Çelet në Tiranë Takimi i 70 i Komisionit për Evropën i UNWTO

Mbledhja e 70 e Komisionit për Evropën të Organizatës Botërore të Turizmit nisi punimet në Tiranë me pjesëmarrjen e Sekretarit të Përgjithshëm të UNWTO, Zurab Pololikashvili, Drejtoreshës Ekzekutive Natalia Bayona, si dhe ministra e përfaqësues delegacionesh të larta nga ministritë e turizmit të 40 vendeve evropiane. 

Punimet e këtij takimi, i cili e ktheu Shqipërinë në kryeqendër të diskutimeve mbi zhvillimet turistike evropiane, i çeli Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro, e cila u uroi mirëseardhjen kolegëve evropianë duke shprehur falenderimin e saj për këtë privilegj të kremtimit të Takimit të 70 të Komisionit për Evropën të “UN Tourism” në Tiranë. 

“Edith Durham, shkrimtarja britanike e shekullit të XIX që shkeli veriun e Shqipërisë, në terrenin e vështirë por mahnitës mes Alpeve shqiptare, pikërisht ato pamje magjepsëse që sot i shohin miliona e miliona kureshtarë nga e gjithë bota në TikTok apo në Instagram dhe dëshirojnë një orë e më parë t’i vizitojnë. Studjuesja e shekullit të XIX shkroi dikur në kujtimet e saj se pikërisht kjo fjalë, fjala – mirëseerdhe -, del drejt e nga shpirti i atyre njerëzve. Prandaj, si shqiptare dhe si ministre e turizmit e Shqipërisë, ndihem e privilegjuar dhe shumë e nderuar t’ju uroj mirëseardhjen në Shqipëri”, u shpreh ministrja Kumbaro në fjalën e saj. 

Duke sjellë në vëmendje rekordin e arritur nga Shqipëria në turizëm vitin e shkuar, kur barometri i Organizatës Botërore të Turizmit e renditi Shqipërinë të parën në Evropë për rritjen e flukseve turistike dhe të katërtën në botë, ministrja e Turizmit Kumbaro nënvizoi se edhe këtë vit me shumë gjasë Shqipëria do të jetë sërish në krye të listës, për shkak të shifrave të tremujorit të parë të vitit 2024 kur vendi ynë mirëpriti 1,7 milionë vizitorë të huaj ose rreth 60% më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë. 

Zonja Kumbaro theksoi se më tej se sot Shqipëria po ngjall kureshtjen e të gjithëve si destinacion i shumëdëshiruar. “Shqipëria, ose “Perla e pazbuluar e Mesdheut”, siç shumë prej gazetave ndërkombëtare vijojnë  ta quajnë, po përjeton kohën e vet të transformimit nga turizmi jo thjesht si “ekonomi e kënaqësisë”, por mbi të gjitha si një formë emancipimi shoqëror. Falë turizmit, sot Shqipëria e ka më të lehtë që të tregojë bukuritë e saj, njerëzit e saj, energjitë e saj dhe rolin e saj në këto kohëra të trazuara. Sot Shqipëria është një surprizë e bukur në zhvillimin e turizmit global, gati-gati një simbol se ashtu si njerëzit – edhe vendet mund ta rishpikin vetveten brenda pak vitesh”, vlerësoi Ministrja e Turizmit Mirela Kumbaro. 

Takimin e e përshëndeti edhe Kryeministri Edi Rama, i cili nënvizoi suksesin turistik të Shqipërisë dhe sfidën për të ecur përpara në mënyrë të qëndrueshme, duke ruajtur bukuritë e vendit. 

“Sot kemi një realitet tërësisht ndryshe, me më shumë se 10 milionë turistë, që vizituan Shqipërinë vjet dhe me shifra shumë të larta gjatë këtyre tre muajve të parë të këtij viti. Sigurisht që ju të gjithë e dini që ky nuk është vetem sukses, kjo nuk është vetë gjë e mirë në vetvete, por është edhe sfidë e madhe, sepse ka shumë gjëra për të cilat ne duhet të mendojmë, të cilat duhet t’i zgjidhim, në rast se dëshirojmë që Shqipëria të ecë përpara në mënyrë të qëndrueshme. Në rast se ne nuk dëshirojmë që Shqipëria ta humbasë bukurinë e saj të veçantë, në rast se duam që Shqipëria të jetë një destinacion ku turizmit të jetë një vlerë e shtuar. Ajo që po bën kjo organizatë është vërtet fantastike, ajo që po bën Zurabi është fantastike, sepse këtu nuk bëhet fjalë për të shkuar nga njëri vend te tjetri dhe thjesht për të bërë disa takime e për të folur për të folur për shifrat e ndryshme, por këtu bëhet fjalë për ndarjen e ekspertizës, njohurive, përvojave të gabimeve që janë bërë në të shkuarën, që ato të mos përsëriten. Këto janë gjërat më të rëndësishme dhe shpresoj fort që ne do të mësojmë sa më shumë që do të jetë e mundur nga gabimet të cilat I keni bërë ju që të mos t’I bëjmë ne”, u shpreh kryeministri Rama.    

Takimin e përshëndeti edhe Sekretari i Përgjithshëm i UNWTO Zurab Pololikashvili, i cili shprehu mirënjohjen për këtë organizim të shkëlqyer në Tiranë të Takimit të 70 të Komisionit për Evropën të UNWTO dhe përfaqësues të delegacioneve evropiane pjesëmarrëse.

Shpërndaje në: