Përmbyllet Panairi Ndërkombëtar i Turizmit FITUR në Madrid

Panairi Ndërkombëtar i Turizmit FITUR, i mbajtur në Madrid më 24-28 Janar u përmbyll me sukses për Shqipërinë, e cila promovoi për gjithë botën turistike ofertën e saj unike, mbi turizmin natyror në bukuritë e alpeve, peizazhet e brigjeve detare, turizmin e trashëgimisë kulturore, mikpritjen tradicionale dhe kulinarinë e prodhimet artizanale.

Përgjatë ditëve të Panairit, stenda e Shqipërisë mes 152 shteteve pjesëmarrëse, ishte ndër më të vizituarat dhe interesi për të njohur vendin tonë si destinacion i turizmit të qëndrueshëm ishte tejet i lartë.

Bashkë me takimet e nivelit të lartë shtetëror të mbajtura në stendën tonë nga kryeministri Edi Rama dhe Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, gjatë këtyre ditëve u zhvilluan shumë takime nga Drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Turizmit, Zana Çela me partnerë të huaj, tur-operatorë të huaj dhe shqiptarë, ku u bisedua për bashkëpunime në fushën e turizmit dhe strategji të reja në promovimin e turizmit dhe prezantimin e Shqipërisë si një nga destinacionet lidere në rajonin e Evropës Juglindore e më gjerë.

Nën interesin spektakolar të të gjithë të interesuarve, kompani, biznese, media, e pushues nga Spanja e vende të ndryshme të botës morën përgjigje nga stafi i AKT-së mbi kërkesat e tyre për atraksionet e magjishme, që ofron Shqipëria. Tashmë, pas Madridit plot diell, vendi ynë përgatitet për një tjetër Panair të rëndësishëm.

Shpërndaje në: