

Skrapari, destinacioni i kanioneve madhështorë mbi lumin Osum
Skrapari, krahina e bukurive përrallore ndër më të veçantat në Europë, ndodhet në pjesën verilindore të Krahinës Malore Jugore të Shqipërisë. Qyteti i Skraparit historikisht ka qenë i banuar që nga viti 600 p.e.s, dhe këtë e dëshmojnë edhe gjetjet arkeologjike në banesa të tipit shpelle.
Skrapari është rrethi i kanioneve madhështore, pasi atje gjenden dy kanione të mëdha, monumente natyrore, midis tyre kanioni i Osumit, më i madhi në të gjithë Shqipërinë. Ai gjendet në zonën Çorovodë – Hambull të luginës së Osumit, është rreth 13 km i gjatë, nga 4 deri në 35 m i gjerë, i thellë deri në 70-80 m, me shpate vertikale, përfund të cilëve rrjedh “lozonjar” Osumi.
Potencialet e jashtëzakonshme turistike që zona e Skraparit ofron, janë kanionet e Osumit, mali i Tomorrit, shpella e Pirogoshit, të cilat mbeten atraksionet më të frekuentuara nga vizitorët vendas e të huaj.
Skrapari dhe Kanionet e Osumit identifikohen me emrin e njëri-tjetrit, falë sportit të rafting, i cili prej më shumë se dhjetë vitesh është kthyer në një magnet që po tërheq turistë të shumtë në këtë krahinë.
Kanionet vertikale me forma të ndryshme, e me thellësi deri në 150 metra në zonën e Çorovodës dhe tetë ujëvarat, që e bëjnë të duket si “Kolorado shqiptare”, janë vendi ku turistë të huaj dhe vendas praktikojnë sportin e rafting. Sporti i Rafting-ut është i preferuar nga grupmosha të ndryshme.
Një tjetër atraksion turistik për këtë zonë mbetet dhe Parku Kombëtar, i cili gjendet në afërsi të Malit të Tomorrit, i pasur me bimësi e faunë të larmishme.
Skrapari është shndërruar në destinacion të preferuar edhe për mbi 10 lloje aktivitetesh përqark tij, si eksplorim kanionesh në këmbë dhe me not; zbritje me litarë në ujëvara, hiking në kalanë e Skraparit, eksplorim i shpellës së Pirrogoshit, hiking në 13 tunelet e Pirogoshit së bashku me vizitën në urën interesante të Kasabashit, hiking dhe karvan me mushka në malin e shenjtë të Tomorrit, etj.
Edhe fshatrat e Skraparit, si Therepeli, Prishta, Bogova, Blezëncka, Spathara, Kulmaku, janë disa atraksione të bukura të traditës së zonës.
Zbulimi i traditave të këtij qyteti është gjithashtu edhe një udhëtim përmes shijeve dhe aromave tipike të kësaj zone, ku prodhimet e tokës së bashku me mishin, kryesisht ai i qengjit, formojnë bazën e kuzhinës tradicionale. Pjata tipike është mishi i pjekur, si në një pjesë të mirë të Shqipërisë, por në këtë zonë është tradita e mishit të qengjit të pjekur në furrë dhe hell.
Specialitete të tjera janë përsheshi me pulë, tavë me perime, lakrori etj, ëmbëlsirat, si bakllavaja e pandispanja, apo edhe pekmezi dhe trahanaja. Dhe në fund nuk mund mos përmendim pijen tradicionale të kësaj zone, rakinë e Skraparit, pjesë e traditës e trashëguar ndër breza, për shkak të mjeshtërisë shekullore të nxjerrjes dhe përpunimit të saj gjatë stinës së vjeshtës e njohur në qytetin e Skraparit edhe si stina e rakisë.
Për më shumë informacione vizitoni: