Gjatë një prezantimi të sloganit “Albania All Senses” në nisje të sezonit turistik, Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro, u shpreh se ky slogan do të brandojë imazhin e Shqipërisë në programin promovues si vendi i nderit i panairit më të madh në botë të turizmit, “ITB Berlin 2025”.
Ky promovim në kuadrin e zhvillimit të qëndrueshëm do të përcjellë potencialin turistik të vendit përmes natyrës dhe mikpritjes shqiptare.
Ministrja Kumbaro theksoi se “Albania All Senses do të jetë një buqetë jo vetëm në imazhe, jo vetëm me eventet kulturore, tradicionale, sportive në qytetet tona, nga Tirana, kryeqyteti mesdhetar i Kulturës dhe Dialogut, deri në Vlorë, qytetin e sporteve, por është në një farë mënyre edhe një ftesë për të gjitha shijet, shqisat dhe ndjesitë që shoqërojnë një turist, një vizitor në momentin që shkon në një vend. Prandaj “Albania All Senses” ishte slogani më i mirë, që i thotë të gjitha. Për ta bërë këtë, kemi nevojë për shumë partnerë, për shumë bashkëpunëtorë, si në rastin e “One Albania” që ka gjithashtu një plan biznesi të qëndrueshëm. Turizmi gjeneroi në vitin 2023 rreth 4,2 miliardë euro për ekonominë shqiptare. Kjo ka zgjuar edhe interesin e investitorëve dhe sipërmarrjeve”.
Në këtë ceremoni, ku mori pjesë edhe Drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Turizmit, Zana Çela u nënshkrua një marrëveshje mes Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit si dhe kompanisë “One Albania” për bashkëpunim në promovimin e turizmit dhe logos së re të Shqipërisë turistike.
CEO i kompanisë “One Albania”, Brano Djurovic u shpreh se “Jemi të gjithë të vetëdijshëm për rritjen që ka përjetuar turizmi vitin e fundit duke u bërë një nga sektorët me rritjen më të shpejtë në vend dhe një nga fushat më të rëndësishme të ekonomisë. Prandaj jemi krenarë që sot prezantojmë një marrëveshje strategjike me Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit, të vetëdijshëm për potencialet e destinacioneve të Shqipërisë, që nëse bashkojmë forcat mund të arrijmë akoma më shumë për promovimin e aktiviteteve të turizmit, komuniteteve dhe biznesit përmes teknologjisë”.
Bashkë me të gjitha shijet e Shqipërisë turistike, Kalendari Kombëtar i Eventeve të Turizmit, Traditës, Arteve, Sporteve përmes Aplikacionit TEA do të orientojë udhëtimet e turistëve të huaj dhe vendas me eventet dhe shërbimet e domosdoshme të shtuara pranë destinacioneve të preferuara të pushimit.