Në Panairin më të madh botëror të Turizmit ITB Berlin 2024, Agjencia Kombëtare e Turizmit prezantoi për herë të parë logon sloganin e ri të brandimit të Shqipërisë turistike.
Gjatë prezantimit, Drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Turizmit, Zana Çela u shpreh se në këtë vit të rëndësishëm që përkoi me shpalljen e Shqipërisë “Vend Nderi” e ITB Berlin 2025, “zgjodhëm eventin më të madh të turizmit në botë për të shpallur të plotë Shqipërinë Turistike, me bukuritë dhe të gjitha ndjesitë e shijet që ajo prek, nën sloganin “Albania All Senses”.
Slogani është një ftesë për një përvojë turistike të pasur multishqisore, që ngacmon dhe kënaq të gjitha ndjesitë dhe emocionet me bukuritë natyrore, tingujt e valëve në bregdet, erën dhe shijet e kuzhinës tradicionale, emocionet që të dhuron historia dhe kultura e pasur, si edhe dashurinë dhe kujdesin ndaj mjedisit dhe biodiversitetit natyror.
Tashmë, në eventet ndërkombëtare të Turizmit Shqipëria do të përfaqësohet me logon e re, e konceptuar grafikisht si një imazh që përcjell trajtat e relievit dhe ngjyrat e natyrës shqiptare dhe sloganin “Albania All Senses”, logo e cila do të brandojë eventet zyrtare të Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit dhe Agjencisë Kombëtare të Turizmit.
Duke e publikuar në rrjetet e saj sociale këtë logo të re gjatë panairit ITB Berlin, Ministrja e Turizmit, Mirela Kumbaro nënvizoi se si logoja dhe slogani i ri përcjellin vizionin e Ministrisë së Turizmit dhe synimin që Shqipëria të perceptohet tek vizitorët me të gjitha potencialet turistike të saj, ngjyrat dhe ndjesitë e saj.
Në Panair, drejtoresha e AKT-së prezantoi për publikun e pranishëm edhe Kalendarin e eventeve artistike TEA, i cili po pasurohet, duke u shndërruar në një guidë të plotë, ku turistët do të mund të gjejnë edhe rrjetin e hoteleve, restoranteve dhe çdo gjë që u nevojitet për një udhëtim të paharrueshëm dhe të sigurt.