Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro dhe Rektorja e Kolegjit të Evropës, Federica Mogherini nënshkruan në Tiranë një Memorandum Bashkëpunimi për promovimin e trashëgimisë kulturore, historike dhe natyrore të Shqipërisë, përmes angazhimit të studentëve të Kolegjit të Evropës.
Sipas kësaj marrëveshjeje, Ministria e Turizmit përmes Agjencisë Kombëtare të Turizmit do të hartojë itineraret turistike dhe udhërrëfimin e tyrë përmes udhërrëfyesve të çertifikuar, me qëllim promovimin e destinacioneve fantastike të Shqipërisë.
Gjatë këtij takimi ku mori pjesë edhe Drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Turizmit Zana Çela, Ministrja Kumbaro shprehu kënaqësinë që Kolegji i Evropës nuk do të mikpresë vetëm studentë shqiptarë, po nga e gjithë Evropa, të cilët nuk do të mësojnë vetëm mjeshtërinë dhe oratorinë në diplomaci dhe shkencat politike, po edhe do të kenë mundësinë të vizitojnë Shqipërinë dhe të bëhen ambasadorët e rinj të promovimit të Shqipërisë Turistike anembanë kontinentit, sipas këndvështrimit dhe përjetimit të tyre personal.
Rektorja Mogherini theksoi se falë këtij memorandumi, ne u ofrojmë një mundësi shumë interesante studentëve të Kolegjit të Evropës, për të kuptuar dhe përjetuar nga afër realitetin shqiptar, përmes zbulimit të kulturës së pasur, thesareve të vendit, bukurive të natyrës dhe trashëgimisë historike të Shqipërisë.