test

Saranda kryeqyteti i rivierës Joniane, rinisë dhe diellit

Saranda është një qytet bregdetar i vendosur në bregun e detit Jon në juglindje të Shqipërisë. Me një histori të pasur dhe peizazhe të mahnitshme, Saranda është një destinacion i ëndrrave për ata që kërkojnë një pushim plot jetë.

Me më shumë se 2000 vjet histori, i pasur në vlera të rralla të trashëgimisë kulturore dhe arkeologjike në fillimet e tij, qyteti ka shërbyer si një portë për qytetin antik të Finiqit dhe si rrjedhojë edhe si portë hyrjeje për në rajon.

Kjo trashëgimi e pasur arkeologjike e gërshetuar me bukuritë e natyrës, si dhe portin e saj natyral, përbën bazën më të rëndësishme për të promovuar zhvillimin e imazhit aktual të Sarandës, si një destinacion i turizmit.

Saranda ka numrin më të lartë të ditëve me diell edhe në Evropë, mbi 270 ditë. Zona u ofron vizitorëve vendas dhe të huaj pamje spektakolare të ujërave blu. Delfinët janë miq të qytetit, duke u afruar brigjeve të Sarandës ku po ashtu një breshkë e llojit Careta-Careta është parë së fundmi në Butrint.

Për natën, qyteti ofron një atmosferë të gjallë me bare, klube, dhe evenimente kulturore që do t’ju bëjnë të kënaqeni deri në orët e para të mëngjesit.

Ky qytet është një thesar i vërtetë në bregun e detit Jon dhe është gati t’ju befasojë me bukurinë dhe sharmin e tij. Saranda është një destinacion mesdhetar me vende unike, peizazhe piktoreske dhe plazhe ëndërrimtare.

E vetmja gjë që duhet të bëni është të paketoni valixhet dhe bëheni gati të jetoni dhe dashuroni Sarandën!

Disa nga sugjerimet tona:

Plazhi i Ksamilit – I cilësuar si “perla e Jonit”, bregdeti i Ksamilit ofron një sërë mundësish, si plazhe me rërë të bardhë, gjire të fshehur dhe katër ishuj të vegjël e të gjelbëruar. Ky gji, i rrethuar me ujëra të bruztë, mund të arrihet me not ose me varkë.

Butrinti – I përshkruar si një “mikrokozmos i historisë së Mesdheut”, Butrinti është siti i parë arkeologjik shqiptar i përfshirë në listën e trashëgimisë së UNESCO-s në vitin 1992. Ky qytet antik, i cili u themelua rreth fillimit të shekullit të 7-të para Krishtit, ka tërhequr vëmendjen e historianëve dhe udhëtarëve për mijëra vjet.

Syri i Kaltër – Ndër thesaret e shumta të zonës, Syri i Kaltër konsiderohet një fenomen natyror i kategorisë së parë. Nën rrezet e diellit, uji i ftohtë që buron nga një thellësi rreth 50 metra merr ngjyrën blu në formën e një syri. Qendra e burimit në ngjyrë blu të thellë dallohet qartë nga pjesa tjetër, e cila është në ngjyrë të gjelbër.

Plazhi i Pulëbardhës – Në një gji të vogël, të gjendur rreth 10 kilometra nga Saranda ndodhet Plazhi i Pulëbardhës. Ujërat e kthjellët që përplasen mbi guralecët e bardhë të këtij bregu shkëmbor e bëjnë këtë plazh një vend të përsosur për të shijuar diellin dhe klimën mesdhetare të vendit.

Plazhi i Pllakave – pjesë e kujtesës historike te Sarandës, më statusin “i mbrojtur nga shteti” . Plazhi i Pllakave gjendet përtej portit turistik të Sarandës, në lagjen Kodër. Me formacione shkëmbore të latuara nga valët e detit ofron mundësinë për të bërë plazh rehatshëm, në kushte natyrale.Bardhësia e pllakave dhe kombinimi i harmonishëm i blusë së qiellit dhe detit Jon, e bëjnë ndër plazhet e preferuar nga vendasit por dhe turistët e huaj.

Manastiri i 40 Shenjtorëve – Qyteti i Sarandës ka një histori të lashtë. Panorama mahnitëse e këtij qyteti antik dhe rrethinave të tij mund të shijohet nga kodrat pranë qytetit. Një nga këto vende magjike është dhe manastiri nga i cili mendohet se ka marrë emrin qyteti i Sarandës.

Kalaja e Lekurësit – Një thesar i trashëgimisë kulturore lokale e jo vetëm që gjendet në majë të një kodre mes rrënojave të fshatit me të njëjtin emër. Kalaja ka një pozicion të veçantë strategjik nga ku mund të shikoni gjithë qytetin e Sarandës dhe rrugën që shkon në Butrintit, gjithashtu mund të shijoni dhe një panoramë të ishujve të Ksamilit

Për më shumë informacion vizitoni: 

Bashkia Sarande

Shperndaje: