



Tropoja, perla natyrore e Veriut
Tropoja mbetet thesari turistik i alpeve shqiptare sëbashku me bukuritë e Luginës së kristaltë të Valbonës.
Tropoja ndodhet në verilindje të Shqipërisë dhe kufizohet në veri me Malin e Zi, në jug me Rrethin e Hasit, në perëndim me Qarkun e Shkodrës dhe në lindje me Kosovën.
Tropoja është një zonë tipike malore, ku hapësirën më të madhe të sipërfaqes së rrethit e zënë malet e larta e të thepisura. Lartësia mesatare e rrethit të Tropojës është ndër më të lartat në Shqipëri, – 1105 m mbi nivelin e detit.
Klima në Tropojë është malore në zonën e Alpeve dhe mesdhetare kontinentale në pjesën tjetër, e karakterizuar me dimër të gjatë e të ashpër dhe verë të shkurtër e të freskët.
Rrethi i Tropojës është i pasur me ujëra natyrorë dhe laget nga lumenj të shumtë, me ujëra të kthjellëta e liqene akullnajore, të cilët krijojnë lugina magjepsëse me vlera turistike dhe shkencore. Ndër të gjithë pikas Lumi i Gashit, lugina e të cilit është shpallur Park Kombëtar i kategorisë së parë dhe Lumi i Valbonës, lugina e të cilit është shpallur Park Natyror Kombëtar.
Nuk të bie shpesh rasti të shohësh një zonë aq të bukur sa Tropoja dhe mrekullitë e saj natyrore; një truall i pasur me burime të pashtershme mbi e nëntokësore, me rreth 200 lloje bimësh mjekësore e aromatike e deri tek mineralet si kromi i Rragamit e Kamit, boksitet e Valbonës e Majës së Hekurave dhe kuarcin e Kërrnajës.
Në Tropojë ndodhet masivi më i madh i gështenjave, jo vetëm në Shqipëri po edhe në Ballkan, I favorizuar nga lartësia e konsiderueshme mbi nivelin e detit dhe variacioni i terrenit malor dhe kullotave alpine.
Turizmi është sektori më premtuese për të ardhmen, sidomos ai malor i cili është i zhvilluar kryesisht në Luginën e Valbonës, por edhe në shumë atraksione të tjera të pashfrytëzuara.
Njihuni dhe shijoni virtytet e bujarisë, mikpritjes, bukurisë natyrore dhe gastronomisë autentike të Tropojës.
Për më shumë vizitoni: