Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, pas mbledhjes së qeverisë prezantoi për mediat disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.93/2015 “Për turizmin”, me qëllim, që t’u përgjigjen dinamikave të reja të zhvillimit të këtij sektori si dhe sektorit privat, një rregullim i përbashkët me Ministrinë e Ekonomisë dhe Financave.
“Vizioni i këtij mandati të qeverisë është shumë më i avancuar se sa ligji i vitit 2015, ku realiteti në sektorin e turizmit nuk ishte aspak ky që kemi sot. Ishte e nevojshme edhe në konsultim me shumë përfaqësues të sektorit privat, qoftë për realitetet e reja, kërkesat e reja që vijnë nga konsumatorët për të dhënë garanci më shumë për shërbime cilësore, gjë që gjen garanci më shumë në amendimet që i kemi dhënë ligjit, mbi kërkesat për të pasqyruar disa realitete të strukturave akomoduese të cilat nuk ishin në ligjin ekzistues. Kjo nga njëra anë pasqyron më mirë rregullat e lojës, por nga ana tjetër është një mekanizëm i nevojshëm për formalizimin e tregut të turizmit”, theksoi ministrja Kumbaro.
Nga ana tjetër, ministrja Kumbaro përmendi edhe ndryshimet e reja, që përkrahin sektorin privat siç është lehtësimi i procedurave burokratike në raport me MTM ose institucionet e varësisë që shkon paralelisht me një kontroll të shtuar për konkurencë të ndershme dhe transparencë në lidhje me organet tatimore.
Kumbaro përmendi gjithashtu disa nisma, që i japin rëndësi statistikave të dedikuara si një organizëm i rëndësishëm për të pasur të dhëna të sakta. “Është diskutuar në tryeza konsultimi dhe po ecet paralelisht me dy nisma ligjore dhe administrative si Strategjia Kombëtare për Zhvillimin e Turizmit 2024-2030, e cila nisur në vitin e kaluar dhe do të mbyllet brenda këtij viti, ashtu edhe projekti i përbashkët me Fondin Shqiptar të Zhvillimit për ndërtimin e instrumentit të Statistikave SAT për parashikimin dhe organizmin e politikëbërjes në Turizëm.”
Në kontekstin e masave për formalizimin e sektorit privat, ministri i Ekonomisë dhe Financave Ervin Mete u shpreh se zhvillimi i turuzmit kërkon një vëmendje nga ana e qasjes fiskale që ky sektor të japë kontriubtin e vet për të pasur një taksim të drejtpërdrejtë.
“Në ligjin që propozohet sot, parashikohet dispozitë, ku Këshilli i Ministrave do të ketë një qasje ndërveprurse me sektorin për hartimin e një metodologjie referuese për shfrytëzimin e hapësirave akomoduese. Ministria do të publikojë një raport në lidhje me individët që japin platforma me qira, në mënyrë që t’i përgjigjen detyrimeve fiskale, por të kenë edhe një qasje sa më bashkëpunuese”, u shpreh ministri Mete.