Konferenca Ndërkombëtare “Turizmi në Evropën Qendrore dhe Juglindore – Shtigje të Reja Zhvillimi”: Fjalimi i Drejtoreshës së Përgjithshme të AKT-së, Zana Çela

Zhvillimi i turizmit në Evropën Qendrore dhe Juglindore ishte në fokus të Konferencës së mbajtur më 27 shtator 2024 në Tiranë që u organizua nga Agjencia Kombëtare e Turizmit, në kuadër të Presidencës Shqiptare të Iniciativës Qendrore Evropiane (CEI) dhe Presidencës së Tiranës të Procesit të Bashkëpunimit në Juglindje të Evropës (SEECP).

Drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Turizmit, Zana Çela mbajti fjalën hapëse të konferencës, ku u përqendrua tek nevoja për të përmirësuar praktikat rajonale të turizmit dhe promovimi i rritjes së qendrueshme përmes edukimit dhe futjes së koncepteve inovatore në turizëm.

Në vijim, gjeni të plotë fjalimin e Znj. Zana Çela, Drejtorshë e Përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Turizmit. 

E nderuara zonja Ministre e Turizmit dhe Mjedisit,

Të nderuar përfaqësues të vendeve anëtare të Iniciativës së Evropës Qendrore dhe Es-I.I.-Si.Pi

Të nderuar kolegë të institucioneve homologe,

Në emër të Agjencisë Kombëtare Shqiptare të Turizmit, ju uroj një mirëseardhje të ngrohtë në Tiranë dhe mirëseardhje në Shqipëri, një vend që tashmë është një destinacion kryesor turistik në këtë rajon. Kam privilegjin të them disa fjalë hyrëse si Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë Komëtare të Turizmit.

Ne po jetojmë në një rajon aktualisht me dy luftëra pas derës. Por jemi dëshmitarë se qytetarët tanë, qytetarët e rajonit tonë, në të njëjtën kohë po e jetojnë jetën e tyre të përditshme në mënyrë shumë aktive. Njerëzit udhëtojnë, lëvizin, shkojnë me pushime dhe bëjnë turizëm.

Mënyra se si jetojnë njerëzit i ka shtyrë qeveritë tona të rishikojnë rregullisht politikat e tyre, ta bëjnë lëvizjen e qytetarëve më të lehtë, më të lirë dhe më të shpejtë dhe të mbështesin këtë industri në të gjitha dimensionet e saj.

***

Zonja dhe zotërinj,

Qeveria shqiptare do të shfrytëzojë rastin e kësaj konference sot, dhe në përgjithësi të presidencës së Iniciativës së Europës Qendrore, CEI-t dhe të Es-I.I.-Si.Pi-së për të bërë përpjekje më të mëdha për të arritur që të tërheqim sëbashku turistë drejt të destinacioneve turistike në rajonin e CEI-t, rajonin e Iniciativës së Evropës Qendrore dhe Evropës Jug-Lindore. Promovimi i ofertave të ndryshme turistike përtej turizmit tipik bregdetar dhe malor, por duke përfshirë edhe degë të reja, si: turizmi kulturor, agroturizmi, turizmi mjekësor, etj. do ta vendosnin rajonin tonë të CEI-t në një pozicion më të favorshëm si një destinacion turistik.

Megjithatë, për të rritur dhe zhvilluar turizmin në vendet tona, kërkohet të bëjmë më shumë. Sepse zotërimi i potencialeve turistike nuk mund të jetë garancia jonë e vetme për sukses. Ne duhet të synojmë të riformësojmë jo vetëm sektorin e turizmit, por të gjithë zinxhirin e vlerave në sektorë të tjerë të ekonomisë të lidhur me turizmin.

Duhet të gjejmë rrugë të reja për të promovuar destinacionet tona, duhet të jemi inovativë. Nuk mjafton që të kemi thjesht një vision të qartë, por duhet të ndryshojmë shumë praktika dhe të fuqizojmë kapacitetet tona operacionale për të futur metoda dhe praktika të reja. Na duhen më shumë resurse, stafe të përgatitura, dhe kapacitete të tjera për të krijuar më shumë impakt në fushën e turizmit.

Kjo konferencë dhe diskutimet e specializuara në të tre panelet gjatë ditës, na japin një mundësi për të gjeneruar ide dhe propozime sesi mund ta kthejmë rajonin tonë të CEI-it dhe Es.I.I.Si.Pi– së një atraksion unitar nëpërmjet ofertave të kombinuara me efekt në të gjithë  rajonin. Kjo do të nxiste më shumë interesin e turistëve për shkak të karakterit komplementar dhe të harmonizuar të vlerave që përmban ky rajon, ashtu edhe të komoditetit që mund të ofronte për turistët një paketë gjithpërfshirëse rajonale. Por, kjo kërkon jo vetëm bashkëpunimin tonë si institucione qeveritare të vendeve të rajonit, por edhe një angazhim të përbashkët publik-privat dhe komunitar, për ta bërë realitet diçka të tillë.

E organizuar në tre panele diskutimi, Konferenca “Turizmi në Evropën Qendrore dhe Juglindore – Shtigje të Reja Zhvillimi” solli shembuj të sfidave dhe të praktikave të mira, në kuadër të shkëmbimit të përvojave mes përfaqësuesëve të sektorit të turizmit rajonal. 

Shpërndaje në: