Shqipëria Turistike: Sukses në Fitur 2025

Prezantimi i Shqipërisë kaloi çdo pritshmëri në Edicionin e 45-të të Panairit Ndërkombëtar të Turizmit “Fitur 2025”, në Madrid të Spanjës. Interesi i lartë i shfaqur nga vizitorët, e ktheu stendën e “Albania All Senses” në njërën nga më populloret mes 152 vendeve të botës. Përgjatë pesë ditëve, nga 22 – 26 janar, Shqipëria mirëpriti profesionistë nga sektori i turizmit, autoritete vendimmarrëse, si dhe vizitorë të shumtë.

Drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Turizmit, Zana Çela, u shpreh se rekordi historik i vizitorëve që zgjodhën Shqipërinë në vitin 2024, konfirmon zgjerimin e tregut turistik, por njëherësh vendos përpara objektivin për të arritur rekode të reja.

“11,7 milionë vizitorë të huaj (11,696,078) erdhën në Shqipëri gjatë vitit të kaluar (2024), duke shënuar rritjen më të madhe në këtë dekadë, si dhe një rritje prej 15,2% krahasuar me vitin 2023. Një prurje kaq e madhe turistësh lidhet natyrshëm me promovimin e suksesshëm dhe efikas, si dhe me ofertën e diversifikuar të Shqipërisë, duke përmbushur kërkesën e çdo turisti. Ky rekord historik i shënuar në turizmin shqiptar, përveç hyrjeve të turistëve nga vendet e rajonit të Ballkanit, konfirmon zgjerimin e tregut turistik edhe me vizitorë e Evropës Perëndimore si Spanja, Italia, Gjermania, Franca dhe Britania e Madhe. Të kënaqur me arritjet por edhe të “etur” për të arritur rekorde të reja jemi sërish këtë vit Panairin e Madridit, ku zhvillojmë takime me qëllimin kryesor për të gjeneruar ide dhe mundësi mbi projekte dhe marrëveshje të reja”, theksoi Drejtoresha e Përgjithshme e AKT-së, Zana Çela.

Prezantimi i Shqipërisë nisi suksesshëm që prej ditës së parë. Në ceremoninë e hapjes, Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro theksoi:

“Ne po promovojmë bukuritë dhe ndjesitë më të veçanta të Shqipërisë, duke i sjellë ato më afër botës. Jemi të emocionuar të ndajmë pasurinë natyrore dhe kulturore të vendit tonë me vizitorët e këtij eventi të rëndësishëm.”

Me moton “Albania All Senses”, stenda e Shqipërisë u kthye në një qendër aktivitetetesh, sipas axhendës së organizuar nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, e konceptuar si një miks përvojash që prezantojnë Shqipërinë si destinacionin më emocionues në Europë, që nga përjetimet përmes eksplorimit virtual të vendit, “Albanian Nights” të frymëzuara nga trashëgimia e pasur e traditave të kulturës dhe jetës së komuniteteve, deri tek përvojat e degustimit të ofruara nga Shoqata Shqiptare e Agroturizmit.

Ditët e “Fitur 2025” shënuan takime të rëndësishme dhe të vlefshme për promovimin e vendit tonë në arenën ndërkombëtare. Drejtoresha e Përgjithshme e AKT-së, Çela pati një bisedë të frytshme me CEO-n e Air Albania, Z. Sinan Isik. Së bashku diskutuan mbi projekte të mëdha të përbashkëta.

Drejtoresha e AKT-së, Çela u shpreh po ashtu, se “kompani të rëndësishme ajrore ndërkombëtare dhe të hotelerisë kanë shprehur një interes të madh për tregun turistik shqiptar.

“Në panair janë të shumtë vizitorët dhe agjencitë që vizitojnë stendën shqiptare, por nuk mungojnë as investitorët e shumtë që kanë treguar një interes të veçantë për të investuar në vendin tonë”, tha Çela.

Drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Turizmit Zana Çela priti gjatë ditëve të “Fitur 2025”, Drejtoreshën e Agjencisë Italiane të Turizmit, Alessandra Priante. Gjatë bisedës, ato dakortësuan mbi forcimin e bashkëpunimit për promovimin e turizmit në të dy vendet. Në këtë kuadër, në Panairin Ndërkombëtar të Turizmit “ITB Berlin”, pritet të nënshkruhet një Memorandum bashkëpunimi mes Agjencisë Italiane të Turizmit dhe Agjencisë Kombëtare të Turizmit të Shqipërisë.

Shqipëria turistike në Madrid ishte edhe në fokusin e mediave të ndryshe ndërkombëtare.

“Zhvillova një takim me përfaqësuesin e National Geographic Traveler nga Mbretëria e Bashkuar, Mark Salmon, me të cilin biseduam rreth mundësisë së promovimit të vendit tonë në revistën prestigjioze me famë ndërkombëtare. Një tjetër takim zhvillova me përfaqësuesen e grupit mediatik të liderit global të udhëtimeve Expedia, Ana Jiménez. Expedia synon bashkëpunim me Shqipërinë, duke qenë se është kthyer në një prej destinacioneve më të kërkuara nga turistët në dy vitet e fundit”, tha Drejtoresha e Përgjithshme e AKT-së, Çela.

Laura Field, kryeredaktore rajonale e revistës së udhëtimeve “Wanderlust”, vizitoi stendën e Shqipërisë, duke e cilësuar si një vend që duhet zbuluar në 2025.

Në stendën e Shqipërisë në panairin Ndërkombëtar të Turizmit, “Fitur 2025’ në Madrid, Spanjë, këndi VR është më i frekuentuari. Drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Turizmit, Zana Çela, u shpreh se “kjo është hera e parë që vizitorët ndërkombëtarë po shijojnë destinacionet turistike shqiptare në mënyrën më reale të mundshme me VR stereoscopic 3D”.

“Në stendën tonë ka një kënd që është më i vizituari, pasi stafi jep informacione vizitorëve të shumtë, më pas ata kalojën në këndin VR, ku shikojnë të gjithë informacionin për Shqipërinë turistike. Ndalen në vijën bregdetare në plazhet më të bukura, në Shqipërinë malore, të agrobiznesit dhe shikojnë një Shqipëri në të gjitha senset e saj dhe e gjithë kjo e bërë me nje teknologji të lartë, me një sistem me 8 kamera, të cilat xhirojnë me 360 gradë për të na dhënë të gjithë buku me syzet VR bukruitë e natyrës dhe trashëgimsië kulturore që Shqipëria prezanton në panairin ndërkombëtar të “Fitur 2025”, tha Çela.

“Fitur 2025”, panairi më i madh që zhvillohet në gadishullin Iberik u mbyll me shifra rekord, duke tejkaluar të gjitha pritshmëritë me afro 255,000 të pranishëm, ke vetëm përgjatë tre ditëve të para 155,000 profesionistë krijuan ura dhe rrjete për bashkëpunimin turistik në botë.

 

Shpërndaje në: