Rreth 800 mijë turistë të huaj vizituan vendin tonë në muajin Prill duke e çuar në 2.3 milionë shifrën e flukseve turistike hyrëse gjatë muajve të parë të 2024 ose +38% më shumë se një vit më pare, deklaroi Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro, gjatë publikimit të statistikave më të fundit të MTM-së.
Zonja Kumbaro theksoi se institucioni që ajo drejton është në koordinim dhe bashkëpunim intensive me institucionet publike dhe sektorin privat për të menaxhuar flukset e larta dhe mbarëvajtjen e sezonit turistik veror, me përparësi sa i takon sigurisë, pastërtisë dhe rritjes së standardeve në shërbime për një zhvillim të qëndrueshëm.
Sipas statistikave të MTM-së 794 mijë turistë të huaj kanë vizituar Shqipërinë gjatë muajit prill 2024 duke e çuar në më shumë se 2.3 milionë shifrën totale të flukseve turistike hyrëse në 4 muajt e parë të vitit në vendin tonë.
Më herët, në Konferencën për Sigurinë në Turizëm, ministrja Kumbaro lajmëroi shifrat e përditësuara të operatorëve turistikë detarë të çertifikuar, të cilët janë mbi 110 si dhe mbi 600 udhërrëfyes turistikë të çertifikuar.
Gjatë tre muajve të parë të vitit 2024, Shqipërinë e vizituan mbi 1,7 milionë turistë të huaj, ose 59 % më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023.