test

Dibra, perla natyrore buzë Drinit të Zi

Krahina e Dibrësshtrihet në verilindje të Shqipërisë në kufi me Maqedoninë e Veriut. Kryeqendra e saj është qyteti i Peshkopisë, mbi brigjet e lumit Drini i Zi. Dibra ndodhet në dy anët e luginës së Drinit të Zi duke u kufizuar në lindje nga vargmali i Korabit dhe në perëndim nga vargmalet e Lurës, 185 km larg kryeqytetit Tiranë.  Në afërsi të Peshkopisë ndodhet mali më i lartë i Shqipërisë, Mali i Korabit me një lartësi prej 2,751 m mbi nivelin e detit, pjesë e Parkut Kombëtar Natyror Korab – Koritnik, një nga destinacionet turistike më të bukura të Shqipërisë.

Nëse keni dëgjuar shpesh të flitet për liqenet akullnajore të Lurës, në veri të Dibrës; apo llixhat termale; të gjitha këto bukuri natyrore i gjeni në Peshkopi. Në Parkun Kombëtar të Lurës do të magjepseni nga peizazhet përrallore e piktoreske, si dhe të vizitoni burimeve e llixhave, pyjet e shumta dhe sidomos liqenet, të cilat janë një perlë e vërtetë e natyrës, ekoturizmit dhe biodiversitetit.

Ujërat kurativë e termalë të Peshkopisë shtrihen rreth dy kilometra në lindje të qytetit, dhe janë një ndër  atraksionet shëndetësore më të kërkuara. Pasuritë hidrike kanë ndihmuar në zhvillimin ekonomik të rrethit, si në energji, ujitje, peshkim, apo industri.

Destinacione për të mos u humbur në krahinën e Dibrës janë: brigjet e lumit Drini i Zi me luginën dhe kanionet magjepsës, fantastike për sportet e aventurës dhe rafting; mali dhe Bjeshka e Gramës e njohur si margaritari i kurorës turistike të Dibrës përplot me pyje e kullota alpine; fshatin Kërçisht pranë ballkonit natyror të Maqellarës bashkë me monumentet e kultit dhe kalanë e Grezhdanit; fshatin turistik të gurtë të Rabdishtit, një nga 100 fshatrat turistikë të Shqipërisë; bjeshkët e Hinoskës; parkun agroturistik të Begjunecit, si dhe muzeun kushtuar Skënderbeut dhe familjes së Kastriotëve, dhe muzeun e Dibrës.

Në Peshkopi mund të provoni mikpritjen e ngrohtë të gërshetuar me natyrën mahnitëse, malet, lumenjtë, liqenet, fushat, monumentet e natyrës dhe të kulturës materiale e shpirtërore, kalatë antike, e gjitha një mrekulli e krijuar nga natyra dhe dora e njeriut.

Rrethi i Dibrës është një qendër e rëndësishme artizanale, tregtare dhe infrastrukturore me potencial si atraksion turistik në çdo stinë të vitit. Nuk mund të largoheni nga Dibra pa provuar shijen e mirë të jufkave dhe sheqerpares, gatime tradicionale të krahinës si dhe rakinë e kumbullës.

Për më shumë vizitoni:

Bashkisë Dibër

 

Shperndaje: