Zana Çela: Fuqia e artit visual për promovimin e Shqipërisë

 

 

Fjala përshëndetëse e Drejtoreshës së Përgjithshme të Agjencisë Kombëtare të Turizmit, Zana Çela në ceremoninë e ndarjes së çmimeve të Konkursit Ndërkombëtar të Fotografive dhe Video Reels “Wanderlust in Albania”.

“Të nderuar ambasadorë, përfaqësues të trupit diplomatik, të nderuar drejtues të lartë të institucioneve shtetërore, të bankave dhe të industrisë së turizmit, të dashur artistë e miq të ftuar!

Është një nder dhe kënaqësi e veçantë për mua që, në emër të Agjencisë Kombëtare të Turizmit, t’ju uroj mirëseardhjen në mbrëmjen gala të ndarjes së çmimeve të konkursit ndërkombëtar të fotografisë dhe video reels, “Wanderlust in Albania.”

Ky konkurs, në edicionin e tij të dytë, është dëshmi e një etape të re për turizmin tonë: ku Shqipëria nuk është më thjesht një destinacion turistik që po zbulohet, por një frymëzim që po shpërndahet dhe përjetohet globalisht.

Pjesëmarrja e gjerë, me konkurrentë nga 37 vende të botës, përfaqësues të pesë kontinenteve, na tregon se jo vetëm interesi për Shqipërinë po rritet me ritme të shpejta, por po rritet edhe angazhimi ndërkombëtar në promovimin e vendit tonë përmes syve, objektivave dhe historive të atyre që e kanë përjetuar Shqipërinë turistike.

Në këtë edicion kanë konkurruar qindra fotografë dhe videobërës, profesionistë dhe amatorë, që na kanë dhuruar mbi 5,050 imazhe, emocione, perspektiva dhe momente të rralla, të cilat pasqyrojnë autenticitetin, bukurinë dhe mikpritjen shqiptare, historinë dhe kulturën tonë.

Ky ishte edhe qëllimi ynë: që, përtej deklaratave dhe statistikave zyrtare që ndonjëherë mund të ngjallin skepticizëm, të përdorim fuqinë e artit vizual si një mjet promovimi të Shqipërisë turistike.

Përmes fotove dhe video reels magjepsëse, të prodhuara nga tregimtarët më autentikë, vetë vizitorët, sonte e në vazhdim, ne do të prezantojmë një tregim të pafiltruar dhe të dokumentuar vizualisht të Shqipërisë turistike.

Në këtë mbrëmje nuk jemi mbledhur vetëm për të ndarë çmime; jemi këtu për të celebruar fuqinë që ka turizmi për të ndërtuar ura, për të afruar kultura dhe për të treguar historinë e Shqipërisë turistike me metoda të reja të epokës digjitale.

Faleminderit të gjithë konkurrentëve që, përmes objektivit të tyre, janë kthyer në kontribues dhe ambasadorë të promovimit të Shqipërisë turistike.

Faleminderit, miq, për praninë dhe për mbështetjen tuaj në këtë rrugëtim promovues drejt një Shqipërie që shfaqet, vlerësohet dhe dashurohet nga e gjithë bota.”.

 

Shpërndaje në: