Në mjediset e ish – Hotel Dajtit, sot Selia Qendrore Nr. 2 e Bankës së Shqipërisë u zhvillua eventi promovues i Shqipërisë turistike dhe udhërrëfyesit të saj digjital TEA, i cili tashmë është rritur dhe shndërruar në një guidë digjitale turistike që u ofron vizitorëve evente, destinacione të trashëgimisë kulturore, shërbime turistike dhe utilitare, duke paraqitur Shqipërinë turistike në të gjitha dimensionet e saj.
TEA 2.0, nuk është thjesht një përmirësim, është një revolucion në mënyrën si e promovojmë Shqipërinë turistike, u shpreh Drejtoresha e Përgjithshme e AKT-së gjatë fjalës së saj.
“Nëse për prezantimin e lindjes së Aplikacionit TEA u zgjodh Piramida, godina simbol e inovacionit dhe teknologjisë, përzgjedhja e ish – Hotel Dajtit, një nga godinat emblematike të Tiranës, dikur ikonë e turizmit në Shqipëri, për ngjarjen e rëndësishme të zgjerimit me zhvillime e karakteristika të reja të TEA 2.0, simbolizon angazhimin për të harmonizuar fort traditën dhe inovacionin, në promovimin e zhvillimit të Shqipërisë turistike”, theksoi Drejtoresha e Përgjithshme e AKT-së.
Ajo ftoi të gjithë bizneset brenda industrisë së turizmit dhe institucionet bankare të pranishme të shkarkojnë TEA-n dhe të bëhen pjesë e këtij komuniteti në rritje pasi pjesëmarrja është thelbësore në krijimin e një ekosistemi turistik të gjallë dhe dinamik.
Kryeministri Edi Rama u shpreh ndër të tjera se “Aplikacioni TEA është një pasqyrë për të parë atë që ndodh në realitet. Dhe në realitetin e zhvillimit të turizmit ne kemi përfshirë një komponent që çdo vit bëhet më i pranishëm, aktivitetin e përditshëm kulturor dhe artistik si një hapësirë, që i ofron turistëve dhe vizitorëve mundësira përtej plazhit, diellit, rërës. Ky aspekt nxit edhe krijimtarinë kulturore dhe artistike për ta bërë Shqipërinë në rajon “Europën e Ballkanit”.
Ministrja e Turizmit, Mirela Kumbaro konfirmoi se “ky është një moment i promovimit të turizmit, një diplomaci digjitale për prezantimin e Shqipërisë. Turizmi është ekonomia e kënaqësive dhe TEA është një motorr ekonomik ku partneriteti mes sektorit publik dhe privat simbolizon një situatë ku fitojnë të gjithë”.
Për Ministrin e Inovacionit Blendi Gonxhja, TEA është një aplikacion që jetëson shprehjen “të gjithë për një dhe një për të gjithë”, – duke riorientuar dhe shërbyer për të maksimalizuar agjendën kulturore, programet dhe investimet drejt një turizmi gjithëpërfshirës dhe të qëndrueshëm.
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko theksoi në fjalën e tij se turizmi është rruga integrale për zhvillimin e vendit dhe TEA është një instrument, që forcon partneritetin publik dhe privat me qëllim zhvillimin ekonomik të vendit.
Eventi u mbyll me ftesën drejtuar të pranishmëve dhe të gjithë vizitorëve se për të ndjerë të gjitha emocionet, shijet, ndjesitë e Shqipërisë turistike dhe për të qenë komod dhe të sigurt në udhëtimin tuaj, vetëm me një klik në celular, guida më e mirë për ju është – Aplikacioni TEA.