Fjalimi i Drejtoreshës së Përgjithshme të AKT-së, Zana Çela gjatë eventit promovues të Shqipërisë turistike dhe udhërrëfyesit të saj digjital TEA

I nderuar Zoti Kryeministër!

E nderuar Zonja Ministre e Turizmit dhe Mjedisit, Të nderuar Ministra, I nderuar Guvernator i Bankës së Shqipërisë, Të nderuar Kryebashkiakë, shkëlqesi ambasadorë Drejtues të lartë të kompanive, institucioneve bankare, turizmit, hoteliere, Të gjithë ju miq të nderuar,

Mirëseerdhët në këtë event promovues të Shqipërisë turistike, dhe udhërrëfyesit të saj digjital -TEA.
Nëse vjet zgjodhëm Piramidën, godinën simbol të inovacionit e teknologjisë digjitale për të prezantuar lindjen e aplikacionit TEA (Tourism Events of Albania), sot jam shumë e lumtur që këtë ngjarje të rëndësishme, të zgjerimit me zhvillime e karakteristika të reja – TEA2.0, ta organizojmë së bashku me Bankën e Shqipërisë, në Selinë qendrore Nr.2 të saj, në një nga godinat më emblematike të Tiranës, monument i trashëgimisë kulturore, dikur ikonë e turizmit në Shqipëri, – ish hotel “Dajti”, sot i restauruar, që simbolizon angazhimin tonë për të harmonizuar fort traditën dhe inovacionin, në promovimin e zhvillimit të Shqipërisë turistike.
TEA lindi një vit më pare si ide e Kryeministrit për të patur një Kalendar Kombëtar të Eventeve turistike. Vizioni ishte i qartë: të promovojmë Shqipërinë si një destinacion turistik unik në rajon, duke prezantuar jo vetëm peizazhet tona mahnitëse natyrore, nga bregdeti i bukur deri te alpet madhështore, po edhe trashëgiminë tonë të pasur kulturore.

TEA (Tourism Events of Albania) u krijua për të qenë një portë digjitale e eventeve turistike, të kulturës, sporteve dhe traditës, që Shqipëria ofron tashmë përgjatë gjithë vitit.

Që në pesë muajt e parë të TEA, rritja e interesit të përdoruesve ndaj saj ka qenë shumë i madh.

Vjet në pikun e sezonit veror, aplikacioni u shkarkua nga 40 mijë përdorues nga 72 vende të botës. Kjo rritje e shpejtë e interesit na frymëzoi të zgjerojmë dhe përmirësojmë TEA – n, për të përmbushur të gjitha nevojat e përdoruesve.

TEA 2.0, të cilin e prezantojmë sot, nuk është thjesht një përmirësim; është një revolucion në mënyrën se si e promovojmë Shqipërinë turistike. Tashmë aplikacioni TEA është rritur dhe shndërruar në një guidë digjitale turistike, që i ofron vizitorëve evente, destinacione të trashëgimisë kulturore, shërbime turistike, shërbime utilitare, informuese, duke e paraqitur Shqipërinë turistike në të gjitha dimensionet e saj.

Sot në udhërrëfyesin digjital TEA gjejmë 2250 evente, prej të cilave 1600 për periudhën Shkurt – Dhjetor 2024. Vetëm në muajt Qershor, Korrik, Gusht, në aplikacionin TEA ju mund të gjeni mbi 550 evente të kategorive dhe audiencave të ndryshme, për të rinj, për fëmijë apo për gjithë familjen.

Por përveç eventeve, në shërbim të tyre dhe afër tyre, kjo listë e gjatë eventesh falë TEA2.0, pasurohet me pika të afërta interesi, (në një rreze 50 km larg eventit), duke përfshirë site arkeologjike, kala, muze a monumente të tjera të kulturës, po edhe restorantet në afërsi të eventit, hotele në afërsi, bare, agroturizmat në afërsi, agjencitë e operatorët turistikë, ATM-të, spitalet e qendrat shëndetësore, klinikat dentare.

Në aplikacion gjenden për momentin mbi 1100 hotele, restorante, agroturizma, bare, spitale, klinika, etj, shifër kjo, që do të rritet shumë shpejt.

Në TEA2.0 kemi përfshirë gjithashtu informacionet thelbësore të sigurisë dhe komoditetit të udhëtarëve e turistëve, të cilat gjenden te butoni INFO. Ky informacion ofron kontakte të emergjencës për policinë, ambulancën, zjarrfikëset, kontaktet për ambasadat, konsullatat si dhe kurse të besueshme të këmbimit valutor nga Banka e Shqipërisë.

Ne kemi integruar gjithashtu e-transportin, duke u ofruar përdoruesve akses të drejtpërdrejtë në informacionin e transportit përmes linkut, https://etransport.al/home.

Sot, dua të bëj një ftesë të përzemërt për të gjitha bizneset brenda industrisë së turizmit – hotele, restorante, agroturizma, po edhe banka dhe spitale apo klinika dentare, klinika wellness, kompani eventesh, – të shkarkojnë TEA – n dhe të bëhen pjesë e komunitetit tonë në rritje, sepse TEA tashmë me zgjerimin e karakteristikave të saj i jep mundësi çdo biznesi të aplikojë për t'u bërë pjesë e platformës TEA përmes web-it: albania.al.

Pjesëmarrja juaj është thelbësore në krijimin e një ekosistemi turistik të gjallë dhe dinamik. Duke përdorur këtë platformë, ju mund të promovoni shërbimet tuaja, të tërhiqni më shumë klientë, duke kontribuar kështu të gjithë së bashku në reputacionin e Shqipërisë si një destinacion i rëndësishëm, i plotë turistik në rajon.

Turizmi cilësor është objektivi kryesor në vizionin e Kryeministrit Rama dhe Ministres Kumbaro, ku tradita dhe inovacioni bashkohen, për të krijuar një identitet unik në zhvillimin e turizmit shqiptar. Këtë vit, Agjencia Kombëtare e Turizmit prezantoi brandimin e ri të Shqipërisë duke i ftuar turistët me sloganin: “Albania all Senses”. Pikërisht për të ndjerë të gjitha emocionet, shijet, ndjesitë e Shqipërisë turistike dhe për të qenë gjithashtu komod dhe i sigurt, vetëm me një klik në celularin tuaj, guida më e mirë për ju është, – Aplikacioni TEA.

Dhe në mbyllje, dua të nënvizoj fuqinë e bashkëpunimit sepse TEA, i rritur në këto përmasa përfaqëson përpjekjen e përbashkët të shumë institucioneve, organizatave, individëve, që përtej detyrës, ndajnë bashkarisht pasionin për të shfaqur më të mirën e Shqipërisë turistike.

Dua të shpreh mirënjohjen time më të thellë për të gjithë “aktorët”, të përfshirë në këtë projekt, – që nga Kryeministri i vendit jo vetëm ideatori i këtij projekti, po edhe promotori i palodhur për realizimin e këtij bashkëpunimi; Ministrja Kumbaro mbështetëse e fortë e TEA – s , MEKI – n dhe Ministrin me stafin e tij, të gjithë kryebashkiakët dhe ekipet e bashkive nga Tirana, Shkodra, Vlora, Durrësi, Gjirokastra, Berati, Saranda, Përmeti, Himara, Kukësi, Lezha, Tepelena, Belshi, Vau i Dejës; dhe një falenderim me shumë mirënjohje për ekipin e përkushtuar të Agjencisë Kombëtare të Turizmit, të palodhurit, të duruarit në koordinimin e të gjithë kalendarëve, emocioneve anembanë vendit.

Falenderim për Bankën e Shqipërisë dhe Guvernatorin, falenderim për partnerët e industrisë së biznesit të turizmit dhe një partner, që do të shoqërojë në rrugëtimin tonë drejt ITB, – Kompania ONE (ONE Communications). Uroj që fuqia jonë bashkëpunuese ta mbajë gjithmonë në trend – Aplikacionin TEA. Le ta përqafojmë këtë mundësi për të inovuar, bashkëpunuar dhe festuar gjithçka, që e bën Shqipërinë tonë turistike, të jashtëzakonshme.

Ju ftoj të ndjekim spotin e ri të TEA – s, udhërrëfyesi digjital i Shqipërisë turistike. Fjala përmbyllëse e eventit: ….

Faleminderit Zoti Kryeministër për të gjithë idetë dhe kontributin tuaj në zhvillimet e TEA – s, udhërrëfyesit digjital të Shqipërisë turistike. Ne sot angazhohemi se projekti i rradhës do të jetë “TEA Storytelling”, që do të na rrëfejë historitë e destinacioneve turistike, natyrore, destinacioneve të trashëgimisë kulturore, e të tjera histori të ditëve të sotme, …ku do të jetë stacioni i rradhës i TEA3.0??

Dhe tani të nderuar miq ju ftoj në një udhëtim plot ngjyra të destinacioneve më të bukura turistike, përmes ekspozitës “Shqipëria në akuarel”, të mjeshtrit, piktorit Helidon Haliti, Janë 50 punime në akuarel, që prezantojnë mjeshtrinë e tij artistike mbi bukuritë e vendit tonë, nga Alpet e deri në bregdetin jugor. Ky udhëtim përmes pikturave do të shoqërohet nga performanca muzikore e Keli Band dhe vajzave DJ, të cilat do të ekzekutojnë muzikë etno-elektronike të rrymave organix. Shijojeni!

Shpërndaje në: