Në ditën e dytë të Takimit të 70 të Komisionit për Evropën të Organizatës Botërore të Turizmit u zhvillua “Konferenca e Investimeve në Turizëm dhe Zhvillimi Ekonomik i Evropës dhe Shqipërisë”, e cila kishte në fokus nxitjen e investimeve dhe evidentimin e rasteve dhe historive të suksesit në këtë sektor.
Në këtë konferencë morën pjesë edhe Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Blendi Gonxhe, ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor Arbian Mazniku dhe ministra e përfaqësues të industrisë së turizmit të vendeve evropiane.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro në fjalën e saj u shpreh se “Shqipëria ka hyrë në erën e industrisë së turizmit po edhe për Evropën që “Investimet në Turizëm dhe Zhvillimi Ekonomik në Europë” e qas sot përmes zhvillimit të qëndrueshëm dhe mbrojtjes së mjedisit si një kusht të panegociueshëm për të ardhmen”.
Sipas saj shifrat, të dhënat dhe lehtësitë fiskale krijojnë një mjedis atraktiv për të investuar në Shqipëri. Ministrja Kumbaro nënvizoi se tashmë turizmit është kthyer në një industri.
“Turizmi nuk është thjesht çështje e numrit të vizitorëve, por është mbi të gjitha një çështje të ardhurash dhe tashmë ky sektor është bërë një industri, e këtë mund ta themi. Kjo matet edhe me të ardhurat që erdhën në ekonominë shqiptare. Plot 4.2 miliard euro të ardhura nga ekonomia e turizmit në ekonominë shqiptare për vitin 2023 – 2,8 miliard ishte kjo shifër për vitin 2022. Është para që ushqen të gjithë zinxhirin e biznesit në vend”, u shpreh ministrja Kumbaro.
Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Turizmit Zurab Pololikashvili shprehu ndër të tjera entuziasmin dhe afeksionin e tij për vendin tonë. “Shqipëria ka një panoramë të shkëlqyer, një vijë bregdetare dhe malore të shkëlqyer, por pa infrastrukturë këto male nuk mund të arrihen. Aeroportet po ashtu, është shumë e rëndësishme të kesh 3, 5, 10 aeroporte sado të jetë madhësia e vendit, sepse vetëm kështu e bën të mundur të vizitohet vendi. Jam i dhënë, i lidhur shumë dhe i dashuruar me këtë vend dhe vërej që njerëzit janë seriozë, punojnë seriozisht, janë partnerë të mirë dhe meritojnë më shumë investime dhe më shumë veprimtari ekonomike në këtë vend. Miq, kolegë, ju falemderit shumë që keni jetësuar këtë gjë dhe na keni dhënë mundësinë të jemi pjesë e përulur e kësaj historie suksesi. Kjo lloj miqësie dhe ky lloj bashkëpunimin do të sjellë të kora të tjera në 5 ose 10 vitet e ardhshme dhe ju uroj më të mirën. Jeni duke kryer një punë të shkëlqyer dhe kjo është një histori suksesi për vetë popuullin tuaj, për familjet, të cilat do ta kuptojnë nesër që një nga shtysat më të rëndësishme ekonomike për këtë vend është Turizmi”, theksoi Sekretari I Përgjithshëm i UNWTO.
Ndërsa, Natalia Bayona, Drejtoresha Ekzekutive e UNWTO prezantoi potencialet e investimeve në turizëm në Shqipëri duke theksuar se “Shqipëria është një destinacion tërheqës për investime. Shifrat janë aty, flasin vetë. Skema e nxitjes së investimeve ndihmon vendin, performance në rang evropian është një e dhënë, që të jep besim, dhe ju ftoj e dëshiroj që sot të kemi një sallë të mbushur plot me investitorë, nga sektori privat. Pra na “përdorni” në një mënyrë pozitive dhe konstruktive, sepse jemi këtu për të bashkëpunuar në mënyrë që të gjejmë oportunitetet e duhura”.
Gjatë sesionit të Konferencës së Investimeve në Turizëm dhe zhvillimit Ekonomik të Evropës u promovua për herë të parë një udhëzues për investimet në sektorin e turizmit në Shqipëri, “Tourism Doing Business: Investing in Albania”, i përgatitur nga UNWTO.