Libri në festë – Organizohet Panairi i 26 i Librit “Tirana 2023”

Libri shqip do të jetë në qendër të vëmendjes mbarëkombëtare këto ditë, teksa në Tiranë do të çelet Panairi i 26 i Librit, “Tirana 2023”.

Kjo ngjarje e rëndësishme për kulturën shqiptare dhe promovimin e librit shqip do të jetë një festë katërditore, e cila do të organizohet në mjediset e Pallatit të Kongreseve, më 15 – 19 nëntor.

Në panairin e përvitshëm të organizuar nga Shoqata e Botuesve shqiptarë do të ketë rreth 100 stenda, ku do të ekspozohen autorë shqiptarë e të huaj, emra të njohur të letërsisë botërore, nobelistë, librat e botuar vitet e fundit dhe librat më të rinj.

“Tirana 2023” mbledh bashkë 95 shtëpi botuese nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, shkrimtarë, poetë, përkthyes dhe lexues, të cilët njihen me botimet e reja, diskutojnë mbi problematikat e letërsisë bashkëkohore, përkthimit në gjuhën shqipe dhe shumë aktivitete të tjera me autorë dhe studiues.

Panairi i Tiranës pritet me interes nga të gjithë dashamirët e librit, pasi ai përmbledh të gjitha ngjarjet më interesante të librit gjatë një viti, është vendi ku ekspozohen, prezantohen, zhvillohen takime me autorë, shkrimtarë të huaj të ftuar, konferenca, workshop-e, dhe ku nderohen me çmime shkrimtarët më të mirë dhe më të lexuar, përkthyesit, si dhe librat më të mirë.

Në sallën ovale të Pallatit të Kongreseve do të organizohet “Sofaja e librit”, me biseda, që prekin tema mbi përkthimin e problemet e librit.

Ky panair, i cili është një nga eventet e Kalendarit Kombëtar të Eventeve të Turizmit dhe Aplikacionit TEA, vjen edhe me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit si dhe Bashkisë Tiranë.

Shpërndaje në: