

Tepelena, qyteti i Ali Pashë Tepelenës dhe Vjosës – Mbretëreshës së lumenjve të Europës
Tepelena ndodhet në krahinën e Dervenit, në jug të Shqipërisë. Ky qytet përshkohet tej për tej nga lumi Vjosa dhe kufizohet në pjesën veri-lindore me malin e Shëndëllisë, në pjesën qendrore me malet e zonës së Kurveleshit, ndërsa më në jug me malin e Golikut, grykën e Mezhgoranit, që ndan si me thikë vargmalet Shendëlli – Lunxhëri – Bureto dhe Trebeshinë – Dhembel – Nëmërçkë. Dy lumenjtë nga më të mëdhenjtë e Shqipërisë,Vjosa dhe Drinos krijojnë një peisazh madhështor të preferuar nga turistë të huaj dhe vendas.
Ky qytet është në një pozicion strategjik e spektakolar me muret e saj kapur në anët shkëmbore, kurorëzuar nga kalaja e Ali Pashë Tepelenës. Përtej këtij qyteti të vogël, por historikisht interesant, gjenden fshatra me histori ashtu sikurse edhe malësia e Kurveleshit, përgjatë një rruge malore të pyllëzuar, ku mund të shihni edhe ujësjellësin e Aliut në Bënçë.
Tepelena është një vendbanim i hershëm, që lidhet me ndërtimin e një kështjelle në shek VII, të ngritur në këtë pikë strategjike në kryqëzimin e rrugëve të Vjosës, grykës së Këlcyres, Drinosit dhe Mallakastrës.. Në vitin 1789, qyteti u udhëhoq nga Ali Pashë Tepelena, i cili ngriti sarajet e tij, të cilët mbeten një nga atraksionet më të vizituara të këtij qyteti.
Uji i Ftohtë në Tepelenë, nuk është vetëm një destinacion turistik, që të drejton drejt jugut të Shqipërisë, po edhe një aset i traditës, i cili vijon të ngjallë kureshtje për adhuruesit e natyrës dhe turistët.
Kultura e Tepelenës është mbreslënëse pasi ajo përmbledh të gjitha trevat, që gjenden në të djathtë të luginës së lumit Vjosa dhe krahinën e Labërisë.
Disa sugjerime për t’u vizituar në qytetin e Tepelenës:
1.Lumi i fundit i egër i Europës, mbretëresha e lumenjve Vjosa
2.Kalaja e Ali Pashë Tepelenës
3. Ujësjellësi i Aliut në Bënçë
4.Uji i Ftohtë
5.Kanionet dhe Ujëvara e Nivicës
6.Vende të shenjta si xhami, kisha dhe teqe.