Në edicionin e tretë të Panairit Ndërkombëtar të Turizmit në Prishtinë, i cili po kthehet në një traditë të bukur për kryeqytetin e Kosovës, u prezantua potenciali turistik i Shqipërisë me të gjitha ngjyrat dhe shijet e saj, si një vend mesdhetar i rrethuar nga bregdeti i bukur dhe malet madhështore, atraksione që e bëjnë vendin tonë unik në rajonin e Ballkanit.
Shqipëria u përfaqësua nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit dhe Agjencia Kombëtare e Turizmit bashkë me Qarqe bregdetare, e kompani turistike, hoteliere.
Panairin e përshëndetën edhe zv/ministrja e Turizmit Vilma Bello, kryebashkiaku i Prishtinës, Përparim Rama si dhe drejtues të Unionit të Turizmit të Kosovës.
Mes vendeve të tjera pjesëmarrëse Agjencia Kombëtare e Turizmit prezantoi në Prishtinë destinacionet gjithëvjetore të Shqipërisë turistike duke u drejtuar një ftesë bashkëqytetarëve nga Kosova dhe pjesëmarrësve të vendeve të ndryshme të shijojnë brigjet e Adriatikut dhe Jonit dhe sitet UNESCO, fshatrat turistike malorë e bregdetarë, atraksionet mbresëlënëse nga veriu i Shqipërisë në Jug të saj.
Gjithashtu gjatë vizitave në stendën e Shqipërisë “Albania All Senses” AKT shpalosi arritjet e Aplikacionit TEA, i cili premton të rrisë shërbimet këtë vit, për të vijuar të prijë udhëtimet drejt atraksioneve të bukura të Shqipërisë, ku shumë vizitorë nga institucionet e Kosovës dhe qytetarë e shkarkuan Aplikacionin TEA për t’u njohur me eventet e Kalendarit Kombëtar Digjital.
Në ditët e panairit zv/ministrja e Turizmit Vilma Bello dhe Drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Turizmit Zana Çela u pritën në një takim nga Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë Petrit Malaj, ku u diskutua për bashkëpunime edhe më të ngushta kah promovimit si një destinacion i vetem i Shqipërisë dhe Kosovës.
Në këtë panair morën pjesë shoqata të turizmit, hotelerive, restoranteve, kantinat e verërave, bujtina e agroturizma shqiptare, kompani të turizmit shëndetësor, artizanë shqiptarë mes 300 kompanive nga 15 vende evropiane e më gjerë.