Tri ditë feste në Qafën e Pazarit të Gjirokastrës

Qafa e Pazarit të Gjirokastrës por jo vetëm, pasi të gjithë sokaket e qytetit do të gëlojnë për tri ditë feste në qytetin e gurtë me festivalin “Check – In”.

Koncerte me muzikë live e artistë të dashur, kërcime e festa nëpër rrugët e qytetit, aventura eksploruese në destinacionet e Gjirokastrës si dhe biseda me personalitete dhe profesionistë mbi zhvillimin e qytetit dhe fuqinë transformuese të turizmit dhe mjedisit do të jenë disa nga aktivitetet e shumta që do të bëjnë bashkë turistë të huaj e vizitorë në një atmosferë të gjallë  feste, nga 8 shtatori deri në 10 shtator.

Në 8 shtator, në Qafën e Pazarit një festë me muzikë nga Rodi Jazz dhe Kuarteti Peter Pan e Gipsy Groove.

Në 9 shtator në eksplorim me makina Rally drejt thesareve të qytetit, koncert Live në Qafën e Pazarit nga Jericho dhe Zwada si dhe festë në Rrugën e Zejtarëve me muzikë elektrizuese.

Ndërsa në 10 shtator do të organizohen bashkëbisedime për qytetin inovativ dhe zhvillimin e turizmit dhe mjedisit në kushtet kur Gjirokastra është një nga destinacionet më të vizituara të Shqipërisë nga turistët e huaj dhe vizitorët vendas.

Check-In është një nga eventet e rëndësishëm të Kalendarit Kombëtar të Eventeve të Turizmit dhe Aplikacionit TEA.

Bëhuni gati për një festë të bukur dhe eksperiencë të paharrueshme në kalldrëmet e Gjirokastrës, ku përveç festës mund të përjetoni dhe eksploroni monumentet e sa, si Kalanë e Argjirosë, sokaket e Gjirokastrës, shtëpitë monumente të qytetit të vjetër si shtëpinë e Zekateve, Skëndulit, Babameto, si dhe ushqimin e shijshëm e ëmbëlsirat në lokalet pranë Qafës së Pazarit!

 

Shpërndaje në: