


Adriatiku, Parajsa e artë e Mesdheut në Perëndim të Shqipërisë
Deti Adriatik, pjesë e Detit Mesdhe, është njëri prej dy deteve, që lag brigjet e Shqipërisë në Perëndim dhe kufiri detar, i cili e lidh vendin tonë me bregdetin lindor të Italisë dhe jugun e Kroacisë. Përgjatë tij bregu është kryesisht ranor. Në Detin Adriatik derdhen shtatë lumenj, që rrjedhin përmes tokave shqiptare si: Drini i Bardhë, Drini i Zi, Vjosa, Buna, Mati, Shkumbini dhe Semani.
Brigjet e Adriatikut kanë një vijë bregdetare të pandërprerë prej 450 km (ku përfshihen edhe lagunat), një bregdet që përfundon në Gjirin e Vlorës, aty ku nis deti Jon dhe riviera shqiptare. Gjatësia totale e vijës bregdetare të Adriatikut është afërsisht 274 kilometra (170 mi), 178 kilometra (111 mi), nga të cilat u takojnë plazheve me rërë të bardhë dhe pjesa tjetër lagunave të ndryshme tokësore të bregut të detit. Plazhet ranore dhe të cekëta të Adriatikut janë oaze të bukura e të natyrshme për pushime familjare.
Për të gjithë të apasionuarit e turizmit, që dëshirojnë të zbulojnë brigjet e ngrohta të Adriatikut mund të përzgjedhin plazhet e Velipojës, Tales, Shëngjinit, Durrësit, Golemit, Spillesë, Divjakës, Darëzezës dhe plazhi i vjetër i Vlorës, midis thesareve ujore të Shqipërisë.
Vrojtuesit e shpendëve të rrallë dhe ata që interesohen për ekoturizmin parajsën e tyre studimore e gjejnë në lagunat e pasura të bregdetit Adriatik si edhe ekosistemet e mbrojtura natyrore, në zonën e Divjakës dhe Karavastasë, në lagunën e Godullës, lagunën e Kune Vainit në Lezhë, liqenin e Shkodrës në veri dhe lagunën e Nartës në jug, etj.
Plazhi i Velipojës, plazhi më verior në Shqipëri, gjendet 22 km larg qytetit të Shkodrës, Ai preferohet më së shumti nga vendasit si edhe shqiptarët e e trojeve të Kosovës e Maqedonisë së Veriut. Velipoja ka një breg prej 4 km me rërë cilësore, e cila e bën këtë plazh tejet të përshtatshëm për familjet me fëmijë.
Në jug të Velipojës gjendet plazhi i Shëngjinit, një tjetër breg ranor, që ndodhet pesëmbëdhjetë minuta larg me makinë nga qyteti historik i Lezhës. Me rërën të imët si edhe me 200 – 300 ditë me diell në vit, plazhi i Shëngjinit është një vend tjetër i preferuar në këtë zonë.
Në veri të Shëngjinit dhe i mbrojtur nga erërat e zonës nga një kurorë kodrash, vizitorët do të zbulojnë plazhin e mrekullueshëm të Ranës së Hedhun, parajsa detare e Adriatikut.
Me rërën e bardhë dhe ujërat e bruzta, Gjiri i Lalëzit është një zonë magjepsëse plot me plazhe tërheqëse, që zbukurohen nga korije me pisha. Lalëzi shtrihet midis Kepit të Bishtit të Pallës dhe Kepit të Rodonit.
Kepi i Rodonit është një kryevepër e natyrës me gjatësi 7.5 km, veçanërisht tërheqës për të apasionuarit e sportit të zhytjes. Plazhi më i madh dhe më i frekuentuar në vend është plazhi i Durrësit, vetëm 39 km larg Tiranës, kryeqytetit të Shqipërisë.
Plazhi i Durrësit ka brigje të cekëta, ku thellësia e detit nis e rritet shumë gradualisht. Kjo e bën plazhin shumë të sigurt për familjet, që pushojnë buzë detit me fëmijët. Durrësi krenohet me disa plazhe, ku spikasin tre nga më të njohurit: Plazhi i Currilave, në veri të Durrësit, ku deti është pak më i thellë dhe i mbrojtur nga puhia e ngrohtë që fryn nga toka. Në jug të Durrësit, vizitorët mund të zgjedhin midis dy plazheve të njohura, plazhit të Golemit dhe të Malit të Robit, ku rëra dhe uji janë tipike për plazhet përreth zonës së Durrësit.
Qyteti i Vlorës është një nga zonat turistike më mbëresëlënëse të vendit, me plazhet e tij të rigjallëruara me hotele, bare, kafene, restorante dhe klube moderne. Më në jug, do të gjeni edhe portin e Orikumit, ku së fundmi është ndërtuar edhe një port jahtesh.
Restorantet përgjatë vijës bregdetare të Adriatikut do t’ua bëjnë të paharrueshëm qëndrimin tuaj në Shqipëri, pasi ato ofrojnë një shumëllojshmëri kuzhinash e gatimesh, ku përfshihen edhe receta të shkëlqyera shqiptare.
Gjatë bregdetit të Adriatikut shtrihet Ultësira Bregdetare, zona më e rëndësishme industriale e bujqësore e vendit. Në të gjenden portet kryesore të Shqipërisë, i Durrësit, i Vlorës dhe i Shëngjinit, ujëra të pasura me shumë lloje peshqish, dhe burime të pasura për nxjerrjen e kripës.
Bregdeti i Adriatikut është kthyer në një ndër destinacionet kryesore turistike të Shqipërisë falë infrastrukturës dhe shërbimeve që ofron dhe sidomos afërsisë me kryeqytetin Tiranë.