test

Himara, Shpirti mesdhetar i qyteteve të vogla të Jonit

Himara, Shpirti mesdhetar i qyteteve të vogla të Jonit

Rrugës përgjatë rivierës së mrekullueshme shqiptare shfaqet bregdeti shkëmbor i Shqipërisë së Jugut, i mbushur me fshatra piktoreskë, ku jetojnë rreth 28,000 banorë. Vizitorët mund të zgjedhin midis destinacioneve të bukura turistike, të Palasës, Dhërmiut, Iliasit, Vunoit, Himarës, Pilurit, Kudhësit, Qeparoit, Borshit, Piqerasit, Sasaj, Lukovës, Corajt, Kuçit, Kallaratit, Bolenës dhe Vranishtit. Krahina e Himarës, pjesë e Qarkut të Vlorës, shtrihet në jug-perëndim të Shqipërisë, përgjatë brigjeve të detit Jon, e kufizuar në verilindje me vargmalin e Çikës dhe Karaburunit pjesë e maleve Akrokeraune. Himara me panoramën e saj magjepsëse dhe klimën tipike mesdhetare është një nga qytetet më të rëndësishme turistike bregdetare të Shqipërisë.

Qyteti i vjetër i Himarës dhe kalaja e saj, të ndërtuara mbi kodër janë monumente të rëndësishme të historisë së Shqipërisë, që dëshmojnë për ndërtime të periudhës ilire në këto treva shqiptare. Himara e vjetër është e organizuar përreth kalasë së vjetër dhe zonës bregdetare të Spileas, qendër turistike dhe ekonomike e zonës.

Himara ka një shëtitore përgjatë bregut të detit, ku janë ngritur taverna të shumta të stilit mesdhetar. Në veri të Himarës, vizitorët mund të zbulojnë fshatrat shkëmborë Vuno, Ilias, Dhërmi dhe Palasë. Dhërmiu është një nga destinacionet më të preferuara nga turistët e huaj dhe vendas, falë rritjes së numrit të resorteve dhe bareve e restoranteve të bukura pranë brigjeve.

Gjithashtu për ata që janë të dashuruar pas historisë ekziston edhe mundësia për të vizituar kishat e ndryshme që ndodhen brenda kalasë së Himarës, e ndërtuar gjatë antikitetit. Kisha e Virgjëreshës Mari ose Kisha Episkopale, që u ndërtua në vendin e një tempulli të lashtë kushtuar perëndisë Apollon, si dhe kishën e të Gjithë Shenjtorëve, lehtësisht e vizitueshme në hyrje të kalasë, janë disa nga kishat më të spikatura brigjeve të Himarës.

Disa nga sugjerimet tona për të vizituar:

· Kalaja e Porto Palermos

· Plazhi i Palasës

· Plazhi i Llamanit

· Plazhi i Qeparoit

· Shpella e Piratëve

· Gjiri i Gramës

· Manastiri i Panaisë

· Kështjella e Sopotit, Borsh

 

Për më shumë vizitoni:

Bashkia Himarë 

Shperndaje: