Shqipëria “Vend Nderi” e ITB Berlin 2025

Ngjarje e rëndësishme e Panairit më të madh Ndërkombëtar të Turizmit, ITB Berlin 2024 ishte shpallja zyrtarisht e Shqipërisë “Vend Nderi”, i ITB Berlin 2025” (Albania – ITB Berlin 2025 Host Country).

Marrëveshja zyrtare u nënshkrua në Berlin, në stendën e Shqipërisë, nga Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro dhe CEO i “Messe Berlin”, Mario Tobias.

Ministrja Kumbaro u shpreh se kjo marrëveshje kurorëzoi punën e gjatë dhe angazhimin serioz të Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit për të prezantuar potencialin turistik të Shqipërisë në aktivitetet e rëndësishme ndërkombëtare të Turizmit.

Kjo marrëveshje fuqizon rolin e Shqipërisë në nivel pjesmarrës dhe në organizimin e agjendave të nivelit të lartë të eventeve të rëndësishme globale siç është ITB Berlin, të cilat promovojnë ndërkombëtarisht imazhin e Shqipërisë. Gjithashtu parashikon një program njëvjeçar promovimi, i cili përfundon në marsin e vitit 2025, duke e kthyer vendin tonë në epiqendrën dhe temën e eventit më të rëndësishëm botëror të turizmit dhe turoperatorëve që mbahet çdo vit në Berlin.

Në Berlin, u nënshkrua edhe marrëveshja për organizimin e mbledhjes së 70-të të Komisionit për Evropën të UNWTO në Tiranë, në datat 7-9 prill, nga  Ministrja e Turizmit, Mirela Kumbaro dhe Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Turizmit, Zurab Pololikashvili.

Gjatë Panairit të Berlinit, potenciali turistik i Shqipërisë u prezantua nën logon dhe sloganin e ri “Albania All Senses” (Të gjitha ndjesitë dhe shijet e Shqipërisë) nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit dhe Agjencia Kombëtare e Turizmit.

Shtatë bashki me potencial të lartë turistik promovuuan bukuritë e natyrës dhe atraksionet unike të qyteteve të tyre, ndërsa 26 turoperatorë shqiptare ofruan paketa turistike nëpër destinacionet e Shqipërisë për vizitorët, bizneset dhe agjencitë e interesuara.

Gjatë tri ditëve të panairit dhe një morie prezantimesh në stendë nga i gjithë ekipi përfaqësues, Shqipëria arriti të përcjellë në kryeqytetin e Gjermanisë potencialin turistik të vendit bashkë me ndjesitë më të bukura dhe shijet, që kjo aventurë i dhuron çdo shtegtari të apasionuar.

Shpërndaje në: