
Zana Çela
Drejtoreshë e Përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Turizmit
Zana Çela ka studiuar në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë pranë Universitetit të Tiranës, si edhe ka kryer specializime të ndryshme ndërkombëtare në Paris, Bruksel, etj. Me një përvojë 30 – vjeçare në menaxhimin e produksioneve në fushat e kulturës, artit, medias dhe turizmit kulturor, znj. Çela është autore e dhjetëra projekteve artistike në televizionet kombëtare si RTSH, Klan, Top Channel; në Teatrin e Operas e Baletit, si dhe projekte të tjera artistike e novatore në mjedise të hapura, në Shqipëri, Itali, Gjermani, Greqi, në Malin e Zi, Kosovë, Maqedoninë e Veriut, e vende të tjera.
Përvoja e saj në fushat e menaxhimit dhe planifikimit të artit përfshin edhe veprimtarinë në krye të institucioneve publike kulturore dhe mediatike, si Drejtoreshë e Teatrit të Operas e Baletit, drejtuese e televizioneve kombëtare, gazetare, producente, menaxhere e projekteve IPA të Bashkimit Evropian për trashëgiminë kulturore dhe aktiviste e shoqërisë civile.
Arritjet kryesore të znj. Çela përfshijnë, produksione kombëtare dhe ndërkombëtare të standarteve më të larta, promovimin e talenteve të reja, transformimin e institucioneve të kulturës e medias në institucione efektive dhe produktive, krijimin e partneriteteve me subjekte private e publike, institucione qendrore e lokale, partneritete ndërkombëtare, etj.
Zana Çela ka përfaqësuar vendin në veprimtari të rëndësishme ndërkombëtare, panele vlerësimi, etj. Ajo ka qenë anëtare e forumeve drejtuese të organizatave ndërkombëtare të kulturës dhe artit, si Opera Europa, festivale ndërkombëtare, etj. Formimi profesional dhe drejtues, si dhe shumë vite të ekspozimit ndaj menaxhimit të kulturës dhe artit e kanë bërë znj. Zana Çela njeriun e duhur për të drejtuar Agjencinë Kombëtare të Turizmit, dhe agjendën kombëtare të turizmit kulturor.