Mblidhet në Tiranë Komisioni për Evropën i Organizatës Botërore të Turizmit

Shqipëria do të jetë kryefjalë e turizmit evropian teksa për herë të parë do të mirëpresë mbledhjen e Komisionit për Evropën të Organizatës Botërore të Turizmit, në datat 7 – 9 Prill. 

Në takimin e 70 të Komisionit për Europën të UNWTO pritet të mblidhen në Tiranë ministra të Turizmit dhe përfaqësues të lartë nga 40 vende të Evropës.

Marrëveshja për mbajtjen e këtij takimi, u nënshkrua nga Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro dhe Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Turizmit Zurab Pololikashvili, në muajin mars në Berlin, gjatë ditëve të Panairit Ndërkombëtar të Turizmit ITB Berlin 2024. Ky takim do të shoqërohet edhe me një Forum Investimesh.

Gjithashtu, mbledhja e këtij komisioni dedikuar turizmit vjen një muaj pas shpalljes zyrtarisht të Shqipërisë “Vendi i nderit” në Panairin më të madh Ndërkombëtar të Turizmit ITB Berlin 2025.

Më herët, Organizata Botërore e Turizmit e renditi Shqipërinë në vend të parë në Evropë për flukset turistike për vitin 2023. Pasi arriti rekordin e mbi 10 milionë turistëve të huaj që vizituan vendin tonë në vitin 2023, Shqipëria gjatë dy muajve të parë të vitit 2024 sipas të dhënave të publikuara nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, priti rreth 1 milionë vizitorë të huaj. 

Shpërndaje në: