Nga data 24-28 janar, Shqipëria do të prezantojë bukuritë dhe destinacionet e saj unike përmes stendës së ngritur në Panairin e 44 #FITUR2024 në Madrid.
Në këtë festë të përvitshme të turizmit mbarëbotëror, e organizuar nga #IFEMAMADRID, Shqipëria do të ekspozojë potencialin e saj turistik, duke ndërthurur parajsën detare, me bukurinë magjepsëse të shpateve të Alpeve të thepisura, historinë dhe trashëgiminë e pasur kulturore dhe traditat unike, sitet UNESCO, thesaret e pazbuluara si dhe kulinarinë e shumëllojshme, pa lënë mënjanë mikpritjen e shqiptarëve.
Në Panairin FITUR2024 marrin pjesë këtë vit 9 000 kompani, nga 152 vende të botës me plot 806 tituj ekspozimi, të cilat do të shpalosin ofertën e tyre në 9 pavijone.
Gjatë ditëve të panairit do të zhvillohen takime të rëndësishme për të diskutuar mbi zhvillimet e rëndësishme të turizmit që reflektojnë rritjen e sektorit global të turizmit me shifra rekord, bashkëbisedime e panele me profesionistë të industrisë së turizmit.