

Kruja, Kryeqyteti mesjetar i Principatës së Arbrit
Qyteti i Krujës ndodhet 32 km në veri të kryeqytetit të Shqipërisë, Tiranës, mes malit të Sari Salltikut dhe lumit Ishëm, shumë afër Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës.
Ky qytet historik shtrihet 608 m mbi nivelin e detit dhe ofron një panoramë të veçantë të zonës përreth. Rëndësia e qytetit të Krujës lidhet ngushtë me veprimtarinë 25-vjeçare të Heroit tonë Kombëtar, Skënderbeut, që në shekullin XV e ktheu Krujën një një bastion të qëndresës së paepur në luftën kundër osmanëve. Muzeu i Gjergj Kastrioti Skënderbeut ndodhet brenda mureve të kalasë, që datojnë në shekujt V dhe VI pas Krishtit.
Brenda mureve të kalasë ndodhen edhe Muzeu Etnografik dhe pranë hyrjes së kalasë, Pazari i vjetër tradicional i qytetit, që daton nga periudha e Skënderbeut. Turistët gjejnë në pazar produkte artizanale shqiptare si: sende të qëndisura, qilima, objekte argjendi, bakri, alabastri, filigran, veshje tradicionale.
Muzeu Historik Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”
Muzeu Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, i njohur si Muzeu i Skënderbeut dhe Muzeu i Krujës, është një nga më të vizituarit në Shqipëri. Kompleksi muzeal është i shpërndarë në disa hapësira, të cilat vizitohen kronologjikisht sipas ngjarjeve.
Muzeu ndodhet në hyrjen kryesore të kalasë së Krujës. Në këtë muze janë të ekspozuara objekte, dokumente dhe bibliografi origjinale, riprodhime autentike, të cilat dëshmojnë për historinë e popullit shqiptar në shek. XV e më gjerë.
Muzeu Etnografik i Krujës Muzeu Etnografik i Krujës ndodhet brenda kalasë së Krujës. Ky muze është ngritur në shtëpinë e familjes Toptani e ndërtuar në vitin 1764. Banesa është monument kulture e kategorisë së I-rë dhe në mjediset e saj përmes objekteve të ekspozuara jepet një pamje e plotë e zejeve të ushtruara në Krujë dhe në të gjithë Shqipërinë, si edhe i mënyrës së jetesës 300 vite më parë.
Teqeja e Sari Salltikut është një nga atraksionet e qytetit të Krujës. Ajo është ndërtuar për nder të Sari Salltikut, i cili ishte një klerik i besimit bektashi. Në dokumentet historike shkruhet se Sari Salltëku la gjurmën e tij në Krujë në mesin e viteve 1300. Gjurma e të shenjtit ndodhet në teqen në hyrje të Krujës. Në vitin 1967, regjimi komunist e prishi edhe këtë teqe ashtu si objektet e kultit në të gjithë Shqipërinë. Teqeja e Sari Salltikut u rindërtua në vitin 1991.
Në qytetin e Krujës do të takoni historinë dhe kulturën nëpër të cilën ka kaluar populli shqiptar nga epoka e lavdishme e Skënderbeut e këndej.