

Kukësi, qyteti i Shtegut të Ngjyrave rrëzë malit të Gjallicës
I vendosur rrëzë malit të Gjallicës (2487 m) në verilindje të Shqipërisë dhe në bregun e Liqenit të Fierzës, qyteti i Kukësit është një ndër qytetet më të reja në Shqipëri.
Ai është pjesë e krahinës malore të Lumës. Kukësi është krijuar mbi një vendbanim të hershëm historik, që dëshmohet nga varret ilire të zbuluara në fshatin Kënetë,
Qyteti i Kukësit kufizohet në verilindje dhe lindje me qytetin e Prizrenit në Kosovë përmes pikës kufitare të Morinës, dhe me Hasin në veri, qytetin e Pukës në perëndim dhe Peshkopinë në Jug.
Për shkak të vendndodhjes së tij, aty ku bashkohen dy lumenjtë Drini i Bardhë dhe Drini i Zi, Kukësi ofron një peizazh tejet piktoresk malor, që i përngjan për nga forma e tij një gadishulli.
Prej vitesh Kukësi është kthyer në një destinacion tërheqës malor shumë të vizituar nga turistë të huaj dhe vendas, të apasionuar pas natyrës, shtigjeve malore, luginave, pyjeve, burimeve, livadheve e bjeshkëve.
Shtegu i Ngjyrave është një nga atraksionet më të bukura të qytetit të Kukësit, i cili ofron një shumëlloshmëri lulesh mali, të cilat zbukurojnë livadhet alpine të zonës. Ky shteg nis nga mali Çaja deri në luginën e Korabit, pranë kufirit, që lidh Shqipërinë me Maqedoninë e Veriut dhe Kosovën. Gjatë zbulimit të këtij shtegu piktoresk, i cili mund të përshkohet për disa orë në këmbë do të mund të shihni monumentet natyrore “Gryka e Vanave” mes Malit Koritnik dhe Malit Gjallica; Ujëvarën e Belës si dhe liqenin e Kallabakut.
Gjithashtu gjatë udhëtimit me makinë në Kukës nuk duhet të humbisni Kanionin e Shkallës së Keqe, monumenti natyror që gjendet pranë fshatit Bicaj në Kukës; panoramën e magjishme që dhuron mali Gjallica rreth 2.489 metra i lartë ku mund të kundrosh tërë qytetin e Kukësit, ku grupe alpinistësh profesionistë organizojnë ngjitje dhe ecje malore; fshatin e Shishtavecit, 33 km në juglindje të qytetit të Kukësit. Shishtaveci, si monument natyror ofron disa atraksione turistike, si bjeshkët e Shishtavecit dhe Gurin e Mëngjesit, një masiv shkëmbor dhe ranor, pjesë e monumenteve natyrore të Shqipërisë.
Liqeni artificial i Fierzës, i krijuar mbi shtratin e lumit Drin, është tjetër atraksion magjepsës i Kukësit, që shërben edhe si nyje lidhëse mes banorëve që jetojnë në krahinat malore të Kukësit, Tropojës, Hasit dhe Pukës.