TEA 3.0: Guida digjitale e turizmit, tashmë edhe për plazhet

Agjencia Kombëtare e Turizmit ka hedhur një tjetër hap të rëndësishëm drejt dixhitalizimit të përvojës turistike në Shqipëri me prezantimin e versionit më të ri të aplikacionit TEA – TEA 3.0. Në një nismë të udhëhequr nga Drejtoresha e Përgjithshme, Zana Çela, TEA 3.0 ofron një përvojë të përmirësuar dhe më gjithëpërfshirëse për të gjithë ata që dëshirojnë të eksplorojnë bukuritë natyrore dhe kulturore të vendit.

 

 

Çfarë sjell e re TEA 3.0?

Versioni më i fundit i TEA-s, Guidës Digjitale 360° për turizmin në Shqipëri, përmban:

  • Informacion të detajuar mbi plazhet publike dhe private përgjatë të gjithë vijës bregdetare shqiptare;
  • Imazhe, përshkrime dhe koordinata të sakta për secilin destinacion bregdetar;
  • Mundësi raportimi të shkeljeve apo problematikave, duke e kthyer aplikacionin në një mjet bashkëpunues mes turistëve dhe institucioneve;
  • Evente kulturore, sportive dhe tradite, për të promovuar dimensionin shumëplanësh të turizmit në Shqipëri;
  • Shërbime utilitare, që ndihmojnë turistët në planifikimin dhe orientimin gjatë udhëtimit të tyre në Shqipëri.

TEA 3.0 nuk është thjesht një aplikacion informativ. Ai përfaqëson një filozofi të re të zhvillimit të turizmit, të bazuar në teknologji, transparencë dhe përfshirje qytetare. Përdoruesit tashmë kanë një burim të besueshëm në telefonin e tyre, që jo vetëm i orienton drejt përvojave më të mira, por edhe i fuqizon për të ndikuar pozitivisht në përmirësimin e shërbimeve.

Zhvillimi i TEA 3.0 është pjesë e strategjisë së përgjithshme të Agjencisë Kombëtare të Turizmit për të nxitur një model të qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës të zhvillimit turistik. Duke ndërtuar ura midis trashëgimisë natyrore, kulturës dhe teknologjisë, Shqipëria po pozicionohet gjithnjë e më shumë si një destinacion inteligjent dhe mikpritës në hartën e turizmit ndërkombëtar.

Shkarko TEA 3.0 në telefonin tënd dhe përjeto Shqipërinë si asnjëherë më parë!

Shpërndaje në: