Turizmi shqiptar në fokusin e Hungarisë

Operatorë turistikë dhe përfaqësues të Shoqatës Hungareze të Agjencive të Udhëtimit u pritën nga Agjencia Kombëtare e Turizmit në Tiranë.

Drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Turizmit, Znj. Zana Çela u prezantoi të ftuarëve Shqipërinë si një destinacion turistik emocionues dhe në rritje.

“Shqipëria, në zemër të Ballkanit ofron një përzierje emocionuese mes aventurës, kulturës dhe relaksit. Me fluturime direkte dhe të shkurtra nga Hungaria, ajo paraqet një mundësi fantastike për t’u prezantuar operatorëve turistikë dhe udhëtarëve. Shqipëria ka zgjeruar me sukses turizmin e saj gjatë gjithë vitit dhe në të gjithë vendin. Vizioni i qeverisë shqiptare shkon përtej rritjes ekonomike, duke u fokusuar në zhvillimin e turizmit të nivelit të lartë. Fushat kryesore përfshijnë përmirësimin e infrastrukturës, qëndrueshmërinë dhe adresimin e sfidave të sezonit. Legjislacioni inkurajon investimet private dhe tërheq markat kryesore ndërkombëtare të mikpritjes. Vlerësojmë interesin tuaj dhe shpresoj se kjo vizitë do të frymëzojë partneritete të reja dhe mundësi mbi turizmin. Mezi presim të punojmë së bashku për të promovuar Shqipërinë dhe për të siguruar përvoja të paharrueshme për klientët tuaj”, theksoi Drejtoresha e AKT-së.

Ambasadorja e Hungarisë në Shqipëri, Znj. Martina Kasnyik në fjalën përshëndetëshe nënvizoi se numri i vizitorëve hungareze në Shqipëri, sa vjen dhe rritet.

“Vetëm në 2024 rreth 60 mijë shtetas hungarezë erdhën në Shqipëri. Tur operatorët hungarezë janë këtu për të zbuluar çfarë Shqipëria ofron”, u shpreh Ambasadorja.

Shqipëria turistike iu prezantua në disa dimensione, profesionistëve të sektorit të turizmit nga Hungaria. Destinacionet më të bukura natyrore, trashëgimia dhe kultura, ngjyrat dhe vlerat e folklorit, e afruan Shqipërinë më pranë miqve nga Hungaria. Prezantimi i Drejtoreshës së Agjencisë Kombëtare të Turizmit Znj. Zana Çela u materializua edhe nga udhëtimi virtual i bukurive shqiptare përmes syzeve VR.
24 operatorëve turistikë hungarezë iu prezantua njëherësh edhe Aplikacioni TEA, guida digjitale më e plotë e Shqipërisë turistike. Atraksionet kryesore e më të rëndësishme të vendit tonë, tërhoqën vëmendjen dhe rritën kureshtjen e tyre.

Të udhëhequr nga Drejtoresha Blerina Arbana, nxënësit e Shkollës së Baletit i dhanë hijeshi aktivitetit me performancën e shkëlqyer të valleve shqiptare.

Kjo është hera e parë që një numër kaq i madh i operatorëve turistikë nga Hungaria vjen në Shqipëri.

 

Shpërndaje në: