Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro prezantoi aktivitetet e Kalendarit Kombëtar të Vitit të Pyjve, siç është shpallur viti 2024. Gjatë komunikimit publik me kryetarët e bashkive, ku mori pjesë edhe ministri për Shtetin dhe Pushtetin Vendor Arbjan Mazniku, ministrja Kumbaro u shpreh se objektivat e vitit të pyjeve janë pjesë e një programi të gjerë aktivitetesh që parashikon më shumë se sa mbjellje pemësh.
Në fjalën e saj, ministrja Kumbaro adresoi gjithashtu problematika të menaxhimit të ekonomive pyjore për sa i përket administrimit nga ana e bashkive, ku në 33 bashki të vendit nuk ka asnjë plan mbarështimi. “Në këto dy vite monitorimi shumë të detajuar që Agjencia Kombëtare e Pyjeve dhe Ministria e Turizmit dhe Mjedisit ka bërë në secilën nga bashkitë, fatkeqësisht, rreth 8 vite nga kalimi i pyjeve në administrimin e bashkive rreth tetë vite nga kalimi i pyjeve në administrimin e bashkive, dhe katër vite pas hyrjes në fuqi të ligjit për Pyjet, na rezulton se më shumëse gjysma, pra 33 bashki nuk kanë asnjë Plan
Mbarështimi. Ka bashki që gjatë gjithë periudhës 8 – vjeçare që administrojnë pyjet, nuk kanë asnjë shpenzim si zë investimesh në fondin pyjor. Prandaj përfshirja dhe mirëkoordinimi në nivelin më të lartë të të gjithë aktorëve që nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, Agjencia Kombëtare e Pyjeve, tek Drejtoritë Pyjore nëpër bashki, Fakulteti i Shkencave Pyjore, shoqatat, grupet vullnetare e përfaqësues të biznesit është hapi i parë që “Vitin e pyjeve” ta kthejmë në një plan kombëtar e jo të bëjmë mbjellje sporadike sa për të thënë që po mbështesim vitin e pyjeve.
Dhe puna më e rëndësishme këtu u takon bashkive jo vetëm në përcaktimin e hartave, pyllëzimet, rigjenerimet e vegjetacioneve pyjore por në planifikimin e modeleve të menaxhimit”, u shpreh ministrja Kumbaro.
Nga ana tjetër, ministrja Kumbaro përmendi edhe rastet inkurajuese të 13 bashkive të vendit për investime në fondin pyjor gjatë vitit 2023, ku veçoi modelin e bashkisë së Tiranës, bashkinë e Elbasanit, Korçës, Përrenjasit, Kukësit, Devollit, Librazhdit, Poliçanit, Vaun e Dejës, Gramshin, Patosin.
Ndërsa, Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku u shpreh se përveç rolit jetik të pyjeve në situatën ku gjendet Shqipëria dhe gjithë globi sot, ato janë edhe një burim ekonomie. Ai prezantoi edhe programin mbështetës përbashkitë, i cili u jep zgjidhje disa prej problematikave më akute të lidhura me ekonomitë pyjore. Përveç aktiviteteve pyllëzuese, Kalendari Kombëtar i Vitit të Pyjeve, përfshin edhe aktivitete në ditët mjedisore, aktivitete edukuese me shkollat, projekte në kuadër të pyjeve që nga ngritja e sistemit të monitorimit e deri tek pajisja me mjete për mbrojtjen nga zjarret.