


Pogradeci: “Qyteti i mrekullive buzë liqenit”
Pogradeci qytet idilik dhe piktoresk i vendosur në brigjet e liqenit të Ohrit në Shqipërinë juglindore është një destinacion popullor për udhëtarët që kërkojnë një arratisje të qetë plot bukuri mahnitëse natyrore, trashëgimi të pasur dhe mikpritje të ngrohtë.
Pogradeci me liqenin e Ohrit të njohur për mjedisin e tij mahnitës si një nga liqenet më të vjetër dhe më të thellë në Evropë eshte pjesë e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.
Ujërat e kristaltë të liqenit të rrethuar nga gjelbërimi dhe malet madhështore ofrojnë mundësi të pafundme për aktivitete me bazë uji, nga noti dhe shëtitja me varkë deri te peshkimi dhe vëzhgimi i shpendëve.Liqeni është gjithashtu shtëpia e llojeve të shumta të peshqve, duke veçuar koranin, simbolin e qytetit të Pogradecit për nga rëndesia dhe shija.
Pogradeci krenohet me një histori magjepsëse dhe një pasuri atraksionesh kulturore. Atraksionet janë të shumta në Pogradec, duke nisur nga qyteti i vjetër i njohur për arkitekturën e tij osmane dhe ballkanike , kalaja 2400 vjeçare me hijeshinë e saj unike, varret mbretërore të Selcës si edhe vendbanimet palafite të Linit. Në një zbulim novator, që ka ndryshuar njëherë e përgjithmonë perspektivën turistike të fshatit Lin, arkeologët e huaj e kanë shpallur vendbanimin e Linit si më të vjetrin në Evropë, mbi 8500 vjet.
Ndërkohë katër kilometra në lindje të Pogradecit ndodhet pika turistike e Drilonit, ku natyra nuk e ka kursyer bukurinë. Pemët e shumta dekorative dhe bimët e ndryshme janë në harmoni të plotë me ujërat e kristalta të lumit Drilon, rrugicat për shëtitje, urat karakteristike prej druri dhe zogjtë e bëjnë atë një nga vendet më të vizituara në këtë qytet.
I zhytur në shkëlqimin e liqenit, Tushemishti, krahas qytetit të Pogradecit, qëndron aty me nje plazh të gjatë, i cili ka qenë një magnet për pushuesit verorë.Në brendësi të fshatit gjenden shtëpi të vjetra (qindravjeçare), kisha e Shën Pandelimonit, por turistët mund të shijojnë edhe gatimet tradicionale dhe starkinkat (mollët) e famshme të zonës. Një nga gjërat më “pikante” në brendësi të fshatit është shtëpia e “Teto Ollgës”, bashkë me bustin që është ndërtuar për nder të aktores Violeta Manushi.
Në Pogradec do të gjeni një sërë opsionesh akomodimi që i përshtatet preferencave dhe buxhetit tuaj ku perfshihet një mikpritje e ngrohtë. Mos ngurroni ta vizitoni nëse kërkoni t’i jepni shije udhëtimit tuaj në juglindje të Shqipërisë.
Ky xhevahir shqiptar, ka diçka për t’i ofruar çdo udhëtari.
Për më shumë informacioni vizitoni: