet si si fshati i gurtë, i shtëpive shpinë më shpinë, ku çdo ndërtesë është me sokak dhe spikasin portat historike të njohura nën emërtimin “Rruga e portave”, pjesë e Qendrës Historike të Rehovës.
Ky fshat është destinacion kulturor, i cili nuk duhet humbur. Bujtinat kanë ruajtur identitetin arkitektonik me elementë të gurit dhe të drurit, punuar me mjeshtëri për t’u ofruar turistëve komoditet dhe traditë. Ushqimet tradicionale që preferohen janë dredhaniku me arra e petulla të fshira,petkat, çorba, roshnicat etj . Ky fshat po tërheq çdo vit e më shumë turistë, të cilët preferojnë të zbulojnë shijet e kulinarisë vendase.
Tushemisht, Pogradec
Buzë lumit magjepsës të Drilonit gjendet fshatit turistik Tushemisht, disa km larg qytetit të Pogradecit.
I zgjedhur si një nga 100 fshatrat turistikë të Shqipërisë, Tushemishti të dhuron një panoramë të bukur fshati me shtëpi të vjetra qindravjeçare si dhe site tërheqës për tu vizituar si kisha e Shën Pandelimonit apo shtëpia e “Teto Ollgës”, ku ndodhet edhe busti kushtuar aktores Violeta Manushi. Një monument natyror i fshatit Tushemisht është Driloni, një burim natyror lumor, pjesë e Parkut të mbrojtur kombëtar, në pjesën shqiptare të Liqenit të Ohrit.
Natyra e mrekullueshme plot gjelbërim, ujëra të pastra qelibar dhe qetësia që të rrëmben janë disa nga vlerat e rralla që shumëkush mund të jetojë në fshatin Tushemisht.
Kjo zonë njihet gatimet e shijshme të koranit, si dhe zahiretë e dimrit, reçelet e glikotë e shijshme plot aromë.
Libofshë, Fier
Buzë deltës së Semanit gjatë bregdetit Adriatik ndodhet fshati i rrallë turistik, Libofsha, i banuar sipas studiuesve, që në kohërat e lashta të neolitit. Në këtë fshat gjenden 15 kisha të bukura, katër prej të cilave gëzojnë statusin Monument Kulture të mbrojtura nga shteti. Kishat historike të Libofshës me stil arkitekturor të veçantë janë kisha e bukur e Shën Gjergjit, në lindje të fshatit; kisha e Shën Kollit në Vanaj e ndërtuar në vitin 1777; kisha e Shën Mërisë e ndërtuar në vitin 1782, pjesë e manastirit të Kolkondasit, i ndërtuar në vitet 1814-1815 nga Ali Pashë Tepelena për nder të murgut Kozma. Në këtë manastrir pranë fshatit Kolkondas zhvillohet çdo 24 gusht festa dhe panairi lokal i zonës. Libofsha njihet gjithashtu si fshati i shkollës së parë shqipe në Myzeqe.
E pozicionuar buzë Semanit, Libofsha bart edhe potenciale të turizmit bregdetar. Vija bregdetare e Adriatikut që lag këtë fshat është përreth 8 km e gjatë dhe përgjatë tij përveç lumit Seman krijohen edhe ligatina si meandrat e bukura plot penelata të Semanit si dhe plazhe të këndshme, ku veçohet ai i Ndërnënasit.
Vizitorët e shumtë që vijnë në Libofshë, përvec kulturës dhe historisë zbulojnë edhe ushqimin tradicional bio të fshatit.
Nepravishtë, Gjirokastër
Përballë fushës së bukur të Drinos, Malit të Gjerë dhe zonës së Dropullit të poshtëm, gjendet fshatit Nepravishtë, që ngrihet nën këmbët e malit të Buretos.
Shtëpitë e fshatit Nepravishtë janë ndërtuar mes pemësh dhe rrethohen me kopshte të bukur, ballkone me avlli e vazo me trëndafila. Nëpër përrenjtë që zbresin nga mali janë krijuar katër lagje si lagjia e Sipërme, Kapsaqi, Lagjia e Poshtme, Lagjia e qendrës së fshatit.
Nepravishta ndodhet 20 kilometra nga Gjirokastra, dhe është fshati më i madh i krahinës së Libohovës. Ky fshat ofron disa atraksione për t’i vizituar si Kalaja e Melanit, Teqeja e Melanit dhe Kisha Paleokristiane e Manastirit, e cila tërheq vizitorë nga e gjithe Shqipëria.
Burimi i Nepravishtës ose i Vrizit është shumë i njohur për të gjithë vizitorët, ndërkohë vitet e fundit po gjen përhapje agrobiznesi.
Zvërnec, Vlorë
I strehuar mes pishave të larta gjendet Zvërneci, 10 km në veriperëndim të qytetit të Vlorës. Ky ishull i vogël i Vlorës mund të arrihet duke ecur përmes një ure druri 270 metra e gjatë, që të mundëson një takim unik me natyrën. Ura është ndërtuar përgjatë viteve të fundit dhe ndahet në dy shtigje rreth mesit të rrugës, ku njëri syresh të çon në manastirin e vjetër dhe i dyti në oazin, ku vizitorët mund të kundrojnë zogjtë dhe të peshkojnë pranë lagunës së gjerë.
Manastiri është një nga veprat më mbresëlënëse të trashëgimisë kulturore dhe fetare. Të Shqipërisë. Ndërtimi i tij mendohet të ketë ndodhur mes shek. të XII-XIII dhe karakterizohet nga stili arkitekturor bizantin. Manastriri ngrihet mbi një truall piktoresk në ishullin e Zvërnecit, buzë lagunës së Nartës. Pylli i Zvërnecit është monument natyre me një siperfaqe prej disa hektarësh. I gjithë kompleksi me pemë të larta është mbresëlënës në fushën e studimeve shkencore, pasi konsiderohet si habitat i pasur për lakuriqin e natës.Zvërneci është një fshat I cili mikpret një numër të madh turistësh nga e gjithë bota për atraksionet që ofron .
Fshati i bregut, Dhërmi
Aty ku shpatet e malit të Vetëtimës (Akrokeraune) puthen me detin Jon ngrihet fshati i bukur i Dhërmiut, një nga atraksionet elitare të rivierës shqiptare, që gjeneron turistë çdo sezon veror. Dhërmiu magjeps me natyrën e tij të gjelbëruar plot me pemë ulliri e portokaj, plazhet e thella blu të detit Jon, shtëpitë e bukura me pllaka guri dhe çatitë e kuqe. Fshati tipik mesdhetar, pjesë e krahinës së Himarës, përbëhet nga tri lagje Kondraqa, Gjileka dhe Dhërmiu. Në kodër ndodhet edhe manastiri i Shën Theodhorit.
Ndër thesaret e kaltër të Dhërmiut, të synuara nga vizitorë vendas e të huaj çdo vit e më shumë, veçojmë plazhin Alevrat, një gji i vogël shkëmbor me ujë të kristaltë; Shpellën mesjetare të Piratëve, për të cilën shkroi shkrimtari ynë Petro Marko; gjirin e mahnitshëm të Gjipesë me rërë të bardhë të imët si dhe plazhin e Gramës, një tjetër margaritar i rivierës joniane.
Në udhëtimin përgjatë Rivierës Shqiptare mes Llogarasë, Dhërmiu ndodhet 210 km nga kryeqyteti Tirana, 52 km në jug të Vlorës dhe 72 km në veri të Sarandës.
Fshati bregdetar Lukovë
Mes dy kodrinave të veshura me plantacione ullinjsh e portokajsh, gjendet Lukova e bukur, një nga fshatrat karakteristikë të rivierës joniane, e cila ndodhet mes Sarandës dhe Himarës, 30 minuta larg secilit prej dy destinacioneve turistike të Shqipërisë së jugut.
Bregdeti i saj strehon një numër të madh plazhesh të vogla intime me pamje unike dhe të rrethuara me pyje e kodra të gjelbëruara, që rrinë në harmoni të plotë me ngjyrën e kaltër të detit Jon.
Banesat e fshatit lidhen me rrugë me plazhet dhe shpellat, ndërsa rrugët karakteristike të çojnë në oborret me pjerrgulla e lule të banesave të larta të fshatit. Në qendër të fshatit mund të vizitoni kishën e Shën Thanasit, Një nga thesaret e trashëgimisë së Lukovës është Kisha e Shën e Premtes, e tipit bazilikë, e cila është ndërtuar mbi një kodër,
Klima bregdetare e Lukovës gërshetohet mrekullisht me natyrën e saj dhe peizazhet përrallore ku dallgët e Jonit vallëzojnë mbi shkëmbinjtë. Fshati bregdetar Lukovë është një nga destinacionet turistike më të preferuara përgjatë gjithë sezonit veror, pasi vija e saj bregdetare është ende e paprekur dhe e pazbuluar masivisht.
Aty ku shpatet e malit të Vetëtimës (Akrokeraune) puthen me detin Jon ngrihet fshati i bukur i Dhërmiut, një nga atraksionet elitare të rivierës shqiptare, që gjeneron turistë çdo sezon veror. Dhërmiu magjeps me natyrën e tij të gjelbëruar plot me pemë ulliri e portokaj, plazhet e thella blu të detit Jon, shtëpitë e bukura me pllaka guri dhe çatitë e kuqe. Fshati tipik mesdhetar, pjesë e krahinës së Himarës, përbëhet nga tri lagje Kondraqa, Gjileka dhe Dhërmiu. Në kodër ndodhet edhe manastiri i Shën Theodhorit.
Ndër thesaret e kaltër të Dhërmiut, të synuara nga vizitorë vendas e të huaj çdo vit e më shumë, veçojmë plazhin Alevrat, një gji i vogël shkëmbor me ujë të kristaltë; Shpellën mesjetare të Piratëve, për të cilën shkroi shkrimtari ynë Petro Marko; gjirin e mahnitshëm të Gjipesë me rërë të bardhë të imët si dhe plazhin e Gramës, një tjetër margaritar i rivierës joniane.
Në udhëtimin përgjatë Rivierës Shqiptare mes Llogarasë, Dhërmiu ndodhet 210 km nga kryeqyteti Tirana, 52 km në jug të Vlorës dhe 72 km në veri të Sarandës.
Fshati bregdetar Vuno
Vunoi, një nga margaritarët e bregut të Jonit, është një fshat i vogël turistik bregdetar, i cili ndodhet në jug të qytetit të Vlorës. I vendosur mbi kodër, gjatë udhëtimit nëpër rrugët me kalldrëm të fshatit mund të gjesh strehë pranë shtëpive të gurta si dhe të vizitosh kishën historike të Shën Kollit apo kishën e Shën Mërisë në qendër të fshatit.
Zona përreth Vunoit është e mrekullueshme për shëtitje lart në mal përtej fshatit, ose ndanë rrugës drejt kanionit të Gjipesë, ku natyra magjike të mbërthen dhe të mban frymën pezull.
Dy plazhet më të afërta kur zbret Vunoin janë Plazhi i Gjipesë dhe i Jalës, perla të rivierës shqiptare.
Thethi – fshati në zemër të Alpeve të Shqipërisë
Thethi është fshati me bukuri të rrallë, i cili ndodhet në zemër të Alpeve të Shqipërisë.
Ky fshat shtrihet në pjesën më veriore të luginës së Shalës dhe shtatëdhjetë kilometra larg nga qyteti i Shkodrës. Lugina e lartë e Thethit, një nga zonat më të veçanta të Alpeve të Shqipërisë ka qenë “lokomotiva” e promovimit të fshatrave të tjerë ndër alpe dhe e tërheqjes së turistëve çdo vit e më shumë.
Bukuritë e papërsëritshme të këtij fshati malor bëjnë që të zërë një vend të rëndësishëm në natyrën dhe turizmin shqiptar. Për të shkuar në Theth duhet të kaloni në Qafën e Tërthores me lartësi 2000 m, dhe më pas të zbrisni në Gropën e Thethit, duke kaluar përroin me të njëjtin emër. Gjatë udhëtimit panorama magjepsëse malore të lë pa frymë dhe të apasionuarit e fotografisë gjejnë rrethepërqark shtigje të denja për fotografik.
Disa nga atraksionet e Thethit janë Ujëvara dhe kanioni i Grunasit, Ujëvara e Thethit, burimet e mahnitshme me ujë të ftohtë të Okolit, shpellat dhe mali i Harapit, Birat e Rrathëve, etj.
Nisur nga veçoritë dhe vendndodhja pranë kufirit, Thethi ka shërbyer si një pikënisje e ndërtimeve të para në shërbim të turizmit. Bujtina e ndërtesa alpine janë ndërtuar në këtë fshat turistik që presin vizitorë të shumtë nga e gjithë Shqipëria dhe Europa.
Valbona mrekullia e Alpeve
Fshati Valbonë është i vendosur mes grykave të thepisura, buzë lumit të Valbonës, mes malit të Kollatës e dhe atij të Jezercës, në një lartësi prej 810 metrash mbi nivelin e detit. Lugina e Valbonës i shpallur Park Kombëtar është pa dyshim një ndër atraksionet më të preferuara turistike në Shqipërinë e veriut. Ky fshat ofron një peizazh me bukuri të rrallë dhe ajër të pastër. Lumi i Valbonës, që kalon nëpër fshat dhe vetë lugina e Valbonës tërheqin shumë vizitorë, gjë që e ka shtuar fshatin Valbonë në hartën e destinacioneve më të bukura të turizmit malor në Shqipëri.
Fshati Shishtavec, margaritari brenda Parkut Kombëtar Korab – Koritnik
Shishtaveci, është fshati turistik 30 km larg Kukësit, një margaritar natyror, i cili vitet e fundit është ndër destinacionet më të preferuara të turizmit malor. Stina e dimrit, e cila e vesh fshatin me bardhësi është periudha më e bukur për të vizituar Shishtavecin. Peizazhet e veçanta, kullotat e gjelbëruara alpine, pyjet dhe monumentet e natyrës, si Guri i Mëngjesit, Guri i Shqipes, Liqeni Novosejit, Mali i Kallabakut apo Bjeshkët e Shishtavecit, janë disa nga atraksionet natyrore magjepsëse të fshatit Shishtavec.
Bjeshkët e Shishtavecit gjatë stinës së dimrit janë shumë të përshtatshme për zhvillimin e sportit të skive.
Radomirë, fshati rrëzë malit të Korabit
Fshati Radomirë i vendosur rrëzë malit të Korabit është në listën e 100 fshatrave turistikë të Shqipërisë. Radomira ndodhet 35 km larg Peshkopisë, në malësinë e Dibrës. E rrethuar nga një natyrë përrallore me pyje të dendur, kullota alpine me ajër të pastër, burime ujore, mes të cilëve Liqeni i Zi, të cilat janë burime të paçmuara për zbulimin e Radomirës si një destinacion turistik gjithëvjetor.
Fshati ështe pjesë e shtigjeve malore më të rëndësishëm përgjatë vargmalit Deshat – Korab, i cili fillon nga Maqellara e deri në dalje të Kalasë së Dodës, një vend i denjë për sportin e hiking. Gjatë dimrit fshati qëndron i mbuluar me dëborë për javë të tëra, e cila bën të mundur shfrytëzimin e shpateve malore për ski. Hiking, trekking, shëtitje e mbledhje bimësh medicinale, shëtitje me kuaj, apo vrojtim zogjsh janë disa nga format e argëtimit gjatë qëndrimit në Radomirë, ku mes parajsës së luginave shumëngjyrëshe rrethepërqark me maja madhështore do të dëgjoni gurgullimën e bukur të përrenjve.
Razma, oazi i qetësisë mes pyjeve me pisha dhe majave madhështore
Vetëm 45 minuta teksa lë pas Shkodrën, arrin në fshatin Razëm. Bukuritë natyrore do të filloni t’i shijoni që në udhëtimin nëpër rrugët e ngushta që gjarpërojnë mes maleve. Malet, pyjet dhe lumenjtë krijojnë një horizont të pazakontë plot bukuri dhe energjidhurues.
Në disa zona të Razmës mund të gjeni disa shtëpi pushimi në mes të pyjeve me pisha, të cilat rrethohen nga majat e larta të alpeve shqiptare. Ky destinacion është ndër më të preferuarit nga turistët vendas e të huaj, të cilët grishen prej natyrës së virgjër si në përrallë, ajrit të pastër dhe mikpritjes së banorëve të fshatit, që e kanë promovuar Razmën si një vend të preferuar për të kaluar jo vetëm ditët e nxehta të verës, por për ta vizituar në çdo stinë.
Fshati Lëpushë, kryevepra natyrore e Alpeve Shqiptare
Sa më në thellësi të alpeve të hyni aq më shumë bukuri të rralla natyrore do të gjeni. Fshati Lëpushë në lartësinë mbi 1260 m, ndodhet në bashkinë Këlmend të Malësisë së Madhe, një ndër krahinat më të mëdha e më të bukura të Shqipërisë veriore, pranë kufirit me Malin e Zi. Ky fshat vitet e fundit është njohur dhe promovuar më shumë se kurrë nga turistë vendas e të huaj, të cilët pasi e vizitojnë njëherë kthehen aty përsëri. Lëpusha është një fshat i vogël, por shëtitja përmes tij është një kënaqësi e cila përjetohet vetëm aty. Edhe gjatë stinës së verës në Lëpushë ende mund të gjesh gjurmë dëbore të pashkrirë. Ky fshat gjendet mes një zone me male të larta e të thepisura, kullota të gjelbra dhe pyje, në të cilët shtëpitë janë kthyer në bujtina dhe ofrojnë çdo shërbim për udhëtarët. Në ambjentet e jashtme të bujtinave pronarët e tyre kanë vendosur vatra zjarri, të cilat gjatë mbrëmjeve ndizen dhe ftojnë të gjithë vizitorët të kalojnë bashkë çaste të bukura e të paharrueshme, duke biseduar, kënduar, kërcyer, e shkëmbyer batuta.
Lëpusha është një vend i mrekullueshëm me potenciale të larta për zhvillimin e turizmit malor, për alpinizëm, rrëshqitje mbi borë, për hulumtimin e florës dhe faunës që strehohet në këtë zonë.
Kallmet – fshati i lashtë në fushën e Zadrimës
Fshati Kallmet, në rrethin e Lezhës shtrihet nën vargmalin e Velës dhe fushën e Zadrimës. Kallmeti është një vendbanim i lashtë, pasi në të gjithë shtrirjen e fshatit janë bërë zbulime arkeologjike, të cilat dëshmojnë që fshatit ka qenë i banuar që nga periudha e gurit të ri e deri në antikitetin e vonë. Kultura, veshjet, prodhimet zonale e kanë prezantuar këtë fshat si një njësi etnografike të veçantë në rrethin e Lezhës. Në Kallmet gjeni edhe monumente kulturore siç është Kisha e Eufemisë, një vend i shenjtë i shekullit XIII, i cili vizitohet nga besimtarë të krahinave veriore të Shqipërisë.
Shëngjergji, magjia e gjelbër pranë kryeqytetit
Shëngjergji një nga bukuritë natyrore të Malësisë së Tiranës ndodhet rreth 40 km larg kryeqytetit. Fshatit është i bekuar me një panorama të mrekullueshme me terrene të gjelbëruara kodrinore dhe reliev malor, mbi shtratin e lumit Erzen dhe rrethuar nga Mali me Gropa. Zona e Shëngjergjit është e pasur me burime të shumta ujore dhe liqene, të cilat grishin të apasionuarit e natyrës ta vizitojnë. Fshati Shëngjergj, i cili është vetëm një orë larg Tiranës është sot një nga atraksionet kryesore të kryeqytetit me potencial përdrejt zhvillimit të turizmit malor, sportive dhe familjar. Rrotull fshatit ka shumë kisha dhe fshatra, të cilët dhe mbajnë emrat e dhjetra shenjtorëve. Gjatë qëndrimit në fshatin Shën Gjergj keni një listë të gjatë me atraksione, të cilat nuk mund t’i lini jashtë rrugëtimit tuaj, siç janë Ujëvara e Shëngjergjit, Rrënojat e Kështjellës së Shëngjergjit, Kalaja e Shën Gjergjit, Shpella e Valit, dhe Mali me Gropa.
Petrela – destinacioni turistik mbi luginën e lumit Erzen
12 km larg Tiranës, në juglindje të kryeqytetit ndodhet fshati turistik Petrelë. mbi rrugën kombëtare Tiranë-Elbasan. Fshati shtrihet në të dy anët e luginës së lumit Erzen, duke ofruar një panoramë mbresëlënëse. Territori i Petrelës kufizohet në lindje me malin e Dajtit, në jug me fshatin Bërzhitë, në perëndim fshatin Baldushk dhe në veri me fshatin Farkë. Zona e Petrelës karakterizohet nga një klimë tipike mesdhetare me një biodiversitet të pasur. Fshati Petrelë gëzon një kontrast të mrekullueshëm të natyrës ku ndërthuren fusha, kodrina e lugina. Përgjatë lumit Erzen dhe kodrave aty rrotull janë ngritur restorante dhe resorte turistike, ku gjatë stinës së verës mund të kridhesh në ujërat e lumit, të bësh banjo dielli duke shijuar natyrën e bukur si dhe të ushtrosh aktivitete e sporte ujore.
Atraksioni më i rëndësishëm turistik i fshatit është Kalaja mesjetare e Petrelës, e ndërtuar mbi një kodër të thepisur, nga e cila dikur kontrollohej rruga e lashtë Egnatia. Kalaja e Petrelës është një kompleks turistik i shumëvizituar nga turistë vendas e të huaj. .
Destinacione turistike pranë fshatit janë edhe Tyrbja e Nuses, Vendbanimi antik i Përsqopit, apo Lapidari i Petrelës, ku ndërthuren trashëgimia shekullore dhe tradita në ndërtesat e ruajtura qindravjeçare.
Gjinari, “xhevahiri” natyror i Elbasanit
Gjinari gjendet në juglindje të qytetit të Elbasanit, 24 km larg tij, dhe i arritshëm përmes rrugës automobilistike Elbasan – Gjinar.
Fshati Gjinar rrethohet nga një peizazh malor, ku gërshetohen pyjet, natyra e bukur dhe trashëgimia kulturore e kulinare. Pasuritë natyrore të fshatit Gjinar e kanë ridimensionuar atë si xhevahirin natyror të qytetit të Elbasanit.
Gjinari prej vitesh tërheq mijëra vizitorë në të katër stinët e vitit pasi ofron mundësi argëtimi të shumta si hiking, camping, ekspedita studimore apo sporte të ndryshme si rally-it etj.
Disa nga atraksionet e trashëgimisë kulturore të fshatit janë Mali i Bukanikut, destinacion për sportin e hiking; kisha e Shën Kollit, për afresket e të cilës punoi ikonografi më i njohur shqiptar Onufri; Kisha e Valeshit apo Kisha e Shën e Premtes; Kisha e Gjinarit, apo edhe monumentet e natyrës si Dushku i Lleshanit, pemë shekullore, e mbrojtur nga shteti; kanionet e Valeshit e të Seltës.