Kryeqendra e veriut të Shqipërisë, Shkodra e bukur përgatitet për të kremtuar festën e Karnavaleve, në datat 23, 24 dhe 25 Shkurt 2024.
Rrugët e Shkodrës n’Karnaval do të mbushen plot me ngjyra e maska personazhesh klasike e historike për të festuar këtë traditë të mrekullueshme shumëvjeçare të qytetit historik.
Bashkia e Shkodrës do të organizojë tri ditë e net festive në qytet dhe fton të gjithë të apasionuarit t’i bashkëngjiten kësaj atmosfere festive, ku nuk do të mungojnë aktivitetet e ndryshme, muzika e bukur, ushqimet e shijshme, mbi të gjitha humori i hollë shkodran dhe shumë gaz e hare.
“Rrugët e Shkodrës n’Karnaval” vjen si një festë shumëngjyrëshe për të përjetuar bukur si dikur
traditën shumëvjeçare të shkodranëve, kur “surretënit” siç njihen karnavalet, shëtisnin rrugëve të qytetit me maska, trokitnin derë më derë, kërcenin, këndonin e dëfrenin dhe shpërbleheshin me petulla karakteristike e fruta të thata.
Gjatë kësaj feste janë shumë interesante maskat e bukura veneciane, të cilat prodhohen në mënyrë artizanale në një punishte në Shkodër, të dedikuar artit venecian të maskave dhe dekoreve me tema personazhesh të shumëllojshme historike, të cilat janë përdorur edhe në filmin hollivudian “Eyes Wide Shut”.