DETAJET E EVENTIT
“Oh ato ditë të bukura” nga Samuel Beckett
Regjia: Arben Kumbaro
Interprertojnë: Yllka Mujo, Sokol Angjeli
As. Regjia: Klesta Shero
Formulimi muzikor: Endri Sina
Skenografia: Adrian Kapo
Efekte speciale: Andi Kongo
Grimi: Marinela Halilaj
Në datat 8, 9, 10, 15, 16, 17, 22, 23, 24, 29, 30, 31 Tetor 2021
Ora 19:00
Teatri Metropol sjell në skenë premierën absolute “Oh ato ditë të bukura” të Samuel Beckett me regji nga Arben Kumbaro. Vepra e cila është cilësuar si një nga më të njohurat e teatrit modern botëror, do të interpretohet nga “Mjeshtre e madhe” e skenës, Yllka Mujo, shoqëruar dhe nga interpretimi i aktorit të mirënjohur Sokol Angjeli.“Oh ato ditë të bukura” është përzgjedhur për t’u vënë në skenën e Teatrit Metropol nga regjisori i njohur Arben Kumbaro pasi vepra ka vlera të jashtëzakoshme aktuale.
“Qëllimi i vënies së kësaj shfaqje është gjallërimi i jetës kulturore në Tiranë në këtë kohë fatkeqe të pandemisë. Vepra është në kufijt e një monodrame dhe do interpretohet nga një prej aktoreve më të shquara të traditës tonë teatrale, Yllka Mujo. Duke qenë se jetojmë brenda mundësive krejtësisht të limituara fizike, kërkesat që ka ky projekt e bëjnë krejtësisht të mundur realizimin e tij. Vepra ka vlera të jashtëzakoshme aktuale dhe është një ulërimë dhe reflektim mbi kuptimin e jetës njerëzore. “Një përpjekje në rikthim të shpresës në shoqërinë tonë” shprehet regjisori Arben Kumbaro. Premiera do të jetë në datën 8 tetor dhe do të vazhdojë përgjatë gjithë muajit tetor në skenën e Teatrit Metropol.“Oh, ato ditë të bukura” e Samuel Beckett është një pjesë me dy akte. Ajo ka marrë vlerësimin e mbarë kritikës botërore dhe vetë autori është fitues i çmimit Nobel. Disa prej tyre e kanë cilësuar si një ndër pjesët më të mira të shkruara në të gjitha kohërat. Ajo i takon Teatrit Absurd dhe vëniet e saj kanë njohur skenat e rëndësishme të shumë teatrove në botë. Vepra është kryesisht një monodramë ku personazhi kryesor Vini shpesh krahasohet me rëndësinë që ka Hamleti në teatër. Në pjesën e parë Vini, një grua rreth të gjashtëdhjetave është e zhytur deri në mes në një grumbull rëre në shkretëtirë, siç e cilëson dhe autori, të cilën ne, në projektin tonë mund ta trajtojmë si një grumbull mbeturinash rëre dheu dhe inertesh për të kujtuar disi shkatërrimin pas një fatkeqësie natyrore (tërmeti) në të cilën ajo ka ngecur aty prej kohësh që s’mbahet mend. Rreth saj zvarritet i shoqi, Vili, që lexon gazetën dhe hera herës ngrohet në diell. Vili pothuaj nuk flet fare gjatë gjithë kohës, vetëm shumë rallë i përgjigjet Vinit kur kërkon ndonjë mendim, disa herë thjesht murmurit.
Ndërsa Vini që e shtyn kohën duke u marrë me ombrellën e diellit, çantën e saj dhe objektet që nxjerr prej çantës kujton ditët e bukura që kish kaluar kohë më parë…. Në fakt nuk është shumë e qartë nëse vërtet ajo ka kaluar ditë të bukura në jetën e saj apo ka ëndërruar dikur se sa ditë të bukura do kalonte ajo gjatë gjithë jetës. Apo ditët e bukura janë më tepër një besim metafizik e filozofik me të cilën ajo ndihmon veten për të qenë gjallë.