Valbona, udhëtim që nuk duhet humbur!

Lugina e Valbonës është një nga mrekullitë e papërsëritshme të natyrës alpine shqiptare. Lugina e Valbonës është zona turistike më e vizituar në rrethin e Tropojës,madje nga më të vizituarat në Alpet shqiptare pas luginës së Thethit. Kjo zonë me bukuri të rralla është e preferuar jo vetëm nga turistët vendas por edhe nga turistët e huaj, të cilët parapëlqejnë të njihen edhe me zakonet apo traditat e fshatrave më veriorë të vendit.

Lugina e Valbonës shtrihet në qendër të Alpeve Shqiptare, në rrethin Tropojës. Lugina e Valbonës ka statusin e Parkut Nacional dhe përfshihet në një sipërfaqe prej 8.000 hektarësh.
Natyra e këtij parku është e pasur me varietete të përshtatshme për turizëm, peshkim e alpinizëm. Në pjesën e brendshme të Parkut ka mjaft shpella interesante, nga të cilat dallohet Shpella e Dragobisë. Ka një klimë malore me dimër të ashpër e rreshje të pasura shiu e bore dhe me temperatura të ulëta, si dhe periudha të gjata me ngrica dhe erëra. Nga Mbaskollat dhe deri në Shoshan është e mbrojtur në mënyrë natyrore, ndaj temperatura mesatare në Dragobi është 10,7 gradë: e janarit 0,3 gradë dhe ajo e korrikut 20,4 gradë. Rreshjet në Valbonë i kalojnë të 2082 milimetrat, ndërsa lartësia maksimale e dëborës ka shkuar deri në 224 centimetra me mesatare 94 centimetra. Nën ujëvarën e pragut të Valbonës, ujërat e këtyre burimeve zhduken nën zhavorre deri në hyrje të Rragamit. Nga ky fshat deri në atë të Valbonës (Selimaj) është 7 kilometra. Sipërfaqja e ujit mungon gjatë verës për shkak të natyrës karstike. Në sektorin e poshtëm, ndanë kalimit në pellgun e Tropojës, Valbona merr degët e rëndësishme, që janë lumi i Gashit (në Shoshan) dhe atë të Bushtricës (Bujan), që e pasurojnë atë më tej. Prurja në Dragobi dhe Gri është respektivisht 12.2 m kub në sek dhe 33.3 metra kub në sekondë. Prurjet maksimale janë në maj dhe lidhen me shkrirjen e borës, kurse prurjet minimale janë 3.7 metra kub në sekondë dhe 11 metra kub në sekondë. Prurjet janë më të mëdha në vjeshtë.
Ka toka të murrme pyjore mes lartësive 500-1200 metra; pastaj vijnë tokat e kadifenjta që shtrihen në shpatin e majtë të kësaj lugine nga Mbaskollata dhe deri në Shoshan në lartësinë 400-900 metra.
Vizitorë të shumtë të ardhur nga vende të ndryshme të botës, si dhe të tjerë të ardhur nga vise të ndryshme të vendit e Kosova, janë të pranishëm çdo ditë në pikën turistike gjithëvjetore të Valbonës, një zonë turistike që ka fituar një emër të mirë, përmes mikpritjes dhe qetësisë që ajo ofron. Kryetari i Komunës së Margegajt, Rexh Biberaj, thotë se “çdo ditë janë të pranishëm në Valbonë mbi 300 turistë të huaj, kryesisht polakë, çekë, gjermanë, francezë, etj. Ka prej tyre që qëndrojnë disa ditë, ndërsa të tjerë që, pasi e kanë vizituar Valbonën në stinën e verës, rikthehen sërish”.
Banorët vendas, krahas shërbimit që ofrojnë për të ardhurit, vazhdojnë përgatitjet për periudhën e dimrit, kur numri i vizitorëve është jo i pakët. Në shërbim të tyre, në pikën turistike të Valbonës, numri i shtretërve në hane dhe hotelet turistike, ka arritur në mbi 600 të tillë. Bajram Currit, shënon rreth 35 mijë të tillë, ndërsa në fund të vitit, numri i tyre pritet të arrijë në mbi 40 mijë të tillë, nga 28 mijë të regjistruar një vit më parë.

Valbona, është një nga udhëtimet që nuk duhet humbur, si dhe një nga vendet që duhet vizituar patjetër. Lumë dhe fshat. Një mrekulli e natyrës, përjetimi i së cilës të thërret që të rikthehesh.
Udhëtimi nis përmes Drinit deri në Tropojë e më pas Valbona është vetëm 45 minuta larg. Lumi do të jetë shoqërues rruge deri në burimin e vet.

Kaltërsia e Valbonës, është si e asnjë lumi tjetër. Teksa udhëton, kaltërsia e lumit të magjeps, ndërkohë në të dy krahët ngrihen malet e larta që edhe në fillim të verës vazhdojnë ti kenë majat e mbuluara me dëborë.
Kjo është në fakt ndjesia që të krijon momenti i parë që përballesh me lumin Valbonë pak pasi del nga qyteti i Bajram Currit.
Fshati Dragobi shfaqet me mbi 20 kulla karakteristike prej guri deri 200-vjecare, me ujëvarën që rrjedh pingul nga shpati i malit. Shtëpitë karakteristike prej guri, me çati të pjerrëta, e ruajnë akoma konstruktin tradicional të krahinës.
Karakteristike e lumit Valbona është se fill pas burimit, fluturon në një ujëvarë mbi 50 m lartësi, humbet në zallishten e Rrogamit 5 kilometra dhe riburon në fshatin Valbonë, herë e qetë, herë e zhurmshme, e zbret përgjatë luginës, për tu shtruar përfundimisht pas kanionit të Shtrenjtit. Gjatesia e saj është 51 km deri në lumin Drin.
Valbona ka 40 shtëpi tip alpin dhe shtrihet nga Kikat deri afër Fushës së Gjese.
Banoret e zonës, tashmë e kanë kuptuar se turizmi malor me krijimin e mundësive në infrastrukturë, është një mrekulli që u ka dhuruar natyra e që duhet shfrytëzuar për të siguruar të ardhura. Çdo vit numri i vizitorëve vendas dhe të huaj ka pësuar rritje. Në Valbonë nuk ka hotel të mirfilltë, por disa shtëpi-kulla karakteristike, janë përshtatur sipas traditës në hotele për turistët. Çmimet e fjetjes dhe ushqimit janë të arsyeshme. Shtëpitë e banorëve janë të hapura për mysafirët, siç dëshirojnë ti quajnë turistët dhe vizitorët, banorët vendas. Tashmë, kullat janë restauruar ku akomodohen vizitorët e shumtë që shkelin Valbonën në këto ditë të nxehta vere.

Shqipëria është plot me vende magjike, e destinacione të reja për tu vizituar…⏳
Zbuloni Shqipërinë 📍

#VisitAlbania✈️
#AlbaniaGoYourOwnWay
#SmileAlbania😀🇦🇱

 

.

 

 

Shpërndaje në: