UNWTO / 70 – Takime bilaterale të Drejtoreshës së AKT me homologë evropianë

Gjatë sesioneve të Mbledhjes së Komisionit për Evropën të Organizatës Botërore të Turizmit, Drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Turizmit Zana Çela zhvilloi takime të rëndësishme, ndër të cilët ai me Drejtoreshën e Përgjithshme të Italisë (ENIT), Alessandra Priante, ku u panë mundësitë që Shqipëria dhe Italia të krijojnë produkte të përbashkëta turistike, në nxitje të turizmit të qëndrueshëm dhe elitar e në mbrojtje të pasurive natyrore dhe kulturore.

Zonja Priante vlerësoi arritjet e Shqipërisë në turizëm duke theksuar se partneriteti mes dy vendeve tona është çelësi i suksesit, si dhe nënvizoi se turizmi kulturor është shumë i rëndësishëm për suksesin në zhvillimin e turizmit.

Drejtoresha e AKT prezantoi Aplikacionin TEA, kategoritë e eventeve që përfshihen në kalendarin digjital dhe u shpreh se qeveria shqiptare e ka prioritet brandimin e Shqipërisë përmes trashëgimisë kulturore dhe natyrës.

Drejtoresha e ENIT e shkarkoi Aplikacionin TEA dhe premtoi se do ta përcjellë këtë kalendar digjital edhe në vendin e saj.

Një tjetër takim i rëndësishëm ishte ai me Sekretarin Ekzekutiv të Marrëveshjes së Pjesshme të Zgjeruar të KiE – së Stefano Dominioni, i cili propozoi që Agjencia Kombëtare e Turizmit të përfshihet bashkë me agjencitë simotra evropiane në aktivitetet e KiE -së dhe të rritet roli i tyre në promovimin e Rrugëve Kulturore të çertifikuara.

Drejtoresha e AKT-së shprehu kënaqësinë e madhe për këtë propozim dhe theksoi se një instrument i rëndësishëm për promovimin e Rrugëve Kulturore është Aplikacioni TEA – Kalendari Digjital i Eventeve të Trashëgimisë Kulturore, Traditës, Sporteve, Arteve.

Edhe zoti Dominioni u njoh me Aplikacionin TEA dhe e shkarkoi atë duke premtuar se do ta shpërndajë në organizatën që drejton e më gjerë.

Nënshkrimi i një memorandumi bashkëpunimi mes dy agjencive të turizmit, me qëllim forcimin e bashkëpunimit, trajnimeve në fushën e turizmit si dhe krijimin e sinergjive mes shoqatave turistike ishte në fokus të takimit me Drejtorin e Përgjithshëm në Ministrinë e Turizmit dhe Sportit të Sllovakisë Tomas Ondrcka.

Në takimin me Drejtorin e Përgjithshëm të Basque Tour, Daniel Solana u ra dakord për të ndarë eksperiencën e “Basque Tour” me AKT –në sa i takon modelit inteligjent të funksionimit të kësaj agjencie dhe krijimin e një infrastrukture mbështetëse për bizneset për të rritur cilësinë e shërbimeve në turizëm.

Shpërndaje në: