test

“Zbulo bukurinë e Lezhës- Qyteti i Besëlidhjes së Skënderbeut”

Aty ku lumi Drin i jep fund rrugëtimit të vet nëpër Shqipëri dhe bashkohet me detin Adriatik, aty ku takohen zgjatimet e fushave pjellore të Zadrimës, aty ku në majen e një kodre në formë piramide (Mali i Shelbumit) dallohen bedenat e Kalasë Mesjetare, dëshmohet në vijimësi një ndër vendbanimet me të hershme mesdhetare: Lezha.

Nga pikëpamja gjeometrike, gjeografike dhe ekologjike, Lezha përbën një kaleidoskop të mrekullueshëm të natyrës, gati një lloj principate të pashembullt ekologjike, ku mali, fusha, pylli, monumentet arkeologjike dhe historike, laguna dhe deti, përbëjnë një unitet të spikatur.

Lezha është një grishje e përhershme dhe një estetikë e gjallë e objekteve dhe qytetërimit iliro-shqiptar, një stacion i mijëvjeçarëve dhe i kënaqësive të veçanta të udhëtarëve.

Si i tillë ky qytet ka qenë i banuar nga popullsi ilire qysh në shekullin VIII para Krishtit. Emri i tij “Lisso” e “Lissus”, mendohet se janë ngjyrim linguistik i emrit të vjeter ilir “Lisi”. Në Lezhë, janë organizuar aktivitete politiko-kulturore të nivelit të lartë kombëtar, si: Besëlidhja e Princave (2 mars 1444) ku u themelua shteti i parë mbi bazën e principatave, Kuvendi i Arbërit (14 janar 1703), me nismën e Papës me origjine shqiptare Klementi i XI.

Në këtë qytet nis dhe përfundon historia e heroit kombëtar. Besëlidhja e Princave dhe vendvarrimi i Gjergj Kastriot Skenderbeu janë arsyet e vizitave historike, ku më 17 janar 1468 në Katedralen e Shën Nikollit në Lezhë është varrosur heroi kombëtar Gjergj Kastriot – Skenderbeu.

Çdo tregim mitologjik për Lezhën i paraprin historisë së saj plot motive dhe kontraste nga më të ndryshmet. Jo më kot kronikania dhe eruditja bizantine Ana Komnena në shek.XII e quan Lezhën “një qytet të ngritur në ajër që mund të shihet nga të gjitha anët”. Nuk është thjesht metaforë e skajshme por vetvetiu çdo shikues mund ta vështrojë Lezhën në lartësinë e historisë së saj, në ajrin e shekujve si të dalë nga frymëmarjet poetike të poetit Mjeda, që ka shkruar mrekullisht dhe poetikisht për Lezhën. Në Lezhë, nga të katër anët të rrethojnë metaforat e historisë. Çdo njeri jeton midis tyre dhe këtu qëndron vetë sekreti i mbijetesës.

Lezha mund t’i ofrojë të gjitha. Këtu ndërthuren bregdeti me historinë, natyrën dhe kulinarinë e pasur duke e bërë Lezhën një destinacion për turizëm gjithëvjetor.

Në portat e Lezhës mund të hysh pa trokitur, dhe duke e njohur sa më shumë, vetëm mund të magjepsesh prej saj.

Disa nga sugjerimet tona:

1. Vrojtim zogjsh në lagunat e Kune–Vainit. Për vizitorët janë ndërtuar tre kulla vrojtimi, një në Kune dhe dy në zonën e Vainit. Ato shërbejnë për të eksploruar zonën si dhe për të vrojtuar shpendët e shumtë.

2. Të vizitosh Memorialin kushtuar heroit kombëtarë Gjergj Kastrioti dhe vendit ku u mbajt Beselidhja e Lezhës.

3. Të vizitosh kalanë e qytetit, ku veç historisë do të të mundësohet një peisazh mahnitës që depërton thellë në det, por duke soditur lumin, lagunat, fushat, malet dhe krejt qytetin.

4. Mund të vizitoni objektet e shumta të kultit, të cilat përveç vlerave religjioze kanë edhe vlera arkitektonike dhe historike. Disa prej tyre janë unike. (Katedralja e Shën Nikollit në qendër të Lezhës, Xhamia e qytetit, kisha Kisha Ortodokse Metamorfoza në hyrje të qytetit, Teqeja N’Sulti në Malësi të Lezhës, kisha e Shën Eufemisë në Kallmet, kisha e Shën Premtes Balldre etj.).

5. Ngjije sportive në malin e Rrencit (Shëngjin) apo në malin e Velës, që do t’u mundësojnë gjatë gjithë rrugës peizazhin natyror që përshkohet nga kaltërsia e detit si dhe histori të jashtëzakonshme.

6. Peshkim në det apo në grykëderdhjen e lumit Drin.

Për më shumë informacion vizitoni:

Bashkia Lezhë

Shperndaje: