Tirana

Tirana, kryeqyteti i rinisë

Tirana, kryeqyteti i Shqipërisë, si të gjitha kryeqytetet evropiane ka lëvizje dhe energji të pafundme. Mikpritja ndaj turistëve është ndjesia që do të shënjojë udhëtimin tuaj në kryeqytetin e Shqipërisë, po edhe në të gjithë vendin.

Ka mendime të ndryshme lidhur me origjinën e emrit të qytetit. Disa mendojnë se ka të bëjë me Tyrreninë (një emër prej origjinës Etruske), ndërsa të tjerë besojnë se ajo lidhet me fjalën Theranda (korrje), ose me Tirkanin (një kështjellë në këmbët e malit Dajti).

Historia e Tiranës

Tirana është relativisht e re. Sulejman Pashë Bargjini, një prijës feudal, ndërtoi ndërtesën e parë në vitin 1614. Ai ndërtoi një xhami, një hamam dhe një furrë, të cilat në atë kohë ishin institucionet kryesore të një qyteti të sapolindur, pikërisht në vendin ku sot qëndron monumenti i Ushtarit të Panjohur. Në 1816, familja Toptani erdhi për të qeverisur qytetin. Data më e rëndësishme në historinë e Tiranës është 11 shkurt 1920, kur Kongresi i Lushnjës e shpalli Tiranën kryeqytetin e përkohshëm të Shqipërisë; statusi përfundimtar do të jepej në vitin 1925. Pas këtij akti, qyteti përjetoi rritje të vazhdueshme, e cila vazhdon dhe sot.

Arkitektët e njohur italianë projektuan qendrën e Tiranës me ndërtesat e shekullit të 20-të. Bulevardi Dëshmorët e Kombit u ndërtua në vitin 1930, ndërsa sheshi qendror, Sheshi Skënderbej, u ndërtua mes viteve 1928 dhe 1929. Në vitin 1968, në 500 vjetorin e vdekjes së tij, heroi kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu u përkujtua me një monument në sheshin Skënderbej. Njëzet vjet më pas, në shesh u shtua edhe monumenti i diktatorit komunist Enver Hoxha. Menjëherë pas 20 shkurtit 1991 me lëvizjen studentore u bashkua edhe populli dhe në 20 shkurtin e 1990-ës hoqën monumentin nga sheshi.

Monumente për t’u vizituar në Tiranë

Udhëtimi juaj mund të nisë duke vizituar muzetë dhe pikat kyçe të kryeqytetit shqiptar si Sheshi Skënderbej, ku do të mund të shihni Xhaminë e Et’hem Beut (e ndërtuar në mes të 1798 dhe 1812) dhe Kullën e Sahatit 35 metra e lartë, e ndërtuar në vitin 1822 me një kupolë të stilit të Shën Marku-t në Venecia. Ju mund të vizitoni mozaikun e famshëm të zbuluar në dyshemenë e një shtëpie antike romake në unazën e brendshme të qytetit. Qendra e qytetit të lashtë janë muret e kështjellës së perandorit romak Justinian (520 p.e.s.), ku pranë saj është kalaja e Tiranës. Vlen të vizitohen  varri monumental i Kapllan Pashë Toptanit, pranë Maritim Hotel Plaza dhe Ura e Tabakëve (një urë e ndërtuar në fillim të shekullit të 19-të, që ndodhet në Bulevardin Zhan D’Ark). Kryeqyteti i Shqipërisë Tirana ofron për turistët muze, teatro dhe galeritë më të bukura të vendit që përfaqësojnë artet kombëtare.

Një vizitë në Muzeun Historik Kombëtar, Muzeun Arkeologjik, Muzeun e Shkencave Natyrore, Muzeun Privat Mezuraj dhe Galerinë Kombëtare të Arteve do të lënë kujtime të mrekullueshme. Ju gjithashtu mund të kaloni një mbrëmje të këndshme në Teatrin e Operas dhe Baletit. Tirana ofron një kuzhinë tradicionale të pasur si dhe një shumëllojshmëri gatimesh të huaja nga kuzhinat italiane, turke, greke, kineze, japoneze, madje dhe indiane. Mali i Dajtit një nga atraksionet natyrore të kryeqytetit bashke me panoramën e bukur ofron edhe bare dhe restorante për të zbuluar dhe shijuar momente unike nga Tirana. Mali i Dajtit është i arritshëm edhe me teleferik. Ai ofron një pamje fantastike të qytetit. Në rajonin e Tiranës mund të vizitoni edhe kalatë e Petrelës dhe Prezës, muret e Persqopit si dhe disa atraksione natyrore, siç është Shpella e Pëllumbasit, Shkalla e Tujanit, apo Ujvarën e Shën Gjergjit etj.

Jeta e natës në Tiranë

Tirana është qendra dinamike e Shqipërisë. Ka shumë vende për të argëtuar dhe shumica prej tyre qëndrojnë të hapur gjatë gjithë natës. Baret dhe klubet mund të gjenden në të gjithë qytetin, veçanërisht në zonën e “ish – Bllokut”, duke luajtur të gjitha llojet e muzikës live, përfshirë xhazin, muzikën house, funk, latine etj. Ju mund të zgjidhni të shkoni në një bar irlandez ose në një restorant të stilit amerikan ku luhet muzikë hard rock. Tirana është shtëpia e Teatrit së Operës, Teatrit Kombëtar dhe shumë galerive të tjera dhe muzeve, në të cilat në vitet e fundit janë ftuar shumë artistë me famë botërore. Tirana gjithashtu ofron një gamë të gjerë baresh, ku mund të shijoni disa nga koktejlet më të mira gjatë shijimit të muzikës nga DJ të njohur.

Për më shumë informacion vizitoni:

Visit Tirana

Bashkia Tiranë

Shperndaje: