test

Një vështrim i shkurtër mbi etapat e ndryshme të Historisë së Shqipërisë

Gjeneza e çdo kombi është historia. Është historia ajo që daton nga fillimet e ekzistencës së një kombi, e cila i jep kuptim identitetit dhe aspiratave të një vendi.

Kombi shqiptar nuk ka një histori të mbushur me luftra pushtuese kundrejt popujve të tjerë, por historia e Shqipërisë dëshmon për gjurmët e lashta të popullit tonë në rajonin e Evropës Juglindore, si popull autokton dhe mikpritës ndaj kujtdo i larguar nga toka e vet.

Shqipëria konsiderohet si një nga rajonet me gjurmët më të lashta të popullsisë në Ballkan dhe Evropë. Gjetjet e shumta arkeologjike në pjesë të ndryshme të rajoneve shqiptare si ato të Lepenicës në Vlorë, Trenit në Korçë, Xara në Sarandë etj, dëshmojnë për gjurmët e lashta të popullsisë në territorin shqiptar.

Duke studiuar këto objekte arkeologjike, është vërtetuar se vendbanimet e para shqiptare nisën të banohen në mes të periudhës paleolitike (100,000 deri 40,000 vjet para Krishtit). Po kështu, gjatë periudhës së neolitit (6000 – 2600 pes), tregohet një popullsi shumë më e dendur në territoret shqiptare. Kjo është vërejtur në gërmimet arkeologjike të kryera në zonën e Korçës, ku janë gjetur 12 vendbanime, që i përkasin kësaj periudhe.

Popullsia indo-evropiane u vendos këtu në fillim të mijëvjeçarit III para Krishtit. Si rezultat i këtij bashkimi, në Gadishullin Ballkanik u krijua një popullsi e re, pellazgët, e cila ruajti karakteristikat specifike kulturore dhe gjuhësore.

Kjo popullatë e lashtë u bë paraardhësja e ilirëve. Pas rënies së saj në vitin 30 p.e.s, dhe në fund të tre luftrave ilire-romake, Iliria ra nën kontrollin e Perandorisë Romake. Pas ndarjes së Perandorisë Romake (395 pes), Iliria u bë pjesë e Perandorisë Bizantine. Ndonëse ishin nën pushtimin romak, ilirët ruanin gjuhën dhe traditat e tyre për shekuj me radhë. Perandorët e parë bizantinë (Anastasi I, Justin dhe Justinian I) ishin me origjinë ilire.

Sulmet e fiseve migruese barbare (visigotët, hunët, ostrogotët dhe sllavët) vazhduan gjatë shekujve V dhe VI. Në 1344, kur Shqipëria ishte nën sundimin e Mbretërisë Serbe. Pas rënies së saj në luftën kundër Turqisë më 1389, principata e Balshajve, Topiajve, Muzakajve, etj, ishin disa nga principatat më të rëndësishme arbërore.

Kulmi i rezistencës anti-osmane u arrit gjatë viteve 1443-1468, kur heroi kombëtar shqiptar Gjergj Kastriot Skënderbeu udhëhoqi revoltën e shqiptarëve kundër osmanëve.

Gjatë kësaj periudhe, Arbëria u bë një faktor kyç në të gjithë Evropën. Pas formimit të një koalicioni mes principatave arbërore në Lidhjen Historike të Lezhës, mbajtur më 2 mars 1444, Heroi Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, udhëhoqi për 25 vjet rezistencën kundër kërcënimit osman. Prijësi i Arbërve, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu (1405-17 janar 1468) personifikon një epokë të tërë të historisë kombëtare të shqiptarëve, luftën më se njëshekullore të tyre kundër vërshimit osman (fundi i shek. XIV – fillimi i shek. XVI) për mbrojtjen e tokës, të pasurisë e të lirisë. Nën udhëheqjen e tij lufta e shqiptarëve u ngrit në një shkallë të lartë e të organizuar, shënoi një kthesë vendimtare në zhvillimin politik të vendit dhe në forcimin e vetëdijes kombëtare të tyre. Pas vdekjes së Skënderbeut Shqipëria ra nën pushtimin e Perandorisë Osmane për afro pesë shekuj.

Rezistenca Shqiptare vazhdoi gjatë periudhave të mëvonshme, duke u frymëzuar nga lëvizja Illuministe e Rilindjes Kombëtare Shqiptare, e cila u shfaq në shekullin XIX. Lidhja Shqiptare e Prizrenit u shtyp nga Perandoria Osmane në vitin 1881. Kjo lidhje mbeti simbol i zgjimit të shqiptarëve ndaj pushtimit shekullor otoman dhe aspiratave kombëtare, të cilat frymëzuan përpjekjet për pavarësi kombëtare të katër vilajeteve shqiptare.

Revoltat popullore dhe përpjekjet e njëpasnjëshme arritën kulmin e tyre me shpalljen e Pavarësisë Kombëtare të Shqipërisë, më 28 Nëntor 1912. Kuvendi i Vlorës themeloi qeverinë e parë shqiptare të udhëhequr nga Ismail Qemali.

Pak kohë pas rrëzimit të osmanëve nga lidhja ballkanike, u thirr në Londër Konferenca e Ambasadorëve të Fuqive të Mëdha (Gjermanisë, Rusisë, Austro-Hungarisë, Francës dhe Italisë) për të vendosur mbi çështjet e ngritura nga lufta në Ballkan. Konferenca ra dakord të krijohej një shtet i pavarur shqiptar. Por, në vendosjen e kufijve të shtetit të ri, nën trysnitë e forta nga fqinjët e Shqipërisë, Fuqitë e Mëdha nuk e njohën gjerësisht hartën demografike të Shqipërisë dhe disa vilajete të rëndësishëm iu dorëzuan fqinjëve. Fuqitë e Mëdha i imponuan shtetit të ri shqiptar, si kusht për ekzistencën e tij në hartën e Evropës, një princ gjerman, Wilhelm von Wied (Vilhelm Vid). Vilhelm Vidi mbërriti në Shqipëri në mars 1914 dhe u largua vetëm gjashtë muaj më pas. Gjatë Luftës së Parë Botërore, e cila shpërtheu në vitin 1914, Shqipëria u bë një fushë beteje për trupat e ndryshme pushtuese si trupat austro-hungareze, italiane dhe franceze.

Në 28 janar të vitit 1920 u mblodh në qytetin e Lushnjes, Kongresi Kombëtar i Lushnjes, i cili synonte ruajtjen e integritetit territorial të Shqipërisë pas Luftës së Parë Botërore dhe shpalli konsolidimin e themeleve të shtetit shqiptar duke zgjedhur qeverinë e re të kryesuar nga Sulejman Delvina. Përpjekjet e mëdha të patriotëve të kombit, në dhjetor të vitit 1920 sollën si rezultat pranimin e Shqipërisë në “Lidhjen e Kombeve”, e cila njohu Shqipërinë për herë të parë në arenën ndërkombëtare, si shtet vetëvendosës.

Kongresi i Lushnjes e shpalli Tiranën, kryeqytet të Shqipërisë. Në fillim të viteve 1920 shoqëria shqiptare ishte e ndarë midis dy grupimeve politike opozitare. I pari, përbehej prej shtresës së bejlerëve dhe pashallarëve të mëdhenj, pronarë të mëdhenj tokash, intelektualë të shkolluar jashtë vendit, nismëtarë dhe aktorë kryesorë politikë dhe ekonomikë në shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë. Ndërsa i dyti përbëhej nga tregtarë progresistë dhe politikanë me prirje demokratike të kohës, me orientim politik të majtë. Ky grupim udhëhiqej nga Fan Noli, i cili ishte një peshkop ortodoks i edukuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pas një periudhe trazirash politike në vitin 1924, vendi shkoi në një revolucion demokratiko borgjez dhe pas tij, drejtimin e vendit e mori qeveria e Fan Nolit. Qeveria e Nolit u konsiderua tepër e majtë dhe një eksperiment në politikën shqiptare ndaj dhe në krye të gjashtë muajve ajo ra dhe Ahmet Zogu u rivendos si kryeministër i Shqipërisë dhe në vitin 1928, vendi u shpall Mbretëri Kushtetuese nën Mbretin Zog I.

Mbretëria shqiptare ndërmori reforma të rëndësishme në vendosjen e autoritetit shtetëror, rregullit dhe rendit publik si dhe hodhi themelet e sistemit të ri arsimor me hapjen e shkollave fillore e të mesme. Gjatë kohës së mbretërisë shqiptare Shqipëria fitoi stabilitet dhe u ndërmorën hapa shumë të guximshëm në modernizimin e jetës shoqërore të vendit.

Më 7 prill 1939, vendi u pushtua nga trupat fashiste të Musolinit, duke i dhënë fund mbretërisë shqiptare të Ahmet Zogut, e cila zgjati për 11 vjet.

Në vitin 1943, vendi u pushtua nga forcat naziste të Hitlerit. Fundi i Luftës së Dytë Botërore dhe kapitullimi i Gjermanisë naziste solli në fuqi Enver Hoxhën, që ndërtoi regjimin diktatorial më të egër të vendeve të Europës Lindore.

Kur komunizmi ra në të gjithë Evropën Lindore në fundvitet ‘80, Shqipëria mbeti bunkeri i fundit i stalinizmit në Europë. Për rreth 50 vjet, regjimi totalitar ndoqi një politikë izoluese, duke e lënë vendin në varfëri ekonomike dhe të izoluar plotësisht nga bashkësia ndërkombëtare. Akti i parë i qeverisë komuniste ishte një reformë e pashembullt agrare pa kompromis. Dhe më pas kolektivizimi i tokës që solli mandej varfërimin masiv të shqiptarëve. Politika e saj ekonomike u bazua në parimin e “mbështetjes në forcat e veta”. Shqipëria në kohën e diktaturës komuniste ishte i vetmi vend në botë, që kishte shtypur krejtësisht lirinë fetare. Rënia e “Murit të Berlinit” dhe “Perdes së Hekurt” solli luftrat për liri dhe demokraci të popujve të Evropës Lindore dhe rrëzimin e regjimeve totalitare. Kjo lëvizje mbarëeurpiane në lindje ndikoi edhe në Shqipërinë e izoluar nga bota. Pas emigrimit në masë të shqiptarëve në verën e vitit 1990 dhe revoltës studentore të fundvitit 1990, që tregoi aspiratën e shqiptarëve për të qenë të lirë si gjithë Evropa, në vitin 1991, Shqipëria përfundimisht doli nga izolimi dhe që prej këtij viti mban zgjedhje pluraliste.

Prej vitit 2009, Shqipëria u bë anëtare me të drejta të plota në aleancën e NATO-s dhe po kalon një sërë reformash, të cilat synojnë integrimin në Bashkimin Europian.

Pozita gjeostrategjike e Shqipërisë si “porta” mes Perëndimit dhe Lindjes 

Pozita gjeografike ka bërë që në territoret tona qysh në antikitet të ndërtohen rrugëkalime të rëndësishme, si psh. Via Egnatia, e cila lidhte nga shek. II p.e.s. dy kryeqendrat e Perandorisë Romake atë të lindjes (Bizantin) dhe perëndimit (Romën). Rrugë të rëndësishme ishin edhe Lissus – Naisus, ose Lezhë – Nish dhe rruga e Vjosës që lidhte Apolloninë me Larisan.

Shqipëria gjeografikisht shtrihet në brigjet e Mesdheut, të cilësuara si djepi i lindjes dhe i zhvillimit të qytetërimit të lashtë evropian. Afërsia gjeografike me civilizimet e antikitetit la gjurmë edhe në zhvillimin human në trevat tona. Madje këto troje ishin një “vatër e këtij qytetërimi”.

Trashëgimia kulturore dhe natyrore janë motivi i fluksit turistik që shënon rritje progresive çdo vit në sitet arkeologjike, muzeumet, monumentet tona historike dhe natyrore.

Dalja në detet Adriatik dhe Jon i ka dhënë Shqipërisë mundësinë të komunikojë në tregtinë ndërkombëtare me vendet fqinje, mesdhetare dhe më gjerë. Prania në kryqëzimin e rrugëve të mëdha tregtare midis Lindjes e Perëndimit i ofron Shqipërisë një komunikim më të gjerë ekonomik me vendet evropiane.

Shqipëria është e bekuar me 220 ditë diell dhe një turizëm katër stinor që tashmë nuk ndalet. E zbuluar vitet e fundit, Shqipëria është një nga brigjet magjepsës të Mesdheut, që aspiron të bëhet pjesë e rëndësishme e tregut turistik evropian dhe botëror si dhe anëtare me të drejta të plota në Unionin Evropian.

Shqipëria ka një sipërfaqe prej 28 748 km2 dhe një popullsi prej më shumë se 3 milion banorë. Ajo kufizohet me kufi tokësor në verilindje me Malin e Zi, në veri dhe verilindje me Kosovën, në lindje me Maqedoninë e Veriut dhe në jug e juglindje me Greqinë. Hapësira detare e Adriatikut e ndan Shqipërinë në jugperëndim nga Greqia, në perëndim nga Italia dhe në veriperëndim nga Mali i Zi. 

Shperndaje: