test

Butrinti, magjia e arkeologjisë dhe mikrokozmosi i Mesdheut

Parku Kombëtar i Butrintit është një nga zonat më të rëndësishme arkeologjike të trashëgimisë kulturore, e turistike të vendit tonë, dhe të rajonit të Mesdheut. Ai ndodhet në jug të Shqipërisë dhe kufizohet në veri me fshatin Berdenesh – Kallmit –Qenuri, në zonën e Vurgut; në lindje me fshatrat Qenuri-Xarrë, duke kaluar nëpër kurrizin e malit të Milesë; në jug me fshatrat Xarrë – Shëndëlli – Vrinë, deri në kepin Stillo; ndërsa në perëndim përmes rrugës nga Berdeneshi përfshi edhe ishujt e Ksamilit shkon deri në kufirin shtetëror me Greqinë.

Në zemër të parkut ndodhet qyteti antik i Butrintit, ku ndërthuren bashkë historia dhe natyra, arsye që e bën Butrintin të jetë një ndër sitet arkeologjike më të vizituara në çdo stinë të vitit nga studiues, turistë të huaj, e vizitorë vendas.

Butrinti është përshkruar si një mikrobotë e historisë së Shqipërisë. Nga vendosja e tij strategjike, Butrinti zë fill në historinë e Mesdheut, që nga lufta e parë e Peloponezit në shekullin e 5-të para Krishtit. Monumentet e tij të ndërtuara gjatë periudhave të ndryshme historike pasqyrojnë këtë histori të gjatë dhe komplekse. Butrinti, Buthrotum-i antik gjendet pranë qytetit jugor të Sarandës dhe shtrihet rreth 3 km nga ngushtica e Korfuzit, i vendosur në një kodër të vogël, rrethuar nga ujërat e liqenit të Butrintit, që lidhen me detin Jon nga kanali i Vivarit.

Sot, rrënojat e shumta arkeologjike të Butrintit dëshmojnë për të shkuarën e tij të pasur. Një çekan guri dhe një bosht, që i përkasin gjysmës së dytë të mijëvjeçarit të dytë p.e.s., janë objektet më të vjetra të gërmuara në zonën arkeologjike.

Butrinti ka qenë pjesë e të dhënave të shkruara që nga shekulli VI para Krishtit, kur historiani i lashtë grek Hekateus e përmendi për herë të parë qytetin në veprën e tij, duke shkruar se Butrinti ishte projektuar sipas Trojës. Sipas Hekateut, emri origjinal i Butrintit, Buthrotos, i referohet demit të flijuar nga princi trojan Enea në rrugën e tij për në Dodona. Në periudhën e hershme të historisë së tij, Butrinti ishte zonë e fiseve kaone, që më vonë do të përfshiheshin në mbretërinë e Epirit.

Gërmimi i parë i thelluar i Butrintit dhe zonës përreth u drejtua nga arkeologu italian Luigi Ugolini midis viteve 1926 dhe 1936. Duke u fokusuar në Butrint dhe në vendbanimin e afërt grek të Finiqit, Ugolini zbuloi një thesar të vërtetë; një batizier, një teatër, një bazilikë, banja publike, një gjimnaz, porta, mure kështjelle, një tempull kushtuar Minervës, si dhe një numër të konsiderueshëm shtëpish, objektesh që dëshmojnë për historinë e saj pjellore.

Rrënjët greke dhe romake të Butrintit janë të dukshme në objektet e jashtëzakonshme të gjetura rreth amfiteatrit: një statujë e Apollonit, një tjetër e perëndeshës së Butrintit, një portret i Agripës, kokat e Zeusit dhe Livias, midis shumë epigrafeve latine dhe greke.

Disa kulla të ndërtuara gjatë periudhës kur venecianët kontrollonin hyrjen në këtë zonë, qëndrojnë ende në këmbë. Aty pranë, vizitorët mund të eksplorojnë edhe kalanë trekëndore të Vivarit, e ndërtuar nga Ali Pashë Tepelena, sundimtari shqiptar, në fillimin e viteve 1800.

Në vitin 1992 Butrinti u pranua si vendbanimi i parë arkeologjik i Shqipërisë në listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s. Në vitin 2000, Butrinti u shpall Park Kombëtar në mbrojtje të shtetit dhe UNESCO zyrtarisht zgjeroi sipërfaqen e tij nga 20 ha, që kishte qenë më parë në 29 km². Emërtimi si Park Kombëtar u bë me qëllim mbrojtjen dhe konservimin e monumenteve historike dhe trashëgiminë e pasur mjedisore.

Për më shumë informacion klikoni https://www.butrint.al/eksploro-butrintin

Lini, vendbanimi i hershëm europian buzë liqenit të Ohrit

20 km larg qytetit të Pogradecit, në brigjet perëndimore të Liqenit të Ohrit gjendet fshati turistik Lin. Ky fshat sipas studimeve ka qenë i banuar të paktën që nga epoka e hekurit. Gjetjet arkeologjike në kodrën mbi fshatin në ditët e sotme përfshijnë mure themeli dhe mozaikë të një kishe të hershme bizantine, që daton nga shekulli i 6-të.

Rrënojat e kishës paleokristiane të Linit së bashku me mozaikët e saj në dysheme të shekullit IV-V përfshihen në zonën e mundshme të UNESCO-s të Trashëgimisë Natyrore dhe Kulturore të Rajonit të Liqenit të Ohrit.

Në verën e vitit 2023 gjatë një ekspedite gërmimesh një grup arkeologësh shqiptarë dhe zviceranë, në një bashkëpunim mes Institutit të Arkeologjisë, Akademisë së Studimeve Albanologjike me Universitetin e Bernës, dhe me mbështetjen e laboratorëve të Universitetit të Oxford-it, në Mbretërinë e Bashkuar, zbuluan në fshatin Lin një vendbanim palafit 7800-vjeçar.

Arkeologët zviceranë e shqiptarë mendojnë se Lini mund të jetë vendbanimi më i vjetër në Europë. Gjatë gërmimeve po dalin në dritë elemente drusore, të cilët dëshmojnë për mënyrën e ndërtimit dhe arkitekturës, vegla pune prej stralli, enë të ndryshme qeramike, fragmente kocke kafshësh, dhe janë marrë kampione sedimentologjike për analiza të mëtejshme në laboratorë të specializuar.

Lini prej vitesh është kthyer në një nga destinacionet e vizituara gjerësisht nga turistë vendas e të huaj.

Parku Arkeologjik i Apollonisë – Monumenti magjepsës, ku studioi perandori Oktavian

Qyteti antik i Apollonisë ndodhet në jugperëndim të Shqipërisë, 12 kilometra larg qytetit të Fierit dhe brigjeve të lumit Vjosa apo Aous siç njihet në shkrimet e hershme. Apollonia shtrihet mbi një pllajë kodrinore nga ku zgjerohet fusha pjellore e Myzeqesë deri në detin Adriatik dhe dallohen kodrat e Mallakastrës. Rrënojat e Apollonisë u zbuluan në fillimin e shekullit XIX.

Peizazhi magjepsës i parkut arkeologjik është ruajtur në gjendje jashtëzakonisht të mirë. Aty ndërthuren bukur monumentet e natyrës me horizontin tërheqës, duke ofruar një oaz për të kaluar momente çlodhëse e meditimi.

Si qytet, Apolonia u themelua në fillim të shekullit të shtatë para Krishtit nga kolonizatorët grekë që vinin nga Korinti, dhe shpejt u bë një nga qytetet më të shquara në pellgun e Adriatikut, duke u përmendur më shumë sesa tridhjetë qytetet e tjera, që mbanin të njëjtin emër gjatë antikitetit. Qyteti shtrihej në territorin e bashkësisë politike të Taulantëve dhe njihej gjerësisht si Apollonia e Ilirisë. Të dhënat e para të pranisë së tyre janë dokumentuar rreth vitit 588 para Krishtit.

Emrin qyteti e mori për nder të perëndisë Apolon. Fama e qytetit tërhoqi shumë personalitete të perandorisë më të madhe të botës së lashtë, si filozofi dhe oratori i shquar romak Ciceroni, që e shënoi Apoloninë në veprën e tij, “Philippics” magna urbs et gravis (një qytet i madh dhe i rëndësishëm). Gjatë kësaj periudhe, qyteti u bë një nga portat më të rëndësishme të rrugës transbalkanike Via Egnatia, ndërsa në Akademinë e tij të famshme ka studiuar dhe ka kryer stërvitjen ushtarake perandori romak Oktavian, i shoqëruar nga Agripa, gjeneral dhe burrë shteti i shquar i Perandorisë Romake.

Sipas studimeve llogaritet që qyteti të ketë pasur rreth 60 000 banorë, një shifër rekord për periudhën e Antikitetit. Arkeologët e quajnë Apoloninë Pompei i Shqipërisë, pasi vetëm 10% e territorit të qytetit të dikurshëm është zbuluar deri më sot.

Në Parkun Arkeologjik të  Apollonisë shfaqin interes për vizitorët monumenti i Agonotetëve, Odeoni, Biblioteka, muri rrethues, Portiku, vila me impluvium, vila romake me mozaikë, muzeu arkeologjik, Manastirin e vjetër të Shën Mërisë, i cili daton prej shek. XIII dhe Kisha Bizantine e hyjlindëses, e ngritur pranë kopshtit të Manastirit, që daton prej shekullit XIV, etj.

Apollonia është një nga magjitë e turizmit kulturor në Shqipëri. Ajo është lehtësisht e arritshme falë vendndodhjes pranë qyteteve të rëndësishme të Shqipërisë dhe plazheve të bukura të rivierës joniane.

Antigonea, kryeqendra e qytetërimit antik mbi Luginën e Drinos

Pranë fshatit Saraqinisht në krahinën e Lunxhërisë, në lindje të qytetit të Gjirokastrës, gjendet Parku arkeologjik i Antigoneas, një nga qytetet antike më të mëdha në territorin e Shqipërisë. Ai është vendbanimi antik më i rëndësishëm në Luginën e Drinos.

Antigonea ndodhet në një pikë dominuese në kodrën e Jermës, 14 km larg qytetit të Gjirokastrës.

Ky qytet antik u themelua nga mbreti Pirro i Epirit në vitin 295 p.e.s., i cili i vuri qytetit emrin e gruas së tij të parë, Antigone. Në fund të shekullit III dhe fillim të shekullit II p.e.s., ky qytet u shndërrua në një qendër të rëndësishme ekonomike, kulturore dhe politike dhe mori formën e një shteti (polis). Antigonea rrethohej me mure 4000 metra të gjata. Në parkun arkeologjik Antigone ka shumë atraksione për t’u vizituar si: mozaiku, kolonat, shëtitorja, një peshore antike, muret rrethuese etj.

Sipas arkeologëve dhe ekspertëve të lashtësisë, lugina e Drinos në rrethin e Gjirokastrës ka një numër jashtëzakonisht të lartë të objekteve arkeologjike dhe vendbanimeve antike. Deri më tani, janë identifikuar rreth 20 vende, duke përfshirë qytete dhe fortifikime antike, varre monumentale, tempuj antikë dhe teatro. Ato shtrihen nga jugu i skajshëm i luginës në kufi me Greqinë, deri në Lekël në pjesën veriore të luginës. Antigonea është qendra kryesore e qytetërimit antik të zonës.

Shperndaje: