Java Braziliane, Karnavalet e famshme të Rio-s festojnë në Lungomare

Me një festë të jashtëzakonshme plot ngjyra e shije vjen për herë të parë në Shqipëri, Java Kulturore Braziliane, nga 21 Qershori në 29 Qershor, e cila do të kulmojë me Karnavalet e famshme braziliane që do të zbresin buzë gjirit të Vlorës për një natë të paharrueshme në Lungomare. 

Gjatë Javës Kulturore Braziliane, adhuruesit e artit dhe kulturës do të kenë mundësi të ndjekin Natën Poetike Braziliane, pranë Teatrit Metropol më 21 Qershor, ku poezia dhe proza do të ndërthuren bukur me tingujt e përkryer të pianos nga Reginaldo Mordenti Junior. Adhuruesit e pozisë do të përjetojnë letërsinë braziliane me lexime në shqip dhe portugalisht, të autorëve të njohur si Hilda Hilst, Fernando Pessoa dhe Machado de Assis. 

Në 24 Qershor, ora 19:00, në Qendrën Kulturore të Katedrales Ortodokse do të organizohet Koncerti i harqeve “Camerata Balcanica”, ku do të interpretojë ansambli i njohur “Camerata Balcanica”, një grup artistësh të rinj dhe të talentuar të muzikës klasike nga Ballkani Perëndimor, të cilët do të sjellin në skenë një përvojë të jashtëzakonshme muzikore dhe shijen e veçantë të muzikës braziliane në zemër të Ballkanit. 

Filmi brazilian “Behind the Sun” do të shfaqet në Kinema Millenium mbrëmjen e 25 Qershorit, ora 19:00. Ky film është një vepër kinematografike që trajton tema të thella dhe prekëse në kontekstin e Brazilit rural. Filmi u realizua në vitin 2001, me regji të Walter Salles, një nga emrat më të njohur në kinematografinë braziliane, i njohur gjithashtu për filmin “Central Station” dhe “The Motorcycle Diaries”. “Behind the Sun” është një shembull i shkëlqyer i fuqisë së kinematografisë për të treguar histori të thella dhe të ndjera, duke përdorur një narrativë të fuqishme frymëzuar nga “Prilli i thyer” i Ismail Kadaresë.

Gjithashtu, në 27 Qershor, në Qendrën e Artit Agimi në kryeqytet, në ora 20:00 do të shfaqet filmi brazilian “Bossa Nova”, një komedi romantike e vitit 2000, me regji të Bruno Barreto. Filmi tregon historinë e një grupi njerëzish në Rio de Janeiro, të cilët ndërlidhen përmes dashurisë dhe pasionit për muzikën e njohur braziliane Bossa Nova. Me një kast të shkëlqyer aktorësh, duke përfshirë Amy Irving dhe Antônio Fagundes, “Bossa Nova” sjell në ekran magjinë e Rio-s dhe bukurinë e muzikës që ka pushtuar zemrat e njerëzve anembanë botës. 

Java Kulturore Braziliane e organizuar nën kujdesin e Ambasadës së Brazilit dhe Ministrisë së Kulturës dhe Inovacionit (MEKI) do të përmbyllet me një spektakël unik karnavalesh braziliane në Lungomaren e Vlorës, më 29 Qershor, ora 19:30. 

Ata që nuk i kanë parë ende karnavalet e Rio-s nga afër do të mund të përjetojnë magjinë e Karnavaleve Braziliane në një manifestim kulturor që do të sjellë ritmin, ngrohtësinë dhe ngjyrat e Brazilit në zemrën e bregdetit. 

Karnavalet Braziliane do të sjellin për publikun një performancë e mrekullueshme, duke përfshirë perkusionistë të talentuar brazilianë, balerina dhe kërcimtarë profesionistë të disiplinës Capoeira që me lëvizjet e tyre do të na tërheqin në botën ritmike të karnavaleve. Në këtë shfaqje të jashtëzakonshme, nuk mund të mungojë edhe Capoeira, arti i veçantë brazilian i kërcimit luftarak. Kjo disiplinë, paraqet përmes lëvizjeve të kërcimtarëve, akrobacitë dhe lëvizjet e magjishme, që i shtojnë dinamikë dhe bukuri kësaj shfaqjeje ekzotike. 

Shijojeni këtë festë të kulturës braziliane në Shqipëri!

Shpërndaje në: