Konferenca Ndërkombëtare CEI – “Turizmi në Evropën Qendrore dhe Juglindore – Shtigje të Reja Zhvillimi”

Agjencia Kombëtare e Turizmit, në kuadër të Presidencës Shqiptare të Iniciativës Qendrore Evropiane (CEI) dhe Presidencës së Tiranës të Procesit të Bashkëpunimit në Juglindje të Evropës (SEECP), do të organizojë më 27 Shtator në Tiranë, Konferencën Ndërkombëtare “Turizmi në Evropën Qendrore dhe Juglindore – Shtigje të Reja Zhvillimi”. 

Kjo Konferencë, me fokus në zhvillimin e turizmit në Evropën Qendrore dhe Juglindore, ka për qëllim të sjellë së bashku liderë të industries, akademikë dhe politikëbërës për të ndarë njohuri, eksperienca dhe propozuar zgjidhje që do të definonin të ardhmen e turizmit në këtë rajon. Duke u fokusuar në promovimin, edukimin dhe konceptet e reja të turizmit, konferenca ka për qëllim të përmirësojë praktikat rajonale të turizmit dhe të promovojë rritjen e qëndrueshme.

 Ajo do të adresojë sfidat me të cilat përballen entitetet në këtë sektor dhe grupet e interesit duke ofruar zgjidhje inovative për të tërhequr dhe angazhuar turistët në mënyrë efektive. Konferenca do të ofrojë një mundësi për të eksploruar tema përfaqësuese të sektorit të turizmit në rajon, si dhe sfidat në promovimin e turizmit, edukimin turistik dhe ndikimin e tij në shërbimet cilësore të turizmit, si dhe zhvillimin përtej turizmit klasik. Shkëmbimi ndërmjet vendeve në rajon, ekspozimi i qasjeve dhe pikëpamjeve të ndryshme, si dhe sfidave, janë të rëndësishme për të kuptuar dhe mësuar nga eksperiencat e njëri tjetrit , duke krijuar hapësira më të gjera për zhvillim dhe avancim në një kuadër rajonal.

Pjesëmarrësit në këtë Konferencë do të përfshijnë përfaqësues të autoriteteve përgjegjëse për turizmin nga vendet e Iniciativës Qendrore Evropiane, nga vendet e Procesit të Bashkëpuni mit në Juglindje të Evropës, si dhe nga institucione dhe entitete të ndryshme në fushën e turizmit, edukimit dhe biznesit.

Programi i konferencës përfshin diskutime në tre panele:

 Paneli 1– Promovimi i të ardhmes: Mjetet inovative, praktikat e mira dhe sfidat në promovimin e destinacioneve turistike. 

Paneli 2– Përtej turizmit klasik: Koncepti i zgjerimit të pakove turistike sjell nevojën për një qasje më të fortë ndërdisiplinore në sektorin e turizmit, duke rritur ndikimin në ekonomi. 

Paneli 3– Turizmi i edukuar mbështet turizmin e qëndrueshëm: Duke iu përgjigjur kërkesës së industrisë së turizmit përmes përmirësimit të ofrimit të arsimit, ndikojmë në standardet e sektorit dhe përmirësojmë përdorimin e burimeve.

Konferenca do të mbahet në Hotelin Mak Albania, Salla Iliria 1

Shpërndaje në: