

Puka – qyteti alpin përgjatë liqeneve
Qyteti i Pukës shtrihet në qendër të Shqipërisë Veriore, përgjatë lumit Drin, që nga Ura e Vezirit e Fusha e Dukagjinit në lindje deri në afërsi të grykëderdhjes së Gomsiqes në perëndim. Në jug kufizohet me Mirditën përmes kreshtave malore të majës së Runës, majës së Roshit dhe Bjeshkët e Tërbunit.
Ndërthurja e maleve me lugina, lëndina e livadhe të gjelbëruara plot me përrenj e kroje me ujë të kristaltë, krijon një mjedis me ajër të pastër dhe shumë të përshtatshëm për ekoturizmin, turizmin e natyrës dhe aventurës, alpinizëm, shëtitje, ski, gjueti sportive, apo aktivitete çlodhëse.
Puka është një nga destinacionet e reja turistike të Shqipërisë; shpellat e veçanta jo larg saj, majat e maleve, shtigjet, hanet dhe ushqimi i mirë, uji dhe ajri i pastër janë arsye, që të drejtojnë me kënaqësi drejt verilindjes së vendit, ku mund të shihni edhe pamjet mbresëlënëse të liqeneve përrallorë si ai i Fierzës, Komanit, etj.
Destinacionet më të vizituara të Pukës janë masivi i pishave, majat e Krrabit, Tërbunit dhe Munellës, pista natyrore e skive që ngrihet në jug të qytetit duke e kthyer atë në një atraksion dimëror, të ngjashëm me ato në Ballkan.
Liqeni artificial i Pukës, një nga destinacionet e këndshme të qytetit, ofron një peizazh krejtësisht alpin, bashkë me Liqenin e Fierzës i ngritur pranë fshatit me të njëjtin emër në kaskadën e lumit Drin, atë të Vaut të Dejës dhe Komanit.
Puka është vendlindja e poetit të poemës Mjerimi, Migjeni, shtatorja e të cilit ngrihet në qendër të qytetit.
Një itinerar i bukur në Pukë është udhëtimi zbulues nga Puka drejt komunës Qelëz në Liqenin e Komanit dhe që përmbyllet me panoramën unike dhe të pazakontë të Shpellës së Murgjve apo e njohur ndryshe si Shpella e Kaurrit, që ndodhet afër fshatit Lëvrushk, në malin e Kollatës. Ky rrugëtim përrallor “Shtojzavallesh” përmes liqenit të Komanit është i përkryer për të apasionuarit e turizmit të aventurë.
Një tjetër atraksion i bukur është Shkëmbi i Zanave (Mrizi i Zanave), i cili ndodhet në drejtim të kundërt me fshatin Qerret të Pukës, ku si ndalesë e parë është një krua uji, i cili përfundon tek Shkëmbi i Zanave, 680 m mbi nivelin e detit.
Për më shumë informacion vizitoni: