test

Shkodra, kryeqendra e Veriut dhe porta drejt Alpeve të Shqipërisë

Qyteti i Shkodrës është një prej qyteteve më të vjetra të Shqipërisë, me një histori banimi mijëra vjeçare. Për vetë pozicionin e saj gjeostrategjik si aks kryesor që lidh Shqipërinë me Malin e Zi, dhe vende të tjera të rajonit, qyteti i Shkodrës është kryeqendra e Shqipërisë së Veriut.

Shkodra ndodhet rreth 90 km larg Tiranës, kryeqytetit të Shqipërisë. Ajo shtrihet në veriperëndim të vendit mes një relievi fushor, kodrinor dhe malor, pranë detit Adriatik dhe liqenit të Shkodrës, të cilët përcaktojnë dhe klimën e saj mesdhetare. 

Shkodra është qyteti i traditave të bukura qytetare ku kulturat e ndryshme bashkëjetojnë ndër shekuj në harmoni. Destinacioni kryesor turistik i qytetit është Kalaja e Rozafës, një monument mijëravjeçar i ngritur mbi një kodër shkëmbore në hyrje të qytetit të Shkodrës, e rrethuar nga lumenjtë Buna e Drin.

Si një destinacion i rëndësishëm i trashëgimisë kulturore, aty mund të vizitoni Muzeun Kombëtar të Fotografisë Marubi, i famshëm për koleksionin e tij të rrallë të fotografive mbi historinë shqiptare, xhaminë e Plumbit, kishat e vjetra, të bëni një shëtitje në shëtitoren “Kolë Idromeno”, e cila është qendra e vjetër e Shkodrës, dhe të sjell ndërmend ndërtesat mesdhetare veneciane; mund të zbuloni edhe atraksionin e veçantë si kulla e Inglizit.

Liqeni i Shkodrës është një nga destinacionet më të bukura të Shkodrës, ku gjatë shëtitjeve mund të shijohen edhe gatimet tradicionale të zonës.

Fshatrat e bukur Shirokë dhe Zogaj janë dy nga pikat turistike më afër qytetit.

Në Shkodër do të gjeni peizazhe me bukuri të pazakontë në zonat përreth qytetit, si Parku Kombëtar i Alpeve, Parku i Thethit, lumin Shalë e Kir, Razmën rreth 42 km larg qytetit, Bogën afro 48 km dhe  plazhin e Velipojës 32 km larg qytetit.

Ura e Mesit, e cila ndodhet 8 km larg qytetit të Shkodrës, është simbol i qytetërimit të lashtë dhe monument kulture i kategorisë së pare. Shkodra është e bekuar me shumë monumente natyrore si: Ujëvara e Thethit, Liqeni i Jezercës, plot 13 maja të Alpeve të Shqipërisë, të cilat ju presin t’i vizitoni. 

Për më shumë vizitoni:

Bashkia Shkodër

Shperndaje: