“Italia e bukur” vjen në Shqipëri në kuadër të Javëve Kulturore

“Bella Italia” (Italia e bukur) rikthehet në Shqipëri me një buqetë aktivitetesh në kuadër të Javës Kulturore Italiane, për të kremtuar me adhuruesit e artit italian këtë ndërthurje të pashterrshme të dy kulturave tona mesdhetare, nga data 2 Qershor deri në 9 Qershor. 

Kjo javë do të çelet mbrëmjen e 2 Qershorit në Butrintin magjik, i cili do të shkëlqejë nën tingujt e pavdekshëm të operave të kompozitorit Giacomo Puccini, Tosca, Madama Butterfly, Mimi dhe Turandot, të vëna në skenë përmes baletit “Voci di donne” nga kompania Artemis Danza. Ky krijim i ri nga Monica Casadei, që i kushtohet katër heroinave magjepsëse të kompozitorit Puccini-t, vjen me rastin e Festës Kombëtare të Italisë dhe për të përkujtuar njëqind vjetorin e misionit të parë arkeologjik të luigi M.Ugolinit në Shqipëri. 

Më 3 Qershor, do të prezantohet në Vlorë “Instituti Kombëtar i Kështjellave” italiane me pjesëmarrjen e Presidentes Michaela Stagno d’Alcontres; po kështu albumi muzikor “Na Strada Miezz o Mare” e kantautorit të famshëm italian Fabrizio De Andre; më 3 Qershor ora 16:00 në Muzeun Arkeologjik Kombëtar në Tiranë do të organizohet konferencë me rastin e njëqind vjetorit të zbulimit të Butrintit nga arkeologu Luigi M. Ugolini; në orën 20:00 në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit dueti “Gesualdo Classic Duo” do të interpretojnë një koncert për piano dhe violin Riccardo Zamuner dhe Nicole Brancale. 

Gjithashtu një sërë aktivitetesh do të sjellin festë në disa qytete si: më 4 Qershor, ora 11:00 në Vlorë do të festohet me eventin kushtuar Vlorës, si qyteti europian i sportit, ku do të prezantohet Dita e Sportit italian në botë; në sheshin e Gramshit më 4 Qershor, dhe në mjediset e “Reja” në Tiranë vjen A.N.A. Bolzano Choir (Associazione Nazionale degli Alpini) me një koncert me këngë popullore e alpine, i drejtuar nga mjeshtri Werner Redolfii; më 4 Qershor ora 12:00 në sokaket e Gjirokastrës shpaloset parada dhe ekspozita e makinave ‘vintage’ nën ritmet e muzikës. 

Kremtimi i Festës Kombëtare të Italisë do të kulmojë në sheshin “Italia” në kryeqytet në orën 21:00  me koncertin e Marsela Çibukaj dhe shijimin e momenteve të gëzuara në shesh me “street food” në një arenë të “Pizza Village”; ndërsa Ekrani i Artit vjen në 5 Qershor – 9 Qershor në Shkodrën e bukur plot traditë me projeksione, dokumentarë dhe shfaqje muzikore nga artistja Claudia Losi. 

Java e Kulturës italiane vijon me aktivitete edhe në Kalanë e Rozafës, në Muzeun e Fotografisë Marubi, Muzeun Onufri në Berat dhe me disa ekspozita që do të vijojnë të përcjellin artin Italian, ndërsa në 7 qershor në Sheshin Italia, Diodato, fituesi i Festivalit të Sanremos “do të bëjë zhurmë” me këngën “Fai Rumore”, në shesh me një koncert plot surpriza e ritme italiane. 

Eventet e Javës Kulturore të Italiane i gjeni në Aplikacionin TEA. Shkarko TEA për t’u orientuar dhe përjetuar ditët e pushimit në Shqipëri!

Link: https://qrco.de/tea-albania

Shpërndaje në: