Shqipëri – Egjipt: Bashkëpunim për promovimin dhe zhvillim turistik

Drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Turizmit Znj. Zana Çela mirëpriti në një takim Z. Khaled ElEnany – Ish-Ministër i Turizmit dhe Antikiteteve të Egjiptit dhe Kandidat për Drejtor të Përgjithshëm të UNESCO-s, si dhe Ambasadorin e Republikës Arabe të Egjiptit në Tiranë, Z. Hassan Shawky.

Në këtë takim, Drejtoresha e Përgjithshme e AKT-së e vuri theksin tek momenti i thellë transformues që Shqipëria po kalon në sektorin e turizmit.

“Vitet e fundit kemi regjistruar një rritje të ndjeshme të numrit të vizitorëve ndërkombëtarë, një diversifikim të tregjeve dhe një vëmendje të shtuar ndaj cilësisë së shërbimeve që ofrojmë. Nga brigjet kristal të Jonit dhe Adriatikut, tek Alpet mbresëlënëse në veri, nga qytetet muzeale si Berati dhe Gjirokastra, deri te fshatrat e zhytur në gjelbërim e traditë, Shqipëria po afirmohet si një destinacion autentik, i sigurt dhe gjithnjë e më i kërkuar në Mesdhe”, u shpreh Znj.Çela.

Gjithashtu, foli mbi vizionin e qartë të Qeverisë shqiptare për zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit, të ndërtuar mbi tri shtylla themelore:

  • Përmirësimin e infrastrukturës dhe digjitalizimin e sektorit,
  • Rritjen e cilësisë përmes trajnimit profesional dhe standarteve të reja,
  • Promovimin e turizmit gjatë gjithë vitit, për të thyer sezonin e shkurtër veror dhe për të nxitur forma të tjera të turizmit si ai kulturor, gastronomik, malor apo agroturizmi.

“Zhvillimet pozitive të këtyre viteve nuk janë rastësi, por rezultat i një pune të përbashkët mes institucioneve, sipërmarrësve dhe partnerëve ndërkombëtarë. Sot, më shumë se kurrë, kemi nevojë për shkëmbim përvojash me vende me traditë të gjatë në këtë fushë, siç është Egjipti” – nënvizoi Drejtoresha e AKT-së.

Khaled ElEnany, u shpreh se Autoriteti i Turizmit në Egjipt është i gatshëm të bashkëpunojë me AKT për të ndarë eksperiencën lidhur me dy nga projektet më efektive dhe të rëndësishme që kanë implementuar në fushën e promovimit të turizmit.

Nga janari deri në maj, Shqipëria ka regjistruar një rritje prej 53% në numrin e vizitorëve nga Egjipti, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024.

***

Në vijim gjeni të plotë fjalën e Drejtoreshës sv Përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Turizmit Znj. Zana Çela.

Është një kënaqësi dhe nder i veçantë për mua që, në emër të Agjencisë Kombëtare të Turizmit, t’ju uroj mirëseardhjen në Shqipëri – një vend i vogël në përmasa, por me një zemër të madhe, me histori të pasur dhe një mikpritje që është pjesë e ADN-së sonë kombëtare.
Vizita juaj sot nuk është vetëm një takim protokollar, por një mundësi e çmuar për të ndarë përvoja, për të ndërtuar ura bashkëpunimi dhe për të reflektuar mbi rëndësinë që ka turizmi në ndërlidhjen mes popujve tanë.
Shqipëria është në një moment transformimi të thellë në sektorin e turizmit. Vitet e fundit kemi parë një rritje të ndjeshme të numrit të vizitorëve ndërkombëtarë, një diversifikim të tregjeve dhe një vëmendje të shtuar ndaj cilësisë së shërbimeve që ofrojmë.
Nga brigjet e kristalta të Jonit dhe Adriatikut, tek Alpet mbresëlënëse në veri, nga qytetet muze si Berati dhe Gjirokastra – deri tek fshatrat e zhytur në gjelbërim e traditë – Shqipëria po afirmohet si një destinacion autentik, i sigurt dhe gjithnjë e më i kërkuar në Mesdhe.
Qeveria shqiptare ka një vizion të qartë për zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit, të ndërtuar mbi tre shtylla themelore:
      •     përmirësimin e infrastrukturës dhe digjitalizimin e sektorit,
      •     rritjen e cilësisë përmes trajnimit profesional dhe standarteve të reja,
      •     dhe promovimin e turizmit gjatë gjithë vitit – për të thyer sezonin e shkurtër veror dhe për të nxitur format e tjera të turizmit si ai kulturor, gastronomik, malor apo agroturizmi.
Zhvillimet pozitive të këtyre viteve nuk janë rastësi, por fryt i një pune të përbashkët mes institucioneve, sipërmarrësve dhe partnerëve ndërkombëtarë. Dhe sot, më shumë se kurrë, kemi nevojë për shkëmbim përvojash me vende që kanë një traditë të gjatë në këtë fushë – siç është Egjipti.
Egjipti, me thesarin e tij historik, me përvojën në menaxhimin e turizmit masiv dhe potencialin për zhvillim të qëndrueshëm, është një vend me të cilin ne dëshirojmë të forcojmë bashkëpunimin.
Kemi shumë për të mësuar nga njëri-tjetri: në mënyrën si ndërtojmë markën e vendit, si e trajnojmë fuqinë punëtore në turizëm, si promovojmë trashëgiminë kulturore dhe si krijojmë produkte që janë jo vetëm tërheqëse, por edhe të qëndrueshme për natyrën dhe komunitetin.
Bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Egjiptit në fushën e turizmit ka një potencial të madh, jo vetëm në shkëmbimin e turistëve, por edhe në fushën e investimeve, edukimit profesional, bashkëpunimit mes muzeve, organizimit të eventeve të përbashkëta dhe krijimit të ofertave rajonale për tregje të treta.
Zoti Ministër, vizita juaj në vendin tonë është për ne një burim frymëzimi dhe reflektimi. Ajo na kujton se turizmi nuk është vetëm një industri ekonomike – është një urë që lidh qytetërime, që promovon dialog, dhe që ndërton miqësi afatgjata.
Në emër të Agjencisë Kombëtare të Turizmit dhe të të gjithë atyre që punojnë për t’i dhënë Shqipërisë vendin që meriton në hartën turistike botërore, ju falënderoj për praninë tuaj dhe ju siguroj për vullnetin tonë të plotë për të forcuar marrëdhëniet me partnerë si Egjipti.

Ju uroj një vizitë të këndshme në Shqipëri – një vend i bukur për t’u zbuluar dhe

një mik i vërtetë për t’u mbajtur afër.
Faleminderit!
Shpërndaje në: